Bisedë me Ambasadorin francez në Shkup, Bernard Valero - Fakti, E hënë 13 prill 2009,

Fakti, E hënë, 13 prill 2009

Bisedë me Ambasadorin francez në Shkup, Bernard Valero

Është shlyer njolla e 2008-s

“ Shqiptarët nuk janë të ndryshëm nga të tjerët dhe mendoj se votuesit shqiptarë kishin dëshirë, si të gjithë qytetarët tjerë të Maqedonisë, të mund të votojnë lirshëm dhe të bëjnë zgjedhjen e tyre në liri të plotë dhe në një atmosferë paqësore. Kujtimi i dhunës dhe manipulimeve të qershorit 2008 i takojnë tashmë të kaluarës. Tash e tutje duhet shikuar të ardhmen.Tashmë u ngelet atyre që janë të përzgjedhur të dëshmojnë se e meritojnë besimin e atyre që i kanë votuar dhe të punojnë në interes të të gjithëve”, thotë ai

Intervistoi: Fami Bajrami

Ambasadori i Francës në Maqedoni flet për zvhillimet e fundit në skenën politike në shtet, përfundimin e zgjedhjeve presidenciale dhe lokale, rolin e shqiptarëve në këto zgjedhje, pastaj atë të MPB-së dhe organizmave ndërkombëtar po dhe presionet eventuale ndaj zgjedhësve. Me atë kemi trajtuar edhe çështjen e liberalizimit të vizave se ku ndodhet shteti në këtë drejtim. Madje ai ka spjeguar edhe zhvillimet më të reja në skenën politike në Kosovë por edhe çështjen e krizës globale në përgjithësi

Fakti: Cili është vlerësimi i juaj rreth zgjedhjeve presidenciale dhe lokale në Maqedoni?

Valero: Fillimisht zgjedhjet e fundit lokale dhe prezidenciale dëshmuan një nivel të lartë të pjekurisë demokratike që fillon të shquhet, dhe marrë parasysh atë që patëm mundësi të shohim në fund të qershorit 2008 kjo më gëzon. Mund të thuhet sot se njolla e 2008-ës është shlyer. Kjo është mjaftë pozitive.

Nga ana tjetër, këto zgjedhje sollën ndryshime në pejsazhin politik. Kjo është pjesë e frymëmarrjes demokratike normale të një vendi. Tashmë ngelet që të gjithë ata që janë përzgjedhur, t’i marrin përsipër përgjegjësitë e tyre të reja në interes të të gjithëve dhe pa patur dallime, të mos i zgënjejnë bashkëqytetarët e tyre dhe përkundrazi t’u përgjigjen pritjeve të tyre në frymën e shërbimit publik.

Fakti: Deklaratat nga Brukseli zyrtar ka qenë se këto zgjedhje do të jenë test për këtë shtet, sa i takon rrugës së saj për të qenë pjesë e BE-së. Mendoni se Maqedonia me këto zgjedhje plotësoi standardet?

Valero: Është më se e qartë për Bashkimin Evropian (BE) dhe shtetet anëtare të tij se këto zgjedhje ishin një test demokratik. Asgjë nuk është asnjëherë e përkryer, ndaj gjithmonë mund të gjeni diçka që nuk ka funksionuar. Por, përgjithësisht, këto zgjedhje ishin të kënaqshme dhe nga pikëpamja ime, ky test është i kaluar me sukses.

Fakti: Si i vlerësoni zgjedhjet te taborri politik shqiptarë, për dallim nga zgjedhjet parlamentare të vitit 2008, ku kishte një viktimë. Mendoni se shqiptarët kanë treguar këtë herë pjekuri politike, apo se ata më parë kanë qenë të keqpërdorur politikisht nga dikush tjetër?

Valero : Shqiptarët nuk janë të ndryshëm nga të tjerët dhe mendoj se votuesit shqiptarë kishin dëshirë, si të gjithë qytetarët tjerë të Maqedonisë, të mund të votojnë lirshëm dhe të bëjnë zgjedhjen e tyre në liri të plotë dhe në një atmosferë paqësore. Kujtimi i dhunës dhe manipulimeve të qershorit 2008 i takojnë tashmë të kaluarës. Tash e tutje duhet shikuar të ardhmen. Tashmë u ngelet atyre që janë të përzgjedhur të dëshmojnë se e meritojnë besimin e atyre që i kanë votuar dhe të punojnë në interes të të gjithëve.

Fakti: Si e vlerësoni rolin e MPB-së në këtë drejtim, organizmave ndërkombëtare në terren. Mendoni se ka pasur presione ndaj votuesve. Ky konstatim doli nga ambasadori i BE-së në Shkup Ervan Fuere?

Valero: Më lejoni t’u bëj homazh mijëra të punësuarëve të Ministrisë për punë të brendshme, por edhe të gjithë atyre që e mundësuan zhvillimin e mirë të këtyre zgjedhjeve: vullnetarëve të URA, anëtarëve të vendvotimeve, Këshillit Zgjedhor Shtetëror, Këshillit për radiodifuzion. Të gjithë këto persona kanë bërë një detyre të mrekullueshme. Nuk duhet harruar, por do të thoja se duhet të njëjtët t’i falënderojmë dhe urrojmë. Shtypje, kërcënime u vërejtën nga ana e mbikqyrësve ndërkombëtarë, gjegjësisht ODIHR-së. Është një temë mbi të cilën nuk duhet kaluar në heshtje dhe mbi të cilën duhet të vazhdohet të punohet dhe e tërë kjo në interes të kualitetit demokratik të jetës publike të vendit tuaj.

