Intervista e ambasadorit për portalin "Portalb" [fr] [mk]

I pyetur nga portali "Portalb", për qëndrimin e Francës në lidhje me perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, si dhe për procesin e reformave në fushën e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit, ambasadori iu përgjigj pyetjeve, të parashtruara nga gazetarja Elida Zylbeari.

Intervistoi: Elida Zylbeari

Pse Franca ende nuk ka një qëndrim të qartë në lidhje me datën për negociata të Bashkimit Evropian me Maqedoninë e Veriut, a është për apo kundër? Një qëndrim, i cili nuk do të jetë fjalia e mirënjohur që “e mbështet perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor”?

JPEG

“Kjo pyetje mbetet e hapur, si për Francën ashtu edhe për vendet e tjera, ende po diskutojmë.
Gjithashtu, dëshirojmë t’i lëmë edhe pak kohë RMV-së, të miratojë disa vendime dhe këtë e presim jo vetëm nga partia në pushtet, por edhe nga opozita. Ende mbetet e hapur çështja e Ligjit për Prokurorinë Speciale, si dhe problemi me mënyrën, se si vendi e trajton korrupsionin e lartë. Ligji është shumë me rëndësi, sepse ka lëndë gjyqësore, që nuk janë mbyllur, por gjithashtu në pah dolën edhe afera të reja pas skandalit të “Reket”-it, për të cilin presim hetim transparent.
Funksionimi i gjyqësorit është i dobët dhe ende nuk është çliruar nga prangat e politikës. Në vend se të koncentrohen partitë në zgjidhjen e problemeve, posaçërisht të korrupsionit, ata kërcënojnë njëra-tjetrën. Kjo na vendos neve si shtet, por dhe vendet tjera, para një realiteti, të cilit do të duhet t’i qasemi në një mënyrë më të thellë, përndryshe përcaktimi i datës do të ishte vetëm një formalitet. Andaj kur kërkojmë kohë për të vendosur për të njëjtën, kjo do të thotë se kërkojmë, që dhënia e datës të ketë përmbajtje dhe jo vetëm formë.
Të ketë përparim real, bindës dhe serioz në sferën e drejtësisë.”

Çfarë mendoni për procesin e “Vetingut” në gjyqësor si mjet të reformave në gjyqësor?

JPEG

“Çështja e “Vetingut” nuk është e lehtë dhe nuk duhet bërë sa për sy e faqe, vetëm për të kënaqur dikë në Bruksel. Nëse bëhet fjalë vetëm për proces të motivuar politikisht me tendencë të “pastrimit” të disa personave, atëherë kemi situatë shumë të rrezikshme. Duhet të kihet kujdes në atë se, jo gjithkush mund ta realizojë këtë proces.”

Pse Franca ka kaq rezerva për dhënien e datës dhe çfarë rrezikon BE-ja, nëse e jep të njëjtën?

“Bashkimin Evropian e konsiderojmë si konstrukt serioz të vlerave evropiane dhe kryetari Makron u përcaktua për vizonin e tij, për thellim të këtij ndërtimi evropian. Ne jemi të gatshëm, të përballemi me çështjen e thellimit dhe zgjerimit të tij.
Vendet e Ballkanit Perëndimor janë specifike nga aspekti sociologjik dhe historik, andaj edhe në çështjen e zgjerimit, duhet të shikojmë përmes modaliteteve adekuate, që janë specifike për këtë rajon.
Lista e reformave ende mbetet e pa përmbushur, reformat që duhej të mbaronin nuk kanë mbaruar. Për shembull, në RMV ende nuk është miratuar Ligji për Shërbimet sekrete, i cili duhej të miratohej me dy të tretat në Kuvend, ja pra, ky është vetëm një shembull.
Andaj, nuk duhet të jemi peng i logjikës, se Maqedonisë së Veriut duhet t’i jepet data si peshqesh, vetëm se ka pritur gjatë përpara dyerve të BE-së.”

JPEG

Por megjithatë RMV-ja shënoi përparim në kërkesën e BE-së për “marrëdhënie të mira fqinjësore”, ndryshoi kushtetutën dhe emrin, miratoi ligjet në fushën e drejtësisë...

