Intervista e ambasadorit për Agjencinë Informative Mediatike “MIA” [fr] [mk]

Në intervistën e tij të parë, ambasadori iu përgjigj pyetjeve të parashtruara nga Agjencia Informative Mediatike “MIA”. Franca mbështet përpjekjet e ndërmarra nga Maqedonia e Veriut në rrugën drejt integrimit evropian. Çështjet që nuk kanë gjetur zgjidhje me fqinjin e saj duhet të zgjidhen në frymën evropiane. Takimi i ministrave evropianë më 17 nëntor nuk shënon fundin e procesit.

1. Në fjalimin e tij gjatë Samitit onlajn të Ballkanit Perëndimor në Sofje, presidenti Makron riafirmoi mbështetjen e Francës për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe u zotua për mbështetje të pjesës, që ka të bëjë me përpjekjet për reforma dhe mosmarrëveshje. Jemi dëshmitarë të një mosmarrëveshjeje të re të shfaqur në skenë, që kërcënon të bllokojë proceset eurointegruese në rajon - vetoja (ose cili do të jetë vendimi i GAK-ut nesër) e Bullgarisë ndaj vendit tonë. Si i shihni qëndrimet e Sofjes me kushtëzimin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut për pranim të rrënjëve bullgare të identitetit dhe gjuhës - kërkesa këto jo parimore që shkelin të drejtën e vendit për vetëvendosje?

-  Çështjet që lidhen me identitetin dhe gjuhën janë gjithmonë komplekse dhe të ndjeshme, si këtu në Ballkanin Perëndimor, ashtu edhe në Bashkimin Evropian. Kjo është arsyeja për të cilën qasja e presidencës gjermane në Këshillin e BE-së na duket tejet e rëndësishme: të përballur me mospajtimet midis dy vendeve fqinje, të përqendrohemi në pikat që krijojnë tension dhe për të cilat është e mundur arritja e kompromisit në një periudhë afatshkurtër, ndërkaq në aspektin e pyetjeve përmbajtësore, veçanërisht ato që lidhen me interpretimin historik, duhet avancuar punën e trupave të specializuara, të parashikuara në Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë të vitit 2017.

JPEG

2. Çfarë do të ndodhë më tutje me integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, vallë a po na përsëritet skenari grek?

-  Procesi nuk përfundoi në takimin e ministrave për çështje evropiane, të mbajtur të martën. Institucionet evropiane si dhe vendet anëtare mbeten të mobilizuara, ndërsa në afat të shkurtër, presidenca gjermane do të përpiqet të shfrytëzojë kohën në mënyrën më të mirë të mundshme, të mbetur deri në Këshillin Evropian të radhës më 10 dhe 11 dhjetor, për të zgjidhur situatën, duke vazhduar në rrjedhën e njëjtë. Deri atëherë, do të mbahet një Këshill tjetër i Ministrave. Franca i mbështet plotësisht këto përpjekje që duhet të vazhdojnë, të inkurajohen dhe të lehtësohen! Këtë vit, krerët e shteteve dhe qeverive evropiane ranë dakord mbi një metodologji të re të integrimit; arritën konsensus në lidhje me hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut pa asnjë kusht, si dhe me Shqipërinë; e krejt në fund, Komisioni Evropian në raportin e tij të fundit, përshëndeti përparimin e dukshëm, të cilën e ka bërë vendi duke u përgatitur për atë hap. E gjithë kjo është shumë e rëndësishme dhe asgjë nga kjo nuk ka humbur. E nëse me nocionin "skenar grek" nënkuptoni bllokadën afatgjatë, ne nuk konsiderojmë që po përsëritet apo po ndodh kjo gjë, e mbi të gjitha ne nuk e dëshirojmë një gjë të tillë!

JPEG

3. Çfarë do të thotë kjo bllokadë për mbarë procesin e zgjerimit të Bashkimit?

-  Në asnjë rast nuk bëhet fjalë për ndalim të politikës së zgjerimit. Përcaktimi evropian i vendeve të Ballkanit Perëndimor mbetet i plotë. Por, ndërtimi evropian nuk është një lumë i gjatë i patrazuar; e gjithë historia e ndërtimit shënohet nga suksese, kriza dhe kompromise. Shpejtësia me të cilën u arrit konsensusi mbi metodologjinë e re për integrimin evropian dëshmon se kjo reformë ishte e nevojshme dhe e domosdoshme. Tani e tutje, procesi do të jetë më dinamik dhe më thelbësor; ose me një fjalë - do të jetë më i besueshëm. Me të do të promovohen reforma reale dhe thelbësore, të cilat, pasi të miratohen, do të fillojnë edhe të zbatohen dhe do të japin rezultate, të cilat i pret Bashkimi, e veçanërisht qytetarët. Kjo kornizë e re do të zbatohet tani e tutje për vendet që negociojnë për anëtarësim, ndërkaq Maqedonia e Veriut duhet të jetë një nga të parat, ndaj të cilës do të zbatohet e njëjta. E them këtë për të theksuar rëndësinë e sfidave.

