Intervistë për MIA : Mishel Larri - Sharlis, drejtoreshë e Bordosë Metropolitane 2050 [fr] [mk]

Ajo flet për përshtypjet e saj nga Shkupi, pas katër vizitave të saja, por edhe për përvojën në zgjidhjen e problemeve me trafikun e rënduar, ndotjen, urbanizimin e Bordosë, qytet ky me 800.000 banorë, i cili vizitohet nga rreth shtatë milionë turistë.

Shkup, më 30 nëntor 2018 (МIA) – Mishel Larri-Sharlis është doktoreshë e Filozofisë në Universitetin e Sorbonës në Paris, dhe konsiderohet si njëra nga ekspertet me përvojë shumëvjeçare në administratën lokale të Bordosë, veçanërisht në fushën e planifikimit dhe urbanizimit. Ka qenë zëvendës-drejtore në zyrën e kryetarit të komunës (kryebashkiakut) Alen Zhype nga viti1995 e deri në vitin 2000, dhe më pas këshilltare e tij e posaçme për urbanizëm (2000-2002). Është në mandatin e dytë (2007 - 2006, dhe nga 2017 -) në cilësinë e drejtoreshës së përgjithshme të planifikimit për qytetin e Bordosë, dhe që nga viti 2018 është drejtoreshë e Bordosë Metropolitane 2050.

Këto ditë, në cilësinë e një eksperteje franceze, ajo mori pjesë në seminarin njëditor "Shkupi përballë sfidave mjedisore", i organizuar nga Instituti Francez në Shkup. Tema që u trajtua kishte të bënte me problemet e qytetit të Shkupit, i cili si kryeqytet vuan nga problemet e zakonshme të qyteteve të mëdha: ndotje e theksuar në dimër, trafik i rënduar, lulëzimi i ndërtesave të reja, zgjerimi i qytetit, prania e pamjaftueshme e burimeve të rinovueshme të energjisë, respektivisht se sit ë ndërtohet qyteti i së ardhmes.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve MIA, ajo flet për përshtypjet e saj nga Shkupi, pas katër vizitave të saja, por edhe për përvojën në zgjidhjen e problemeve me trafikun e rënduar, ndotjen, urbanizimin e Bordosë, qytet ky me 800.000 banorë, i cili vizitohet nga rreth shtatë milionë turistë, dhe i cili rangohet si qyteti i parë në Francë, për nga numri i biçikletave.

JPEG

Jeni drejtoreshë e Bordosë Metropolitane 2050. Na tregoni më shumë rreth problemeve të qytetit me ndotjen, trafikun e rënduar, si dhe si i zgjidhni këto probleme?
- Ne kemi krijuar një regjim të tillë të trafikut, që i krijon shumë vështirësi veturave që të kalojnë nëpër qendrën e qytetit, e që i detyron ata që ta shmangin atë, duke kaluar nëpër qarkore, ndërsa linjat e tramvajit kalojnë nëpër qendër të Bordosë. Ne kemi krijuar hapësira publike që janë të hapura për tarraca të kafeneve, për të gjithë ata që përdorin biçikletë, ose që preferojnë ecjen. Në njëfarë mënyre, ne ua kthyem qytetin qytetarëve.
Në lidhje me tramvajin, momentalisht funksionojnë tre linja, të gjitha të ndërtuara në vitin 2003, gjersa linja e katërt do të jetë gati në vitin 2019. Sot kemi 77 km linjë tramvajesh.
E dini, është mjaft e vështirë politikisht të ndërtohet një linjë tramvaji, por gjithnjë është e mundur. Në Bordo, linjat e tramvajit kryqëzohen në qendër. Në fillim, të gjithë ata që kishin dyqane në qendër kundërshtuan, sepse mendonin se do të ulej fitimi i tyre. Por sot, janë pikërisht ata, që e duan tramvajin më shumë, sepse me hapësirat e hapura publike, transporti me tramvaj u ka sjellë shumë njerëz dhe fitimi i tyre është rritur.
Transporti publik i qytetit gjithashtu përbëhet nga linjat e autobusëve, që nuk kalojnë aty ku ka linja tramvaji, por janë në shërbim në pjesën periferike, duke pasur dy lloje linjash - linja të rregullta dhe autobusë që ndalen në 2-3 km. Aty ofrohen biçikleta me qira dhe trotinet elektrik, por ka në shërbim edhe transport me traget, i cili qarkullon me rrymë elektrike. Biçikletat janë shumë të popullarizuara në Bordo, andaj qyteti rangohet në vendin e gjashtë në botë, për nga numri i biçikletave dhe në vendin e parë në Francë.