“Është me rëndësi, që ligjet mos të mbeten vetëm në letër, por edhe duhet të zbatohen. Sa i përket politikës së jashtme, kryetari Makron e përshëndeti për herë të parë në historinë tonë, përmes një video porosie, arritjen e Marrëveshjes së Prespës, për të treguar se e çmojmë lartë këtë që ka bërë RMV-ja, e cila ka një rëndësi serioze.
Megjithatë, nuk duhet të shikojmë vetëm Prespën, por ajo që ndikon në dhënien e datës është funksionaliteti i sistemit tuaj, në të cilën bëjnë pjesë institucionet, miratohen ligjet, në aftësinë tuaj për të zbatuar reformat.
Ideja që mbisundon në opinion, është se rruga në të cilën është nisur Maqedonia, duhet të jetë e suksesshme dhe e shpejtë, por ideja e jonë është të gjendet rrugë efikase dhe reale në të cilën Maqedonia të ecë.
Duke pasur parasysh përvojat e mëhershme me vendet që janë bërë anëtare, mund të themi se anëtarësimi i disa vendeve, ka mundur të jetë më efikas. Në këto vende nuk ndryshuan shumë situatën as negociatat, e as anëtarësimi i tyre në BE. Kjo ndodhi, sepse edhe përkundër reformave, sistemi i tyre sërish mbetet i bllokuar nga partitë politike, si dhe nga dhjetëra familje që mbajnë peng sistemin ekonomik në vend. Ne nuk duam të pranojmë më shumë vende të këtilla në BE.
Prandaj, që integrimi i vendit tuaj të jetë real, efikas dhe efektiv dhe, që mos të mbeten ligjet në letër, ne duhet që patjetër seriozisht të vlerësojmë arritjet në këtë shtet, duke u nisur nga dhënia e datës.
Ideja e Francës është të ndërtohet sistem real politik evropian me vende, që vet kanë sisteme të fuqishme politike funksionale, e me të edhe tu bëjë ballë vendeve të tjera të fuqishme, siç janë Kina, Rusia, SHBA-ja.”

Por flasim vetëm për një datë, është vetëm fillimi i procesit, kapitujt do të hapen një nga një dhe aty mund të bëhet vlerësimi...

“Kjo logjikë më brengos, pra “logjika e toboganit”, kur një vend, që ka hipur lartë, duhet medoemos të zbret poshtë. Gjatë përvojës me vende të tjera, e pamë që, edhe pse vendi ka arritur poshtë, mekanizmat për kontroll të arritjeve të tyre, nuk kanë qenë shumë efikase. Vendi nuk i ka plotësuar të gjitha kushtet, e kjo ndodh edhe me vendet, që kanë hapur bisedimet aktualisht, ku madje ka edhe regres në disa sfera, si për shembull, liria e mediave, si dhe sundimi i ligjit.
Qeveritë sikur “lirohen” dhe thonë se pasi i hapëm bisedimet, ka kohë, do të punojmë ndër vite në këto çështje. Por kjo nuk është logjika jonë. Ne kërkojmë reformim thelbësor në gjyqësor, përparim real dhe serioz në vendet e Ballkanit Perëndimor. Siç e përmenda edhe më lartë, duam shtete me sisteme funksionale, që respektojnë vlerat evropiane.

Nëse në RMV do të miratohej një Ligj serioz i kundër korrupsionit, do të ishim bindur që verës, për dhënien e datës. Ligji ka mangësi, ka mundur të jetë më i mirë. Komisionit për Anti-korrupsion i mungojnë mjetet financiare, që të jetë mirëfilli i përforcuar, e kështu siç është, është i stërmbushur me lëndë. Partive politike në vend, si të atyre në pushtet, e poashtu edhe të atyre në opozitë, u mungon kultura e kompromisit real, e cila nuk është në kurriz të drejtësisë dhe mosndëshkimit. “

Nëse RMV nuk merr datë tani, do të ketë një zhgënjim të madh në popullatë, sidomos te të rinjtë, që e lëshojnë vendin, ndërkaq rrezikon të kthehet edhe nacionalizmi...

JPEG

“Zhgënjimi i vërtet te qytetarët është kur nuk ka reforma reale. Nëse ne japim datën dhe vendi nuk i realizon detyrimet, është ende më keq. Si ne, si popullata, do të sheh se s’ka përparim real dhe pas një kohe, do të ketë zhgënjim më të madh.
Kuptohet, që edhe ne jemi për të mbajtur gjallë shpresën evropiane për Maqedoninë, por jo në mënyrën, që tani do t`i hapim negociatat, sa për shpresë dhe syfaqesi, e nuk do t`ia dalim me dekada t’i mbyllim ato, pasi që s’ka progres real.”

Çfarë mendoni për mesazhet e liderëve të Bashkimit Evropian dërguar vendeve anëtare, se duhet të jepet data?

“Ata janë të lirë të thonë çfarë të dëshirojnë, siç jemi edhe ne. Ata janë persona, me të cilët e ndajmë bashkarisht idenë themelore, por për zbatimin e saj do të diskutojmë dhe debatojmë, ndërkaq vendimi përfundimtar do të merret në Këshillin e Bashkimit Evropian. “

Përpos problemeve të brendshme të vendit, a prisni pengesa të tjera ose kushtëzime për anëtarësimin e RMV-së në BE? Të marrim shembullin e Bullgarisë, e cila vendosi linja të kuqe në lidhje me disa personalitete historike (Goce Dellçevi). Si i interpretoni këto kushtëzime?

“Është çështje e komplikuar dhe nuk zgjidhjet “për 5 minuta”. Duhet të ketë një qasje shumë të kujdesshme për çështjet e tilla të ndjeshme. Rol të madh kanë edhe mediat, të cilat nuk duhet ta përshkallëzojnë situatën me shkrime nxitëse. Duhet të gjendet një gjuhë e përbashkët, që bashkon dhe jo e kundërta, tani kur jemi edhe para zgjedhjeve parlamentare. Mirë që u nënshkrua marrëveshja për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, por ndoshta u nxitua pak dhe sot ka ngecje, për të cilat duhet të gjendet kompromis. “

publie le 07/10/2019

hautdepage