Intervista e ambasadorit për të përditshmen "Lajm" [fr] [mk]

Do të doja të vazhdoja aktivitetin tim në rajon dhe të kontribuoja drejt përparimit të tij në ndërtimin evropian, me "një prekje franceze", mu ashtu siç dëshiron edhe presidenti Makron, i cili shestonte që Franca të angazhohej në mënyrë aktive në Ballkan. Në intervistën e dhënë për gazetën në gjuhën shqipe "LAJM"

Аmbasadori flet për përshtypjet e tij në fund të mandatit të tij, për situatën aktuale në Maqedoninë e Veriut dhe në rajon, për marrëdhëniet e mira fqinjësore, për metodologjinë e zgjerimit, të bërë publike nga Franca dhe për projektet e tij të ardhshme.

PNG

1. Z. Timonie, po e përfundoni mandatin në Shkup. Me çfarë përshtypje po largoheni nga Maqedonia e Veriut? Cilin moment do ta veçonit nga qëndrimi juaj disavjeçar?

Këto katër vite ishin pikë kthese për vendin: ndryshimi politik, ndryshimi i emrit, hyrja në NATO dhe marrëveshja në parim për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE-në... Pa llogaritur këtu peripecitë e 27 prillit në kuvend, por edhe ato rreth referendumit ose prokurorit special, si dhe rrjedhjes së "bombave" të ndryshme. Pothuajse çdo ditë ka qenë e zënë me diçka. Me gjitha këto ulje dhe ngritje, krijohet përshtypja se vendi pas një periudhe të ngecjes, është duke hapëruar në rrugën e ndërtimit evropian. Është një kënaqësi e madhe që kam marrë pjesë në gjithë këtë ecejake.

2. Kur e filluat mandatin, a keni besuar se do të largoheni pa i filluar vendi ynë negociatat për anëtarësim në BE? Një kohë edhe Franca u kritikua si fajtore për këtë, sa ishin të bazuara ato kritika?

Franca ka një konceptim të rreptë kërkues dhe realist të ndërtimit evropian. Ajo beson se prirja evropiane e Ballkanit Perëndimor është e padiskutueshme. Por sidoqoftë, ishte e nevojshme të merreshin parasysh përvojat e kaluara dhe specifikat e ndryshme, në mënyrë që të mos ndiqej një rrugë që rrezikonte të ishte e pafund, zhgënjyese dhe frustruese për popullatat dhe të shndërronte shpresën në zhgënjim. Ne kemi frymëzuar një metodologji të re, të bazuar në progresin e vërtetë të vendeve kandidate, për të favorizuar konvergjencat (përputhjet) politike, ekonomike dhe sociale, thelbësore për të krijuar një Evropë të fortë.

3. Negociatat për anëtarësim do të zhvillohen sipas metodologjisë së re, e cila u vendos më së tepërmi me insistim të Francës. A do të jenë negociatat me këtë metodologji më të vështira për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë?

Kërkesat e rrepta për përparimin e shtetit të së drejtës janë më të forta dhe formojnë shtyllën kurrizore të procesit. Është për të mirën e të gjithëve, dhe në veçanti të qytetarëve të vendeve të tanguara, të cilët do të mund t`u kërkojnë llogari autoriteteve të tyre, në lidhje me përparimet e bëra, veçanërisht në rast zmbrapsjeje, e të cilën metodologjia e ka parasysh.

4. Tani vërehet në horizont një problem i ri për procesin euroatlantik të Maqedonisë, e ai është Memorandumi Bullgar. Sipas mendimit tuaj, ka rrezik që problemi me Bullgarinë të shndërrohet në problem më afatgjatë, apo do të tejkalohet së shpejti? A ndan Franca qëndrimin gjerman se problemet bilaterale duhet të zgjidhen mes dy vendeve, e jo në Bruksel?

Ballkani është i pasur me histori, me mite, me kujtesa dhe ngjarje, që nuk janë gjithmonë të lehta për tu bërë të pajtueshme, veçanërisht nëse janë objekt i përdorimit të tepruar nga politikanët. Andaj, duhet të nxitet dhe inkurajohet mirëkuptimi rajonal dhe respekti i ndërsjellë, rritja e bashkëpunimit midis të rinjve dhe intelektualëve dhe, mbi të gjitha, të mos përzihen këto çështjet e së kaluarës në ndërtimin evropian. Ky i fundit është i kthyer që nga origjina e tij drejt së ardhmes, siç edhe ka qenë pajtimi franko-gjerman. Le të mbështetemi te arsyeja dhe le të inkurajojmë zgjidhje të bazuara në diskutime dhe shkëmbime ndërmjet Sofjes dhe Shkupit.

5. Si i komentoni zhvillimet në rajonin tonë. Në Uashington u arrit marrëveshje ekonomike mes Kosovës e Serbisë, kurse në vijim janë arrestimet nga EULEXI në bazë të dyshimeve nga Gjykata Speciale e Hagës?

Ne vetëm mund të përshëndesim përparimin shpresëdhënës. Mbetet që të ndërmerren hapa të reja dhe Bashkimi Evropian është aktiv në këtë drejtim. Sa i përket rolit të drejtësisë ndërkombëtare, ajo nuk mund të shqitet nga një zgjidhje afatgjatë, e cila do të mbështetet në të vërtetën dhe transparencën e plotë mbi përgjegjësitë individuale në ngjarje ndonjëherë tragjike. Drejtësia ndërkombëtare ka mbështetjen tonë të plotë për të bërë këtë.

6. Z. Timonie, për fund, gjatë mandatit tuaj latë përshtypje si diplomat tejet aktiv në Maqedoninë e Veriut. Ku do të vazhdoni karrierën tuaj më tej?

Do të doja të vazhdoja aktivitetin tim në rajon dhe të kontribuoja drejt përparimit të tij në ndërtimin evropian, me "një prekje franceze", mua ashtu siç dëshiron edhe presidenti Makron, i cili shestonte dhe mëtonte që Franca të angazhohej në mënyrë aktive në Ballkan.

publie le 10/10/2020

hautdepage