Deklaratë nga Z. Zhan-Iv lë Drian, Ministër për Evropën dhe Punë të Jashtme [fr] [mk]

- Situata në Siri – Më 14.04.2018

Zonja dhe zotërinj,

Presidenti i Republikës konstatoi se përdorimi i armëve kimike në qytetin e Dumës, pranë Damaskut, më 7 prill, gjatë një sulmi nga forcat e regjimit të Bashar al-Assadit, u dëshmua si i vërtetë dhe i atribuohet regjimit sirian. Sulmi kimik la të vdekur dhjetëra njerëz, të paktën 45 sipas burimeve të përbashkëta mjekësore, të pranishme në vendngjarje, si dhe qindra të plagosur. Vija e kuqe e vendosur nga presidenti i Republikës në muajin maj 2017 është shkelur dhe kapërcyer.

Ne kemi theksuar se një shkelje e tillë e rregullave nuk do të kalonte pa reagim dhe ndëshkim. Konstatuam bllokim sistematik të Këshillit të Sigurimit. Andaj vepruam kështu në përputhje me zotimin e dhënë dhe përgjegjësinë tonë, në koordinim me aleatët tanë.

Regjimi i Asadit zgjodhi qëllimisht ta kalonte tabunë, të cilën që nga fillimi i shekullit të XX-të e përfaqësonte përdorimi i armëve kimike. Për shtatë vjet, ai vazhdimisht ka shkelur standardet ndërkombëtare përmes një mospërfilljeje të plotë të së drejtës ndërkombëtare të konflikteve të armatosura dhe humanizmit elementar
Eskalimi kimik në Siri nuk është i pranueshëm.

Është i papranueshëm, sepse përdorimi i armëve kimike përbën një shkelje të normës themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe të së drejtës humanitare.
Përdorimi i këtyre armëve të terrorit shkel disa nga konventat më të vjetra, siç janë: Protokolli i vitit 1925, i cili ndalon përdorimin e armëve kimike në luftë. Ai shkel Konventën Ndërkombëtare për Ndalimin e Armëve Kimike, të nënshkruar në Paris në vitin 1993, të cilës vet Damasku i është bashkuar, që në vitin 2013. Prodhimi dhe përdorimi i këtyre armëve është një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ata që e cenojnë, izolohen nga kombet e tjera.

Eskalimi kimik është i papranueshëm, pasi regjimi sirian ishte i detyruar të shkatërronte plotësisht arsenalin e tij.
Në shtator 2013, Këshilli i Sigurimit mori parasysh këtë detyrim dhe vendosi në rezolutën 2118 se Siria duhet t’i përmbahet asaj, nën kërcënimin e masave të parapara sipas Kapitullit VII të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Kapitulli VII ka një kuptim të qartë: ai thekson përdorimin e masave ushtarake kundër atyre që kërcënojnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Eskalimi kimik në Siri nuk është i pranueshëm, sepse, sipas deklaratave të presidentit të Republikës, të gjithë u paralajmëruan për pasojat e shkeljes së detyrimeve nga regjimi sirian para bashkësisë ndërkombëtare. Regjimi i Bashar al-Asadit e dinte se në çka po ekspozonte veten e tij, me përdorimin e sërishëm të kësaj arme të tmerrshme kundër popullit të tij, duke zgjedhur përsëri shkeljen e ligjit ndërkombëtar.

Veprimi i kryer nga forcat tona të armatosura, të cilit unë dua t`i përshëndes, ngase e njoh maturinë dhe profesionalizmin e tyre në shërbim të Francës, do të përshkruhet hollësisht nga ministrja e Forcave të Armatosura, znj. Florans Parli.

Ky veprim është i ligjshëm. Ai synon t’i japë fund një shkeljeje serioze të ligjit. Ai kufizohet në objektiva specifikë dhe konkret: shkatërrimin e aftësive kimike të regjimit sirian, për të parandaluar atë nga kryerja e masakrave të reja kimike dhe kësisoj të vazhdojë me strategjinë e tij të terrorizmit kundër popullsisë së vet. Ky është një veprim proporcional dhe i synuar dhe i orientuar: ai nuk është i drejtuar kundër aleatëve të Asadit apo popullatës civile, por synon të pengojë regjimin sirian në realizimin e këtyre veprimeve kriminale. Regjimi i Damaskut duhet të ndalojë përdorimin e armëve të tilla.

Për shtatë vjet me radhë, konflikti sirian po përkeqësohet dhe po rritet. Ai po ndikon drejtpërdrejt në sigurinë e Francës dhe Evropës. Në këtë kontekst, ne kemi dy prioritete: luftën kundër grupeve xhihadiste, veçanërisht kundër Shtetit Islamik dhe rivendosjen e stabilitetit përmes gjetjes së një zgjidhjeje politike. Vetëm kjo mund të jetë sinonim i paqes dhe sigurisë për popullin sirian, për rajonin dhe për bashkësinë ndërkombëtare.
Prandaj, së shpejti do të marrim nisma politike. Kemi tre domosdoshmëri të patjetërsueshme:

1. shkatërrimi i programit kimik sirian, në një mënyrë të verifikueshme dhe të pakthyeshme.

2. arritjen e një armëpushimi në të gjithë territorin e Sirisë dhe një qasje humanitare për popullatën civile, siç edhe kërkohet nga rezolutat e Këshillit të Sigurimit. Këto vendime kanë forcën e së drejtës ndërkombëtare dhe duhet të respektohen nga secili. Deri më tani ata ekzistonin si të tilla vetëm në letër. Ne duhet t’i zbatojmë ato.

3. një plan për dhënien fund të krizës, plan ky që duhet të arrihet me një zgjidhje politike. Ne jemi të gatshëm të punojmë për arritjen e këtij synimi, me të gjitha vendet që mund të kontribuojnë në këtë drejtim.

publie le 14/04/2018

hautdepage