Intervista e ambasadorit dhënë për të përmuajshmen "Zaman" [fr] [mk]

Në intervistën e tij, dhënë për të përmuajshmen "Zaman", ambasadori flet për çështjet aktuale që kanë të bëjnë me fushatën e kandidatëve midis dy raundeve të zgjedhjeve presidenciale, mandej për perspektivat evropiane dhe atlantike të Maqedonisë së Veriut, si dhe për veprimtaritë ndërkombëtare të Francës, në fushën e të drejtave të njeriut.

Ai falënderon gjithashtu autoritetet politike dhe fetare të Maqedonisë së Veriut, si dhe shoqërinë civile, për ngushëllimet dhe mishërimin, të shprehur gjatë zjarrit që kaploi dhe shkatërroi katedralen Notre-Dame (Katedralen e Shën Mërisë) në Paris.

JPEG

1. Fillimisht, lejoni që t`Ju shprehim keqardhje të thellë për zjarrin që kaploi Katedralen e Shën Mërisë në Paris (Katedralen Notre-Dame), e cila mbase është një thesar i përbashkët i mbarë botës, si dhe ka një rëndësi të madhe në zemrat e popullit francez. Për fillim, dua t’ju pyes se, çfarë ndjeni për fushatën e mbledhjes së fondeve të popullit francez, për të rimëkëmbur katedralen?

Ndjesia dhe mishërimi, që u shprehën me këtë rast nga ana e autoriteteve maqedonase, partive politike, nga shumica e përfaqësuesve të komuniteteve fetare dhe shoqërisë civile ishin me të vërtetë ngushëlluese dhe lehtësuese. Në një botë të ndarë prej antagonizmave dhe egoizmave, ku vet jemi dëshmitarë të shtrembërimit të mendimeve fetare ndaj dhunës dhe jotolerancës, është mirë të mbeten simbolet që bashkojnë të gjithë ata, që besojnë në bukurinë, por edhe në fuqinë e njerëzve, për të ndërtuar objekte të cilat janë të përbashkëta, që i kushtohen lutjeve dhe shpirtërores. Emocioni kur një objekt i tillë shkatërrohet ose dëmtohet, është pozitiv dhe nuk është i kufizuar vetëm në katedralen Notre-Dame (shq. Katedralja e Shën Mërisë): shkatërrimi i xhamive në Banja Llukë dhe në Alepo shkaktoi tek ne shfaqjen e protestës dhe zemërimit (indinjatës), posaçërisht sepse atëherë ajo nuk ndodhi rastësisht, por ishte shkaktuar nga ligësia. Por, madhështia e njeriut qëndron në aftësinë e tij për të ripërtërirë dhe rimëkëmbur, e në këtë drejtim ne përpiqemi dhe shestojmë, që të dëshmojmë se jemi të denjë ndaj stërgjyshërve, gjegjësisht paraardhësve tanë ndërtues.

2. Maqedonia e Veriut është në prag të rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale. Në raundin e parë, kandidati i mbështetur nga LSDM-ja qeveritare kishte një përparësi të ngushtë. Si e vlerësoni situatën aktuale politike në vend?

Është shumë me rëndësi, që të zgjidhet një president më 5 maj: kjo do të dëshmojë se vendi ka dalë nga kriza institucionale dhe me siguri që do të inkurajojë fillimin e negociatave të pranimit, herët ose vonë, varësisht nga vlerësimi që do t`i bëhet ecurisë së reformave. Vendi gjithashtu ka nevojë për një personalitet që ta përfaqësojë atë ndërkombëtarisht, në një periudhë vendimtare të historisë së tij. Si mund ndryshe të integrohet në Evropë, madje edhe në NATO, një shtet që normalisht nuk mund të zgjedh dhe caktojë udhëheqësin e vet, komandantin e forcave të armatosura? Gjithsecili duhet ta parashtrojë këtë pyetje të thjeshtë.

3. Me sa duket, votat shqiptare të Blerim Rekës, do të jenë faktori vendimtar në rrethin e dytë. Çfarë mendoni, cili do të jetë ndikimi i 80 mijë votave të z. Reka?

Fushata e prorektorit Reka dha një përshtypje të nivelit të lartë intelektual, rreth nocionit të Republikës. Shpresoj që votuesit e tij, në vend që thjesht të shprehin përkatësinë e tyre ndaj bashkësisë, të demonstrojnë në raundin e dytë, nëpërmjet pjesëmarrjes së tyre, lidhjen e tyre me shtetin, si një e mirë e përbashkët. Përtej zgjedhjes politike midis dy kandidatëve, prania e tyre do të japë peshë të vërtetë në drejtim të konsolidimit të stabilitetit të vendit.

4. Nëse pjesëmarrja është nën 40% e detyrueshëm, edhe pse gjasat janë shumë të vogla, sipas Jush, cila rrugë duhet të ndiqet për të zgjedhur babanë e kombit?

