Franca është gjithmonë në anën e qytetarëve të Maqedonisë [fr] [mk]

Në prag të konferencës vjetore të ambasadorëve francezë, e cila do të mbahet në Paris nga data 27 deri më 31 gusht, me pjesëmarrjen e kryetarit të Republikës së Francës, e përditshmja “Veçer” shprehu dëshirë për të intervistuar ambasadorin dhe për ta pyetur atë në lidhje me qëndrimet franceze mbi Maqedoninë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos në lidhje me pikëpamjen mbi referendumin e 30 shtatorit.

Javën e ardhshme mbahet takimi vjetor i të gjithë ambasadorëve francezë me kryetarin e shtetit, z. Makron. Çfarë mund të presim për Maqedoninë?

Ky do të jetë një takim tejet i rëndësishëm, sepse këtë vit rëndësi të veçantë do ti kushtohet temës që ka të bëjë me vendet e Ballkanit. Rajoni është kthyer sërish në një pikë qendrore për politikën europiane. Ka ardhur momenti që vendet e rajonit të vendosin për të ardhmen e tyre. Pas shpërbërjes dhe stabilizimit, tani vetë ata duhet të vendosin nëse ka ardhur koha për integrim. Franca ka qenë çdoherë e pranishme në rajon në momentet kyçe dhe vendimtare, e angazhuar në mbrojtje të paqes, vlerave të lirisë dhe vëllazërisë, të cilat janë të pandashme dhe e përkushtuar për një të ardhme europiane, në përputhje me aspiratat historike të popujve të këtij rajoni. Maqedonia gjendet përballë një momenti të zgjedhjes, andaj do të përpiqem të shpjegojë se pse ne duhet të jemi në anën e saj, përkrah saj, për ta ndihmuar atë në një mënyrë konkrete në zbatimin e reformave dhe plotësimin e kushteve të nevojshme për të marrë pjesë në të ardhmen europiane.

Është thënë se kryetari Makron është ngurrues ndaj integrimit europian të
Ballkanit. Vallë a është kjo e vërtetë?

Kryetari Makron është një europian i bindur dhe që nga zgjedhja e tij në postin e kryetarit, ai u shpreh, se vendi i shtetevë të Ballkanit Perëndimor, vendi i Maqedonisë, është natyrisht në ndërtimin europian. Nuk ka asnjë arsye për të fshehur se pas suksesit të Bashkimit që mundësoi integrimin e shumë vendeve, me krizën greke, me Brexit-in, me krizën e migrantëve, u hapën një sërë pikëpyetjesh. E gjithë kjo situatë pas zgjedhjeve europiane në vitin 2015 nuk mund të mbetej edhe më tej e fshehur nën rrogoz, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Kryetari Makron ka meritën e tij për propozimin e një arkitekture realiste dhe të ndryshme, e cila do të merrte parasysh specifikat, veçoritë dhe kapacitetet e secilit vend, pa utopi ose përjashtim, gjë të cilën ai e theksoi dhe e vuri në dukje në Lisbonë. Franca është i vetmi vend me një vizion të qartë për të ardhmen që kërkon një debat, i cili do të përfshijë të gjithë qytetarët eropianë. Kam takuar Nikolla Poposkin, i cili është kryetari i Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian të Maqedonisë, si dhe ministrin Nikolla Dimitrov, për të organizuar dhe zhvilluar një debat të tillë këtu. Për ne zëri i Maqedonisë ka peshë dhe rëndësi: ju jeni tashmë në familjen europiane.

Cila është porosia juaj në prag të referendumit të ardhshëm?

Ky referendum është një moment kyç, me një peshë tejet të rëndësishme historike për vendin tuaj. Ai do të përdëftojë dhe përcaktojë mundësinë e përfshirjes së qytetarëve në ndërtimin e një hapësire të debatit demokratik, si dhe kapacitetin e shumicës dhe të opozitës për të rënë në ujdi mbi interesin kombëtar, por edhe mbi interesin europian. Vetëm pak kohë më parë, një grup deputetësh francezë nga të gjitha partitë politike, botoi një letër të hapur në mbështetje të integrimit europian të Maqedonisë. Kjo është një shenjë e mirë dhe një dëshmi se vendi reflekton një imazh më pozitiv dhe më të favorshëm. Megjithatë, e tërë kjo duhet të konfirmohet nga një axhendë e vërtetë e reformave, si dhe nga një ndryshim i sjelljes. Ka ende shumë korrupsion dhe "kapje" të shtetit për shkak të interesave të veçanta personale. Por, sidoqoftë ne duhet të inkurajojmë dhe t`i ndihmojmë ndryshimet.


Çfarë do të bëni më konkretisht në Paris, për të çuar përpara bashkëpunimin mes dy vendeve?

Kam takime me Sindikatën e Sipërmarrësve francezë (MEDEF) për të inkurajuar dhe nxitur interesin e tyre për vendin, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë, transportit dhe ndërtimit, në vazhdën e vizitës që kishte edhe kryetari i qytetit të Shkupit në prill të këtij viti. Do të takohem edhe me deputetët më me ndikim në dosjen (çështjen) europiane, për t’u kërkuar atyre që të na japin mjete dhe fonde të nevojshme për zbatimin e bashkëpunimit , si një lloj ndihmese në zbatimin e reformave. Do t’u rrëfej autoriteteve të mia se pritet nga ne që të jemi partner kërkues, por njëkohësisht edhe të pranishëm dhe dashamirës. Do t`u them gjithashtu se jam optimist për gatishmërinë dhe vullnetin e popullit të Maqedonisë për t’u angazhuar dhe përfshirë plotësisht në rrugën europiane dhe për të tejkaluer "inatet" në shërbim të së ardhmes.

publie le 24/08/2018

hautdepage