JPEG

Çfarë përfaqëson Bordoja Metropolitane 2050?
- Është një projekt që nuk ka fillim dhe që ofron një perspektivë. Bordo ka arritur një cilësi të jetës në një nivel të lakmueshëm. Qyteti u klasifikua sipas Holiday Planet si destinacioni i parë turistik në botë. Por e gjithë kjo ka sakrificën e vet. Sot çmimi i pasurive të paluajtshme këtu është shumë i lartë, nuk ka trafik në qendër, por ka tmerrësisht shumë në rrethinë, e kësisoj suksesi është kurorëzuar me turistë të shumtë. Pra, tani po punojmë për të ulur çmimet e pasurive të paluajtshme dhe për të përmirësuar këtë trafik të tmerrshëm në rrethinën e Bordosë, si dhe për të kapërcyer "ngarkesën e ngushtë" me turmat e turistëve në qendër të qytetit.

JPEG

Çfarë vizioni ngërthen në vete plani Bordo Metropol 2050? Si duhet të duket qyteti në tridhjetë vitet e ardhshme?
Në vitin 1995, kur Alen Zhype u bë kryebashkiak i qytetit të Bordosë, ai i`u prezantoi qytetarëve një plan urbanistik. Atë plan e kemi realizuar, por tani duhet të kalojmë në një projekt të ri. Punojmë më se një vit në një projekt, për të cilin flasim me të gjithë – me shkollat, qytetarët, komunitetin e biznesit ... dhe nga të gjitha propozimet do të krijojë një tërësi. Ideja është që jeta në qytetin e Bordosë të vazhdojë të jetë e këndshme ashtu sikurse tani, e për të arritur këtë duhet të ndryshojmë gjërat menjëherë. Njëkohësisht, përmes këtij konsultimi të gjerë me publikun, është e nevojshme që menjëherë të ndikohet në politikat publike, që do të aplikohen në qytet, në mënyrë që të përmirësohen politikat publike. Duhet theksuar se në këtë proces të kërkimeve të pikëpamjeve të qytetarëve, kemi 120 partnerë nga kompanitë, universitetet dhe subjekte të tjera të ndryshme, si dhe 30.000 individë, të cilët marrin pjesë në demokracinë pjesëmarrëse. E gjithë kjo në sajë të internetit dhe rrjeteve sociale. Të rinjtë janë të përfshirë në këtë proces, përmes një aplikacioni të veçantë i quajtur "lojëra serioze" që ka për qëllim pikërisht t`i tërheqë dhe t`i integrojë ata. Të rinjve këtu në Francë, sot nuk mund t`ua zgjoni kërshërinë me asgjë, ndërsa ne një përqindje të madhe të atyre që i konsultojmë me atë anketë, rreth 50 deri 60 për qind janë nën moshën 45 vjeçare, e që është sukses i madh për ne. Kjo është diçka që është unike për Bordonë dhe për të cilën janë të interesuara shumë qytete.

Çfarë zgjidhje trafiku keni parasysh për Bordonë 2050?
Në fushën e trafikut mendohet për shumë gjëra, si ndërtimi i një linje të metrosë, përdorimi i trenave me frekuencë të lartë qarkullimi, pa shoferë dhe teleferik për të kaluar lumin nga njëri breg në tjetrin. Metroja është një zgjedhje e mirë, për distance më të largëta, sepse mundëson që të arrihet më shpejtë në destinacionin e kërkuar, si dhe transporton më shumë pasagjerë, por edhe kostoja financiare nuk është shumë e lartë, krahas tramvajit, i cili është më i ngadaltë, si dhe ka kapacitet më të vogël transportues. Tramvaj si një mjet transporti në qendër të qytetit është i shkëlqyer, por mund të ketë sukses vetëm nëse nuk ka automjete. Nëse ka automjete, ai mund të dështojë.

JPEG

Theksuat se keni një problem me turizmin në rritje. Sa turistë në nivel vjetor vizitojnë Bordonë?
- Çdo vit, më se shtatë milionë turistë vizitojnë Bordonë, të cilët qëndrojnë në qendër të qytetit, ndërsa në pjesën qendrore ka 250,000 banorë. Shumë nga banesat jepen me qira, sikurse lloji i Ar Bi End Bi, ashtu si në Barcelonë apo Amsterdam, ku njerëzit shkojnë për të jetuar diku tjetër.