Komisioni i Venedikut, njëri nga organet më të respektuara evropiane në fushën e së drejtës kushtetuese, një kohë të gjatë ka avokuar për zvogëlimin ose heqjen e pragut të pjesëmarrjes.

5. Opozita maqedonase thekson se, nëse kandidati i saj zgjidhet president, atëherë ai/ajo do të shqyrtojë Marrëveshjen e Prespës për ndryshimin e emrit dhe do të kthejë procesin nga fillimi. A mund të kemi një rishikim të marrëveshjes për ndryshimin e emrit? A mundet, që një akt i tillë, të çaktivizojë të gjitha proceset e integrimit evropian? Sipas Jush, a ka mundësi për një gjë të tillë?

Tanimë marrëveshja ekziston dhe është një realitet në të drejtën ndërkombëtare. Unë e shoh që të gjithë kandidatët këmbëngulin, se janë të gatshëm që të respektojnë ligjin. Kështu unë e kuptoj këtë. Dhe Franca e mbështet marrëveshjen. Sipas presidentit Makron, ajo është e mirë për ju, për rajonin dhe për Evropën.

6. Një numër i madh i shteteve anëtare të NATO-s, kanë ratifikuar protokollin e anëtarësimit të R. së Maqedonisë së V. në Aleancë. Kur presim që Franca ta bëjë këtë ?

Procedurat janë në vijim e sipër dhe parlamenti ynë pritet ta ratifikojë atë deri në fund të vitit. Në fakt, është e rëndësishme që ky ratifikim të bëhet në një frymë që dëshmon fuqinë e Aleancës. Do të ishte kundërproduktive përzierja e këtij akti simbolik me mendime të tjera të kufizuara: nuk besoj se do të ketë vonesa në Francë apo në vende të tjera, të gjitha vendet janë në pritje të flamurit të tridhjetë në Bruksel!

7. Ka zëra që thonë, se BE-ja nuk do të jap rekomandim për Maqedoninë e Veriut, për shkak të mossuksesit të zbatimit të reformave ligjore. Çfarë mendoni, cila është mundësia për një gjë të tillë?

Raporti i Komisionit pritet deri në fund të muajit maj. Ka me të vërtetë disa pika, të cilat duhet të realizohen sipas udhëzimeve dhe pritjeve dhe në veçanti kjo ka të bëjë me zbatimin në praktikë, të teksteve që votohen.

8. Reformat e gjyqësorit mbeten elementi më kritik, e nga ana tjetër duket se institucionet vendore nuk kanë kapacitet për të përmbushur detyrimet që dalin nga BE-ja. Sipas Jush, si mund ta ndihmojë BE-ja Maqedoninë e Veriut, që ajo të përmbushë kriteret dhe të fillojë negociatat?

Ka akoma shumë punë për shtetin, që ai të fitojë kapacitetin negociues. Ashtu siç i premtoi kryetari Makron kryeministrit Zaev, ne do të punojmë në drejtim të saj në mënyrë diskrete dhe me durim. Eksperti ynë francez, në zyrën e zëvendëskryeministrit përgjegjës për çështjet evropiane, z. Bujar Osmani, do të organizojë pesë takime të nivelit të lartë në gjysmën e parë të vitit, me qëllim përgatitjen e këtij procesi në lidhje me trajnimin e zyrtarëve të lartë, informatizimin, si dhe koordinimin e shërbimeve shtetërore dhe ministrive. Po i mobilizojmë elementet më të mira këshilluese, si në Francë, ashtu edhe në nivelin e Bashkimit, në favor të kësaj qasjeje dhe përçapjeje. Qasja jonë nuk është të fillojmë negociatat vetëm sa për të thënë se ata kanë filluar, pra sa për sy e faqe, por për ta bërë atë të dobishme dhe metodike. E shohim Ballkanin Perëndimor dhe Maqedoninë e Veriut brenda një Bashkimi Evropian funksional. Pra, nuk duhet të jetë hapja e negociatave vetëm një premtim i kotë i burokratëve, një zhgënjim shtesë, por duhet të bëhet një realitet!

9. Prokurori Publik Special, i krijuar me ndihmën e Komunitetit Ndërkombëtar, de facto po numëron ditët e fundit. Partitë nuk mund të gjejnë një gjuhë të përbashkët për zgjatjen e mandatit të këtij institucioni. Si i komentoni zhvillimet në lidhje me punën e Prokurorisë Speciale Publike?

Asgjë nuk mund të jetë më e dëmshme, se fakti që disa privilegje ose imunitete të pamerituara të bllokojnë procesin. Duhet të vazhdojnë të bashkohen pikëpamjet, deri te një vendim përfundimtar konsensual. Një institucion i tillë është i domosdoshëm, por është gjithashtu e nevojshme të kapërcehen çështjet, që kanë të bëjnë me faktorin njerëzor, revanshizmin dhe në veçanti duhet përgatitur atë institucion, për luftën kundër korrupsionit aktual dhe të ardhshëm.

