Intervista e ambasadorit për MIA [fr] [mk]

I pyetur nga Agjencia Informative Mediatike “MIA”, fill pas takimit joformal të udhëheqësve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Berlin të hënën, më 29 prill, ambasadori i përgjigjet pyetjeve në lidhje me strategjinë franceze, të shpalosur nga presidenti i Republikës së Francës, si dhe pyetjeve që ndërlidhen me situatën aktuale politike, përmes prizmit të zbatimit të Marrëveshjes së Prespës dhe rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, të cilat do të mbahen më 5 maj.

JPEG

1. Franca doli me një Strategji për Ballkanin Perëndimor? Cila është risia, domethënë, cili është mesazhi kyç, i cili tangon vendet e Ballkanit Perëndimor?

Kjo strategji dëshmon angazhimin tonë në nivelin më të lartë, për të mbështetur rrugën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ajo bazohet në pritjet e njerëzve që jetojnë në këtë rajon, për të parë përparim të vërtetë në fushën e reformave dhe në atë të sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës. Por, ajo është gjithashtu e bazuar edhe në pritjet tona, për të parë materializimin e përparimit, konkretizimin dhe konfirmimin në praktikë. Mbështetja për reformën e sistemit të drejtësisë dhe në përgjithësi, zbatimi i standardeve evropiane në fushën e administratës, do të jetë një kontribut konkret në rrugën tuaj evropiane. Fushat janë të identifikuara qartë dhe angazhimet tona do të shkojnë në drejtim të mbështetjes dhe plotësimit të aktiviteteve tashmë të realizuara brenda BE-së dhe institucioneve të tjera shumëpalëshe. Bëhet fjalë për mobilizimin e përpjekjeve tona rreth mundësive të bashkëpunimit konkret, që do të mbështeten nga Agjencia Franceze për Zhvillim. E k angazhim tashmë ka filluar të orientohet në drejtime të caktuara, të cilat mund të mbulojnë fushën e ekologjisë, cilësinë e ajrit dhe mjedisin jetësor.

2. Është përshëndetur dhe lavdëruar Maqedonia, për përparimin e saj, veçanërisht në zgjidhjen e mosmarrëveshjes, që datonte gjatë kohë, me Greqinë, duke u konsideruar si elementi i vetëm pozitiv në Ballkan. A do të ndikojë ky përparim në fillimin e negociatave me BE-në?

Përshëndesim përpjekjet që janë shembullorë e që ndërlidhen me procesin e pajtimit, e të cilat janë kryer me guximin dhe vendosmërinë e nevojshme nga ana e autoriteteve të vendit, veçanërisht që nga viti 2016 e tutje. Këto përpjekje duhet të vazhdojnë edhe më tej. Në këtë mënyrë, Maqedonia e Veriut dhe i gjithë rajoni do të marrin vendin e premtuar, në kuadër të një ndërtimi evropian të ripërtërirë dhe rimëkëmbur, për të cilin Franca është veçanërisht e përkushtuar. Megjithatë, gjithnjë ka qenë qartë e potencuar nga ana jonë, se përparimi i vërtetë mund të kundrohet dhe konstatohet përmes kritereve të sundimit të ligjit (shtetit të së drejtës) dhe se në fakt, kjo do të jetë baza për hapjen e negociatave.

3. Si e vlerësoni rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale dhe cilat janë pritjet tuaja nga rrethi i dytë vijues?

Rrethi i parë i zgjedhjeve kaloi në një klimë të qetë, me tre kandidatë, që demonstruan cilësi të lartë. Që të tre shprehën vullnetin e tyre për të avancuar sundimin e ligjit, shtetin e së drejtës dhe konsolidimin e shtetit. Presim që qytetarët të kontribuojnë në këtë konsolidim përmes aktit më themelor qytetar, e ai është dalja dhe votimi në rrethin e dytë, gjegjësisht të dëshmojnë se kanë qenë të pranishëm në votim. Për ne, kjo do të jetë një inkurajim i madh për t’ju ndihmuar në rrugën tuaj evropiane. Shtetësia është baza e vlerave në Evropë, aty ku keni aspirata të hyni. Presim të arrijë një mesazh i tillë si në Paris, por një porosi e tillë pritet edhe në kryeqytetet tjera.

publie le 01/05/2019

hautdepage