50 vjet nga Traktati gjermano-francez për miqësi –Marrëdhënie e ripërtirë në mes artit për kompromis dhe projekteve konkrete [fr] [mk]

Të gjithë ata që përcjellin me vëmendje dy vendet tona shpesh konstatojnë se gjermanët dhe francezët janë shumë, shumë të ndryshëm nga njëri tjetri. Kjo vlen pothuaja për të gjitha lëmitë e shoqërive tona: historinë, traditat, kulturën, gjuhën dhe kuptohet mënyrën se si bëhet politika në dy vendet tona.
Gudrun Steinacket dhe Laurence Auer - JPEG
Nga këto shkaqe, Traktati i Elizesë, përvjetorin e 50-të të cilit natyrisht e festojmë së bashku, është ngjarje e një rëndësie qenësore në historinë e re të Francës dhe Gjermanisë. Falë vendosshmërisë guximtare të politikanëve vizionarë, por edhe falë angazhimit të një numri të madh njerëzish në Francë dhe Gjermani, qeveritë e dy vendeve arritën ti tejkalojnë armiqësinë dhe mosbesimin e ndërsjellë që me shekuj ishin ngulitur për të krijuar themelin e një bashkëpunimi besimplotë në mes të qeverive tona dhe për mirëkuptim në mes popujve tanë.

Kryetari De Gol dhe Kancelari federal Adenauer ishin të vetëdijshëm se kjo nuk do të ndodhte vetvetiu e natyrshëm. Mu për këtë Traktati i Elizesë nuk është thjeshtë një Traktat për miqësi me deklarata simbolike sa për tu thënë, por ai përfaqëson shtytjen nismëtare për të gjitha instrumentet të cilat nga ajo kohë e deri më sot i lidhin qeveritë tona dhe njerëzit e vendeve tona duke i detyruar të kenë dialog të vazhdueshëm: mu për këtë u themelua Zyra franko-gjermane për të rinjtë, mu për këtë u vendosën parternitetet në mes qyteteve, mu për këtë u themelua televizioni i përbashkët ARTE, u themeluan programe studimore dhe ndërmarrje të përbashkëta. Nga kjo buron detyrimi i takimeve të rregullta dypalëshe të qeverive tona si dhe institucioneve që ato përfshijnë.

Traktati i Elizesë ka gjasa të jetë kontributi më i rëndësishëm për bashkimin e Evropës; pa afrimin gjermano-francez një gjë e tillë nuk do të ishte e mundur. Gjermania dhe Franca edhe sot janë thelbi i këtij bashkimi, ata janë forca shtytëse, motori i këtij zhvillimi. Roli qëndror që kanë i detyron dy shtetet tona vazhdimisht t’i afrojnë partnerët tanë të BE-së dhe të sigurohen se BE-ja i shërben interesit të të gjithëve. Franca dhe Gjermania mund ti bëjnë ballë këtij roli pozitiv dhe integrativ vetëm duke përfaqësuar një pozicion të përbashkët. Marrë parasysh dallimet tona siç i përshkruajtëm më herët, qëndrimet e përbashkëta nuk vijnë natyrshëm apo të nënkuptohen por janë shpesh rezultat i kompromiseve. Shpesh bëhen bisedime të mundimshme dhe të gjata me qëndrime të ndryshme dhe interesa që dallojnë shumë. Kompromiset janë fuqia e bashkëpunimit gjermano-francez dhe ata e mundësojnë mbijetesën e marrëdhënieve tona – në shërbim të Evropës.

Franca dhe Gjermania kanë poashtu një rol të rëndësishëm edhe në afrimin e Maqedonisë kah Bashkimi Evropian. Miqësia gjermano-franceze dëshmon se paragjykimet mund të tejkalohen dhe se dialogu dhe respekti i ndërsjellë i historisë, traditave, kulturës dhe gjuhës së tjetrit paraqet një zhvillim të frytshëm për të gjithë.

publie le 15/02/2013

hautdepage