10. Si e vlerësoni pjesën tjetër të rrugës së mbetur të Maqedonisë së Veriut për në BE? Sipas jush, kur pritet që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e BE-së, nëse procesi i reformave vijon pa ndërprerje?

Datat që jepen janë pjesë e marketingut politik dhe unë nuk do të rrezikoj, sepse vetë Bashkimi Evropian duhet të vazhdojë ripërtëritjen e vet dhe të tejkalojë fazën e dhimbshme të Bregzitit (daljes së Britanisë). Një gjë është e sigurt: procesi mund të përshpejtohet ose të ngadalësohet, varësisht nga vendimi i qytetarëve. Zgjedhjet e suksesshme presidenciale do të jenë një pikë kthese e mirë!

11. Presidenti Makron deklaron se, Franca nuk do të lëshojë pe në luftën kundër politikës fetare (religjioze). Cilat janë planet e Francës në lidhje me këtë çështje, e cila është e natyrës globale?

Franca ndodhet në një situatë komplekse: shteti nuk njeh dhe nuk subvencionon asnjë fe. Liria e ndërgjegjes dhe e shprehjes është e rrënjosur fort, që nga viti 1789. Megjithatë, një Konkordat (Marrëveshje) me Kishën Katolike, e cila shtrihet në fenë hebreje dhe atë protestante, zbatohet në lindje të Francës që nga viti 1918, pas kthimit të këtyre territoreve nën sovranitetin francez, fill pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Po bëhen përpjekje vijuese për të siguruar përfaqësimin e institucioneve islame në të gjithë vendin dhe për të lehtësuar dialogun e bashkësisë së dytë të besimtarëve me autoritetet publike. Aktivitetet janë komplekse, pasi bëhet fjalë për një organizatë tejet të decentralizuar të kësaj bashkësie. Për këtë arsye duhet pasur një përçapje të matur dhe kujdes të madh. Në përgjithësi, ideja e "laicizmit të hapur" nuk e mohon faktin fetar, por i mundëson atij dhënien e kontributit në drejtim të pasurisë intelektuale, filozofike dhe kulturore të vendit, pra përfaqëson realitetin francez. Në anën tjetër, ekziston një kërkesë e përgjithshme, përveç asaj të disa ekstremistëve, që të mbahet sfera fetare jashtë ndikimit të drejtpërdrejtë politik, sidomos kur bëhet fjalë për të drejtat civile dhe individuale. Askush nuk mund t’i imponojë të tjerëve sjelljen e tij, në bazë të bindjeve të tij fetare.

12. Në vendet ku demokracia nuk zbatohet plotësisht, ka pjesë të shoqërisë mbi të cilat ushtrohet padrejtësi dhe torturë. Ka një sërë rastesh kur edhe shkelen të drejtat e njeriut? Cilat janë planet e Francës, si njëri nga vendet më të zhvilluara në Evropë, në drejtimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut të kategorisë së njerëzve të pambrojtur? Çfarë nismash ndërmerr ajo në këtë plan?

Kuptohet që Franca është tejet aktive në shkallë ndërkombëtare, në një kuadër shumëpalësh, për të hequr dënimin me vdekje. Është për ne një shenjë thelbësore e vlerave evropiane, që ngërthen prirje dhe vokacion universal dhe i bashkohet të gjitha opsioneve kryesore filozofike dhe fetare në mbarë botën rreth respektit të jetës dhe dinjitetit njerëzor. Së bashku me partnerët tanë evropianë, kemi promovuar gjithashtu miratimin e ligjit kundër diskriminimit, i cili është përfaqëson një hap të rëndësishëm për vendin, në rrugën e tij drejt Bashkimit Evropian.

Megjithatë, tema që ndërlidhet me emigrantët, na ngre një sërë pyetjesh, të cilave nuk mund t’i shmangemi dhe na detyron të ballafaqohemi me faktin, se duhet të respektojmë vlerat tona. Për çdo rast, Franca ka vendosur që të vazhdojë të respektojnë parimin e azilit politik dhe pranimin e atyre, që janë të përndjekur për shkak të bindjeve të tyre ose që ikin nga situatat e ndryshme të shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut. Franca përkujdeset që të respektohet ky parim në nivel evropian dhe mëton, në përgjithësi, që Bashkimi ynë të mbetet besnik ndaj vlerave të tij thelbësore, i përballur me tundimet e gjithëpranishme të politikës reale dhe rritjes së populizmit dhe autoritarizmit. Në këtë frymë, Franca do të marrë kryesimin e Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës në mes të majit, i cili, përtej Bashkimit, mbetet një instrument normativ i domosdoshëm. Pa sundimin e ligjit, Evropa nuk mund të ekzistojë! Ky realitet duhet të jetësohet pa reshtur dhe konkretisht, si këtu, ashtu edhe në të gjitha vendet ku është e nevojshme.

publie le 03/05/2019

hautdepage