Kishit mundësi të vizitoni Shkupin në katër raste. Cilat janë përshtypjet e juaja dhe çfarë i duhet qytetit për të zgjidhur problemin me ndotjen?
- Për t’u përballur me problemet e qytetit, është e nevojshme para së gjithash të njohësh territorin. Të zgjedhurit e qytetit shpesh mendojnë se e njohin terrenin, por nuk ndodh gjithmonë kështu. Vetëm pasi ta njihni terrenin, mund të ndërtoni një vizion dhe në bazë të asaj, të krijoni politika, të cilat do të zbatohen më tutje. Vetëm mbi këtë bazë mund të krijoni një projekt. Më pas, hapi tjetër është ë administrata ta zbatojë në mënyrë efektive atë projekt, e kjo nuk është e lehtë. Është gjithashtu e rëndësishme të dëgjohet zëri i qytetarëve për vizionin e zhvillimit të qytetit, të cilën e ka një kryetar komune apo një kryebashkiak, në mënyrë që qytetari të krijojë ndjenjën se bëhet fjalë për të ardhmen e tij dhe se mund të ketë një të ardhme në atë qytet. Nuk mund të flas për Shkupin, sepse nuk e njoh mirë qytetin, por nuk mendoj se këtu ka mjaft traditë në konsultimin e qytetarëve.
Sidoqoftë, për çdo rast nevojitet kohë. Gjërat nuk mund të ndryshohen nga sot për nesër. Bëhet fjalë për një periudhë më të gjatë kohore. Nevojitet një brez, që të mund të ndryshojë qytetin. Nuk mund të ndryshohet gjendja për katër vite, është e pamundur, sepse mandati i kryetarit të komunës (kryebashkiakut) është mjaft i shkurtër. Ndryshimet mund të ndodhin në një interval kohor prej 15 vjetësh. Problemi qëndron aty se përderisa është kryebashkiak një person i caktuar, gjithçka është në rregull, por kur të vijë tjetri, ekziston rreziku i mohimit të të gjitha politikave, që i ka bërë paraardhësi I tij, dhe ky është në thelb problemi. Kryetari i ardhshëm duhet të vazhdojë, atë që është bërë paraprakisht nga paraardhësi i tij.

JPEG

Përqindja më e madhe e ndotjes së ajrit në Shkup vjen nga ngrohja e shtëpive. Si është i zgjidhur ky problem në Bordo?
- Në Francë, ngrohja e shtëpive bëhet me energji elektrike, e cila është energji e pastër, respektivisht, me origjinë bërthamore.

Cilat zgjidhje i duhen Shkupit në lidhje me qarkullimin dhe trafikun?
- Duhet absolutisht të gjendet një sistem për të parandaluar që automjetet të vijnë në qendër të qytetit dhe të zhvillohet transporti publik, që njerëzit të mund ta shfrytëzojnë. Kjo është ajo që ne bëmë në qytetin e Bordosë. Qendra e Bordosë është e destinuar ekskluzivisht vetëm për këmbësorët, ndërsa aty ku kalojnë linjat e tramvajit, nuk ka qarkullim të makinave (veturave). Kjo nuk është një zgjidhje kundër makinave, por kundër makinave të vjetra që përdorin lëndë djegëse fosile.

Për momentin, në qytet, administrata lokale përdor automjetet elektrike, por ato përdoren shumë pak, përkundër disa subvencioneve që jepen, kryesisht për shkak të kostos së lartë. Por çmimi në 10 vitet e ardhshme do të zvogëlohet në mënyrë drastike, dhe atëherë pritet që të na pushtojnë makinat e lira elektrike nga Kina. Në çdo rast, edhe makinat elektrike ndotin, sepse vetë bateritë janë burim ndotjeje.

A keni një model qyteti, i cili ju magjeps?
- Lioni është një qytet me zgjidhje të shkëlqyeshme, pastaj Bazeli në Zvicër, ku ata kanë hedhur plotësisht automjetet, e njerëzit përdorin vetëm transportin publik. Ajo që e dallon Lionin është se për 30 deri 40 vjet, pavarësisht se kush është kryetari i bashkisë atje, e deri më tani janë ndryshuar katër kryebashkiakë, ata vazhdojnë me të njëjtën politikë. Ekziston gjithashtu edhe një administratë e shkëlqyer me kulturë të lartë, në aspektin e zbatimit të projekteve, pastaj inxhinierë të kualifikuar që janë në shërbim të asaj administrate.

JPEG

Cili është vizioni i qyteteve të së ardhmes?
- Sfida e parë është lëvizshmëria e njerëzve. Sfida e dytë është të dimë se si t’i përdorim me zgjuarsi teknologjitë e reja. Në fakt, ne do të hyjmë në një shoqëri në të cilën, do të kenë përparësi zakonet dhe nevojat e qytetarëve, e jo oferta, do të jenë të dobishme. (Shembull këtu është sistemi i quajtur "makinat bla-bla", që përdoret në Francë, përmes të cilit mund të përdorni makinën e dikujt tjetër për të shkuar diku ose koncepte të tjera.) Pra, ne jemi në fazën e tranzicionit në një shoqëri të bazuar në nevojat e qytetarëve, me atë që duhet t`i ndihmohet në ndonjë mënyrë kompanive të mëdha dhe politikanëve, që të mund të vetëdijesohen për këtë. Në këtë drejtim autoritetet e qytetit duhet të japin mbështetje për kompanitë e mëdha, t’i shoqërojnë ata në atë proces të transformimit dhe t’i përshtatin administratat e tyre në atë drejtim. Është një proces që nuk do të jetë i lehtë.

JPEG

publie le 03/12/2018

hautdepage