4. A është vallë heshtja e disa prej vendeve anëtare të BE-së rreth bllokimit bullgar një mbështetje e heshtur për zgjatjen apo shtyrjen e procesit të zgjerimit?

JPEG

- Për një keqkuptim dypalësh, të tillë si ky, midis një shteti anëtar dhe një vendi kandidat, është shumë e rëndësishme të bisedohet, por e tërë kjo duhet të bëhet me një masë të caktuar. Dialogu midis palëve duhet të zhvillohet me një dozë diskrecioni. Përndryshe, diplomacia publike rrezikon ose të minohet ose të bëhet kundër-produktive. Gjëja më e rëndësishme është të qenit efikas, të punohet, por pa pasur nevojë për trumbetim . E në çdo rast, Franca dëshiron të ketë dialog fitimprurës.

5. A ka ndonjë mundësi për ndërmjetësim francez në kapërcimin e keqkuptimeve maqedono-bullgare

- Secili duhet të jetë në rolin e vet. Nuk mund të jetë qëllim apo mëtim i yni kërkimi për protagonizëm. Do të ishte më e thjeshtë dhe ndoshta më efektive të shihet, se si të jepet një kontribut i dobishëm brenda përpjekjes kolektive, të bërë së pari nga vetë palët e interesuara dhe pastaj nga institucionet legjitime. Dhe do ta theksoj sërish, se një përpjekje e tillë është në rrjedhë e sipër dhe do të vazhdojë edhe më tej.

6. Njërin nga argumentet, që po e përdor Bullgaria, janë rezultatet e pamjaftueshme të Komisionit të Përbashkët për Çështje Historike dhe Arsimore. Franca dhe Gjermania kanë përvojë në kapërcimin e mosmarrëveshjeve, me nënshkrimin e Traktatit të Miqësisë, të vitit 1963, të njohur si Traktati i Elizesë, i cili dha një kontribut të rëndësishëm në pajtimin historik midis dy vendeve. Cilët janë mësimet për ne nga përvoja juaj?

JPEG

- Më duket ishte arritur në një marrëveshje të caktuar në radhët e komisionit të përbashkët për personalitete të caktuara ose për periudha të caktuara të historisë së përbashkët. A mjafton kjo? Me siguri që jo. A është e papërfillshme? Nuk e besoj! Por kjo e dëshmoi pikërisht të kundërtën, që duke bashkuar diturinë dhe vullnetin e mirë, është e mundur arritja në një mirëkuptim të përbashkët. Duhet të vazhdohet nëpër atë rrugë, me vendosmëri, në mënyrë të vazhdueshme, metodike dhe me durim, duke e ditur se bëhet fjalë për çështje në distanca të gjata. Historia e përbashkët që kemi me Gjermaninë, në të vërtetë mund të jetë një burim i mirë frymëzimi. Koha është një dimension thelbësor. Projekti i Observatoriumit për mësimdhënien e lëndës së historisë, që diskutohet në Këshillin e Evropës, është gjithashtu një projekt i rëndësishëm në këtë drejtim, të cilin Franca e mbështet në mënyrë aktive.

Dhe për në fund, gjatë kryerjes së misionit tim këtu në Maqedoninë e Veriut, e ndjej zhgënjimin dhe dekurajimin, madje edhe dhembjen momentale. Në këto kohëra, është njerëzore të duam të godasim tryezat, të themi se "çka është tepër, tepër është". Është njerëzore dhe nuk është e vështirë. Është e vështirë dhe nevojitet guxim që të ruhet dialogu i mirë, duke kultivuar ndjenjën e durimit dhe gjakftohtësisë në emër të qëllimeve më të larta. Duhet të kihet durim, sepse bëhet fjalë për interesa kombëtare dhe para nesh qëndron e ardhmja evropiane. Ky moment i vështirë më ndihmoi ta vërej ndjenjën e thellë të përgjegjësisë, e nëse doni edhe frymën e vërtetë evropiane. E kjo krijon kapital politik dhe na jep arsye për të shpresuar.

publie le 20/11/2020

hautdepage