Fakti: Cili është vlerësimi juaj mbi zgjedhjet presidenciale. A mendoni se shqiptarët ishin faktori kryesor që u arrit cenzusi prej 40 për qind. Dhe në fakt, sa sipas jush sa ka qenë e besueshme që të dështojë cenzusi?

Valero: Për mua një fletë votimi është një fletë votimi, dhe nuk përmban në vete referenca etnike. Ju e njihni parimin bazë të demokracisë: një zë- një votë. Kryetari i shteti është përzgjedhur nga qytetarët, dhe vetëm nga qytetarët. Është koha që tashmë të rezonohet përmes këtyre nocioneve.

Fakti: A mund të jepni opinionin e juaj rreth presidentit të ri Gjorgje Ivanov. Sa ai është në gjendje sipas jush të zgjidh çështjen e emrit. Hyrja në NATO besoj se kushtëzohet me ndërrimin e emrit të Maqedonisë?

Valero: Kam nderrin të njoh Z.Ivanovin dhe ta çmoj atë. E urroj për zgjedhjen e tij dhe përgjegjësit politik françez do ta urrojnë kur të jetë inauguruar në postin më të lartë të udhëheqjes së shtetit.
Të gjithë e dijnë se çështja e emrit është një problem dhe se rrjedhimisht duhet të gjendet një zgjidhje. Vendi im shpreson se z.Ivanov do të kontribuojë që të gjendet kjo zgjidhje e cila mund të jetë vetëm përmes kompromisit dhe të jetë e pranueshme për të dy palët. Fillimi i mandatit të një kryetari të ri jep mundësinë t’u jepet një elan i ri negociatave dhe ndërmjetësimit që është në vijim e sipër në kuadër të Kombeve të bashkuara. Shpresojmë se do të ketë lëvizje në këtë drejtim. Është e nevojshme dhe do të ishte mirë për të gjithë.

Fakti: Mendoni se Maqedonia është afër liberalizimit të vizave. Së fundimi ishin tetë shtete që u treguan pro heqjes së vizave për këtë shtet, ku nuk figuronte shteti juaj. Cili është pozicioni i Francës në këtë drejtim?

Valero: Po, mendoj kësisoj edhe atë për një arsye shumë të thjeshtë: Maqedonia i ka arritur të gjitha detyrimet dhe paraqitet sot si shteti më i përparuar në Ballkan për sa i përket kësaj dosjeje. Qëndrimi i Francës është i njohur që moti: ne jemi në favor të një liberalizimi të vizave dhe ne do ta përdëshmojmë këtë në çastin kur do të duhet që Komisioni evropian të japë rekomandimin e vet dhe kur shtetet anëtare do të duhet të prononcohen. Nuk ka vend për asnjëfarë dyshimi apo paqartësie lidhur me këtë çështje.

Fakti: Në emër të Francës, e cila deri më tani ishte kryesuese në BE, ju keni shfaqur shpresë se Maqedonia këtë vit do t’i përmbush katër qëllime, ku përveç liberalizimit të vizave do të ishin edhe marrja e datës për negociata në BE, përparim të IPA- fondeve dhe hapërim drejt fazës së dytë të marrëveshjes për stabilzim dhe asocim. Besoni se do arrihet kjo?

Valero: Jam optimist për kapacitetin e Maqedonisë për të arritur këto qëllime. Zgjedhjet kaluan dhe u zhvilluan mirë. Tashmë, duhet që secili të rifillojë punën. Nuk besoj në fatalitetin e dështimit. Besoj në vyrtytet e punës, përpjekjes dhe mobilizimit.

Fakti : Si i komentoni zhvillimet në skenën politike në Kosovë?

Valero: Kosova ka hapur një faqe të re të historisë së vet për tashmë pak më tepër se një vjet me pavarësimin e saj që Franca e njohur ndër shtetet e para. Kjo faqe e re nuk është e lehtë për të shkruar. Duhet ndërtuar një shtet dhe t’u përgjigjet pritjeve të shumta të qytetarëve. Udhëheqësit e Prishtinës kanë dëshmuar maturi dhe sens për përgjegjësi. Bashkimi evropian është përkrah tyre. E kam fjalën sidomos për misionin e Eulex-it. Është e rëndësishme të ndihmohet Kosova që të bëhet një faktor pozitiv i stabilitetit dhe zhvillimit të Ballkanit. Maqedonia luan një rol pozitiv në këtë realitet të ri.

Fakti: Mundësisht edhe një koment rreth krizës së përgjithshme globale. Besoni se ky vit mund të jetë i rëndë ekonomikisht edhe për vetë Maqedoninë?

Valero: E tërë bota vuan dhe do të vuaj nga kriza globale ekonomike. Nuk duhet patur iluzione. Askush nuk do të jetë i strehuar. Rrjedhimisht, duhet vepruar në mënyrë sa më aktive për të luftuar krizën ekonomike për të rikthyer besimin, për të kufizuar pasojat sociale dhe për t’iu shmangur kthimit kah vetja në favor të një bashkëpunimi ndërkombëtar akoma më intenziv. Ne jemi të gjithë në të njëjtën anije dhe vetëm së bashku do të mund t’ia dalim mbanë që të dalim nga kjo stuhi e tmerrshme. Periudha që kemi para nesh do të jetë e vështirë, që është dhe një shkas më tepër për të mos qëndruar pasiv dhe përkundrazi të mobilizohemi.

GIF - 177.1 ko

publie le 07/04/2012

hautdepage