Intervista e ambasadorit për javoren “Zaman” [fr] [mk]

Ambasadori dha një intervistë për javoren “Zaman”, ku shtjelloi çështjet që ndërlidhen me Marrëveshjen e Prespës dhe amendamentet kushtetuese, reformën e sistemit gjyqësor dhe pavarësinë e mediave. Ai gjithashtu shkroi edhe një editorial në lidhje me Njëqindvjetorin e Armëpushimit të vitit 1918.

JPEG

1. Si e vlerësoni situatën politike në Maqedoni, pas votimit në parlament për fillimin e ndryshimeve kushtetuese ?
Rezultati i votimit u përshëndet dhe mirëprit nga autoritetet franceze, të cilët konsiderojnë se kjo marrëveshje është e mirë për vendin, për rajonin dhe për Evropën. Procesi i brendshëm është pjesë e jetës suaj demokratike. Megjithatë, është e qartë se ky rezultat u arrit në një kontekst të veçantë, pas njëzet e shtatë viteve të bllokimit dhe në një klimë polarizuese të tepruar politike. Ka ardhur koha, që politika në Maqedoni, të përmbushë më mirë standardet etike dhe praktikat e pritura në kuadër të Bashkimit Evropian. Ne kemi lansuar një bashkëpunim aktiv në këtë fushë, veçanërisht në fushën e deontologjisë (kodeksit etik) dhe kemi krijuar lidhje ndërparlamentare, të cilat shpresojmë, që do të mundësojnë përparim, në miratimin e praktikave të mira dhe një dialogu normal midis partive kryesore politike, në emër të interesit kombëtar dhe evropian.

2. Pritet që brenda pak muajve të përfundojë miratimi i pakos së ndryshimeve kushtetuese. A mund të kemi sërish komplikime kur dihet se mezi janë siguruar 2/ 3 ?

Procesi në fakt sapo ka filluar: ndoshta do të jetë një rast për të bërë ca saktësime dhe sqarime në marrëveshje, që do të mundësojnë mbrojtjen në mënyrë më të mirë të interesit kombëtar, si dhe do të përcaktojnë pikat e interpretimit të marrëveshjes, pa vënë në pikëpyetje tërësinë e saj të përgjithshme. Miratimi i disa amendamenteve do të kontribonte në motivimin e arritjes së një shumice të zgjeruar të deputetëve, në lidhje me këtë tekst.

3. Cili është roli i faktorit ndërkombëtar në këtë situatë ?
Partnerët e ndryshëm të Maqedonisë, e kanë bërë të njohur qëndrimin e tyre, ndërkaq qëndrimi ynë, është shprehur dhe theksuar nga kryetari ynë i shtetit, nëpërmjet një video- mesazhi të regjistruar, i pari i këtij lloji në historinë tonë, për qytetarët maqedonas, në favor të përgjigjes PO në referendum.

4. Është folur se pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese Bashkimi Evropian do ta ndihmojë Maqedoninë. Çfarë ndihme mund të pres vendi konkretisht nga Franca ?

Është më se e sigurtë, se ratifikimi i marrëveshjes së Prespës do të mundësojë zhbllokimin e vetos greke, e më pastaj vendi do të vlerësohet për progresin e vërtet në realizimin e reformave. Që nga viti 2017, është lansuar dhe nxitur fuqishëm një dinamikë shumë e çmuar. Zbatimi i agjendës 3 -6-9 dhe i planit të ri 18 do të ndiqet me vëmendje dhe kujdes. Ne tani kemi nevojë të shohim përparim të vërtetë, në marrjen e hapave të mëtejshëm drejt hapjes së negociatave.

5. Në anën tjetër kryeministri i vendit ka paralajmëruar falje për dhunuesit e 27 prillit. Ky akt është cilësuar si i gabuar . Cili është vlerësimi juaj ?

Franca gjatë epokave të saja historike, ka përjetuar histori të tilla, ku pas mbizotërimit të një klime të ashpër, ka qenë e nevojshme falja. Nuk duhet të flaket nga mendja ekuilibri ndërmjet nevojës për pajtim dhe nevojës për të ruajtur apo krijuar norma, pa të cilat do të ishte i pamundur shteti demokratik. Shembujt e kohëve rishtare në vendet fqinje, kanë dëshmuar se një pjesë e madhe e popullsisë, hedh poshtë kulturën politike, të bazuar në pandëshkueshmërinë e udhëheqësve politikë. Duhet të kihet parasysh, se evropianët do ta kenë të vështirë të pranojnë zgjerimin me shtete të reja, të cilët nuk kanë vendosur rregulla demokratike dhe ku dhuna politike nuk është ndaluar dhe flakur tutje.

6. Reformat në drejtësi mbeten kushti i vetëm i BE-së. A mendoni se Maqedonia ka bërë përparime në këtë aspekt ?

Është bërë shumë, por mbetet për t’u bërë edhe më shumë në këtë fushë jetike, ku përparimi i dukshëm dhe i ndjeshëm, pritet me padurim nga populli dhe nga partnerët evropianë. Nga ana e saj, Franca ka investuar në mbështetjen e Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve (Akademia e Magjistraturës), ku përparimet e bëra janë përshëndetur nga Brukseli. Korrja e fitores në këtë fushë të ndjeshme, nuk duhet të dëmtohet nga emërimet mbi baza partiake. Ne do të jemi të vëmendshëm në çështjen e "demokratizimit" të drejtësisë dhe administratës, në kontekst të vendimeve për hapjen e negociatave të pranimit.

7. Reformat në media ende nuk janë bërë. Sipas jush pse vonohen reformat në media dhe si duhet të rregullohet kjo çështje ?

Mediat e Ballkanit kanë pavarësi të vogël ekonomike dhe po luftojnë për mbijetesën e tyre, në një treg të ngushtë, që është ende politikisht i varur. Gazetarët paguhen pak, që të jenë imun ndaj përfitimeve të brendshme dhe të jashtme. Maqedonia nuk bën përjashtim nga kjo, ndonëse është bërë përparim gjatë këtyre dy viteve, pas një periudhe të errët të kërcënimeve dhe agresionit fizik ndaj gazetarëve. Megjithatë, ideja e gazetarisë hulumtuese (investiguese) të pavarur mbetet larg, pavarësisht rolit thelbësor, që duhet ta luajë ajo, në luftën kundër korrupsionit dhe strukturave kriminale. Shumë veta mendojnë se do të ishte e mirëseardhur, që Bashkimi Evropian të riinvestonte në këtë fushë, në nivel rajonal. Angazhimi i autoriteteve të Maqedonisë, për të krijuar një shërbim publik audioviziv, është shumë i vlerësuar dhe meriton mbështetje reale.

8. Prokuroria Publike Speciale si duket nuk do të mund të hap të gjitha çështjet dhe a është e nevojshme që këtij institucioni ti vazhdohet mandati pasi të sigurohet 2/3 e votave ?

Është e qartë se çështja e vendit dhe e rolit të Prokurorisë Speciale në sistemin gjyqësor duhet të ketë një epilog. Krijimi i saj ndodhi në një moment, ku mbizotëronte një krize politike e mbyllur, andaj sipas mendimit tim, vendi duhet të shikojë përpara, duke shmangur standardet e dyfishta, por duke ruajtur mekanizmat efektivë, gjatë trajtimit të rasteve të korrupsionit, i cili, mbetet edhe më tej një kancer, që kërcënon dhe sfidon çdoherë, në vazhdimësi.

9. Partitë politike shqiptare në opozitë kanë deklaruar se do të parashtrojnë amendamente shtesë tani kur pritet të hapen ndryshimet kushtetuese. A mund të kemi mospajtime nga pala maqedonase të cilët kanë rënë dakord vetëm për ndryshimet që kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Prespës ?

Arritja e Marrëveshjes së Ohrit, konsiderohet si një datë themelore në historinë bashkëkohore të vendit.

10. Z. Ambasador gjatë krizës politike jeni takuar pothuajse me të gjithë liderët politik. Cili është qëndrimi i tyre në lidhje me situatën politike ?

Në të gjitha vështirësitë e këtij vendi, duhet të vihet në dukje një faktor, i cili, besoj, që ka ndikuar në shmangien e shumë tragjedive: është kapaciteti i udhëheqësve, të të gjitha partive politike, që të përballen dhe të përshtasin pozitat e tyre, me ato të faktorëve kryesorë të jetës ndërkombëtare, duke shfaqur qëndrime realiste dhe të arsyeshme. Të gjithë pranojnë, se rruga evropiane është e vetmja gjë, për të cilën ka nevojë vendi. Sidoqoftë, është më se e qartë, se fjalët duhet të janë në përputhje me veprimet. E presim një gjë të tillë posaçërisht nga VMRO-ja, pas një periudhe të pështjellimit rreth referendumit.

11. Opozita maqedonase VMRO-DPMNE ka përjashtuar nga radhët e veta deputetët që votuan pro ndryshimeve kushtetuese. A është kjo si rezultat i mungesës së demokracisë në një parti, apo si rezultat i interesave personale ?

VMRO-ja është një parti e madhe, me historinë e saj, traditën dhe rregullat e saja. Ka një rast dhe mundësi për të bërë një rinovim, që do të jetë dobiprurës për të gjithë sistemin. Fundja, janë anëtarët dhe votuesit, ata që do të gjykojnë dhe vlerësojnë, e jo ambasadorët.

12. Rusia ka kundërshtuar votimin për ndryshimet kushtetuese, kurse BE-ja ka mbështetur këtë nismë. Komenti Juaj për këto qëndrime ?

Asgjë nuk do të ishte më e keqe për këtë vend, se sa të shndërrohej në një arenë përplasjeje dhe lufte absurde të ftohtë. Le të sillet secili me përgjegjësi, në mënyrë që Maqedonia të jetë një shembull i takimit dhe kryqëzimit të suksesshëm, ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit.

JPEG

Njëqind vjet pas përfundimit të Luftës së Madhe (Luftës së Parë Botërore), të konsolidohet paqja në Evropë dhe në botë

Faleminderit gazetës “Zaman”, që më ofruat hapësirë dhe mundësi të shprehem, në një moment të veçantë të kujtesës historike.
Kjo histori është e përbashkët për të gjithë evropianët e të sotshmes, të cilët përpiqen që së bashku të ndërtojnë një zonë paqeje dhe prosperiteti, duke i shndërruar dallimet e tyre, në një pasuri të përbashkët.
Po shqyrtojmë dhe vlerësojmë rrugën e përshkuar dhe të arritur, duke mos e shqitur nga mendja Evropën e varfër dhe të shkatërruar, e cila doli nga një prej luftrave më të tmerrshme në histori, e cila ishte mirëfilli një "luftë civile evropiane", e që mbetet e gdhendur në historinë dhe në kujtimet tona.
Para së gjithash, ekziston bilanci i të vdekurve dhe vuajtjeve, që mbetet i pranishëm përmes varreve, të cilët ne po duam t`i shndërrojmë në vende të soditjes apo prehjes shpirtërore dhe të kujtesës së përbashkët, me krijimin e dy muzeve, në Manastir dhe në Shkup, të cilat Ministria e Kulturës e Maqedonisë, i ka përfshirë në agjendën e saj të Vitit Evropian të Trashëgimisë, duke dëshmuar se emri i këtij vendi, është gdhendur plotësisht në kujtesën e përbashkët.
Ajo ka peshuar mbi këtë vend, sikurse edhe mbi vendet e tjera evropiane, madje edhe përtej Evropës, përmes krijimit të kufijve, ndryshimeve dhe turbulencave ekonomike dhe shoqërore, eksodeve, ndarjeve ideologjike dhe fetare, që mbollën dhe ushqyen farat e konflikteve të reja, të cilat çuan në një makth të dytë, atë të Luftës së Dytë Botërore.
Mësimet në zemër të rajoni të Ballkanit, mbeten të përhershme dhe të vazhdueshme, ngase ky rajon përjetoi përsëri luftën në shekullin e njëzetë, e ku ende nuk janë arritur dhe bërër të gjitha pajtimet e nevojshme, për integrimin e dëshiruar të shteteve përkatëse të këtij rajoni, në një Evropë të re të Paqes.
Në këtë kontekst, fillimisht duhet të përshendesim dhe urojmë progresin e bërë. Më 11 nëntor, në Manastir, në vendin ku kanë shpërthyer beteja të përgjakshme, kolegu im gjerman do të mbajë një fjalim në varrezën e ushtarëve franceze në gjuhën frënge, ndërsa po të njëjtën gjë do ta bëj edhe unë, në gjermanisht, në varrezën e ushtarëve gjermanë.
Ne do të demonstrojmë dhe dëshmojmë përsëri, vendosmërinë e dy popujve tanë dhe qeverive tona, që pajtimin e arritur, ta kthejmë në gurthemel të integrimit evropian.
Ky ndërtim, sipas bindjes së Francës, duhet të ripërtërihet, për të mirëpritur pranimin e anëtarëve të rinj, që ndajnë të njëjtat aspirata dhe të njëjtat vlera, të njëjtin koncept të një shoqërie të lirë dhe të hapur, të bazuar në respektimin e të drejtave të njeriu dhe vullnetin e njëjtë për t’i vendosur vlerat e tyre në një botë, të kërcënuar dhe rrezikuar nga egoizmi, mungesa e tolerancës dhe tërheqja në vetvete, apo mbyllja në vetvete.
Këto vlera nuk mund të mbijetojnë të vetme dhe ballafaqohen me kërcënimet e reja.
Popujt e Evropës në vitin 1918, e poashtu edhe në vitin 1945, u zgjuan me një forcë përtëritëse, për të rindërtuar një kontinent të shkatërruar.
Evropa po ribashkohet sot rreth një projekti të pashembullt, të bazuar jo në forcë, por në ligj dhe prosperitet. Gjermania dhe Franca dhe të gjithë armiqtë e djeshëm, kanë një përgjegjësi të përbashkët, për të qëndruar besnik ndaj kujtimit të atyre, që kanë rënë (vdekur) atëbotë, në një luftë, që ishte një mësim (leksion) i tmerrshëm, për të gjithë kontinentin tonë.
Kjo është arsyeja, që ne e vlerësuam dhe e kundruam me kënaqësi, arritjen e marrëveshjes mes Shkupit dhe Sofjes, e më pas mes Shkupit dhe Athinës, marrëveshje këto që synojnë të mbyllin faqen e mospajtimeve, që zgjasin shumë vite, e që mëtojnë të hapin, respektivisht të shkruajnë një faqe të re.
Është shpresa e vazhdueshme këmbëngulëse, që mëton të na shpjerë të besojmë se forcat paqësore, do të mbizotërojnë dhe do të korrin fitore ndaj atyre të ndarjes dhe përçarjes.

JPEG

publie le 13/11/2018

hautdepage