Intervista e ambasadorit për të përditshmen "Nezavisen vesnik" [fr] [mk]

I pyetur nga "Nezavisen vesnik" (shq. Gazeta e pavarur) për zgjedhjet evropiane dhe për pozicionin e Francës në lidhje me perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht pas publikimit të Strategjisë Franceze për Ballkanin Perëndimor, ambasadori ndau vlerësimet e tij me redaktoren e kësaj gazete, znj. Slobodanka Jovanovska.

JPEG

Fshesa" duhet të fshijë dhe pastrojë të gjitha skutet (qoshet)

Gjatë fundjavës do të ketë zgjedhje që konsiderohen si kyçe për BE-në. Vlerësimet janë se, nëse fitojnë shumë vende partitë ekstreme të krahut të djathtë, kjo mund ta prish Bashkimin nga brenda. Cilat janë pritjet tuaja?

Po has parashikime të ndryshme që janë mjaft të komplikuara, sepse bëhet fjalë për parashikime kombëtare, të cilat duhet të grumbullohen së bashku për të përcaktuar rezultatin evropian. Por, në një pikë pajtohen të gjithë, që Parlamenti i vjetër Evropian, me partitë konservatore të krahut të djathtë dhe me socialdemokratët, ka vendosur një ekuilibër të dukshëm dhe funksionim të përbashkët në PE, ndërkaq ky konfigurim është vënë tani në pikëpyetje. Po shfaqen forca të tjera që po fitojnë peshë më shumë, e kësisoj shumë parti të krahut të djathtë dhe populiste po kërkojnë baza të përbashkëta mbi të cilat do të bashkëpunojnë, edhe pse ato nuk janë aspak të dukshme, veçanërisht në lidhje me marrëdhëniet me Rusinë. Parashtrohet pyetja, gjegjësisht është e diskutueshme nëse ata do të arrijnë të bashkohen me konservatorët, nëse do të arrijnë të përfitojnë dikë apo të qëndrojnë të vetëm.

Ekziston edhe një forcë tjetër, e cila është më pak e ekspozuar në nivel evropian sesa populistët, pra liberalët, të cilët mund të shkaktojnë pabarazi, veçanërisht për "Republikën përpara", partinë e presidentit tonë, e cila, ndryshe nga partitë populiste, jo vetëm që dëshiron të ruajë arkitekturën evropiane, por edhe ta transformojë atë, në mënyrë që ajo të luajë një rol në sfidat globale. Është e vështirë për një ambasador që të japë parashikime, por në një pikë mund të jemi të sigurt - tani roli i Parlamentit Evropian do të jetë shumë më i komplikuar, sepse aty do të ketë katër rryma të ndryshme të forta. Disa do të pendohen që bashkëpunimi midis socialdemokratëve dhe konservatorëve deri tani ka ndihmuar BE-në që të përparojë, por nga ana tjetër ekziston një ndjenjë në mesin e shumë partive të opozitës se politika është zhvilluar prapa dyerve të mbyllura. Do të jetë interesante të shihet nëse do të lozet tani një lojë e re politike, shumë më e hapur, e cila përsëri do të ngjallte interesimin e qytetarëve evropianë për zgjedhjet dhe sfidat. Për ne, francezët, këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme, sepse nga njëra anë kemi projektin evropian të kryetarit Emanuel Makron, e në anën tjetër forcat euroskeptike. Këto forcat ekstreme të krahut të djathtë në Francë kanë përparuar shumë shpejt, sepse ata filluan fushëveprimin me një kontestim të plotë të ndërtimit evropian dhe të disa parimeve të miratuara. Kjo temë në nivel evropian është e pashmangshme, duam apo nuk duam ne. Prandaj, ajo që mund të presim nga zgjedhjet në Francë është një sqarim i sfidave. E dimë që presidenti ynë ka ndërmarrë disa reforma, që normalisht shkaktuan disa tensione të caktuara në jetën e brendshme politike të Francës, por ato do të jenë të rëndësishme që të vërtetohet dhe konfirmohet sërish opsioni evropian. Të dy listat zgjedhore, të së majtës dhe të djathtës, në anketat e fundit janë afër njëra me tjetrën në lidhje me mbështetjen nga ana e popullsisë, por në rezultatin përfundimtar do të jetë e rëndësishme të konfirmohet opsioni evropian, si opsion i shumicës në vend.

Si mund të ndikojnë rezultatet e zgjedhjeve në Maqedoni?

Do të jetë e vështirë të besohet se do të jetë më e lehtë që të bëhet një hap përpara drejt ndërtimit evropian, sepse do të shtrohen disa çështje dhe pyetje brenda, në vendin tonë. Sidoqoftë, nuk duhet të dramatizojmë, sepse gjatë zgjedhjeve të mëparshme, e djathta radikale fitoi dhe siç e dini, kjo nuk krijoi tronditje sizmike. Sa i përket pikëpamjeve të Francës, ne e dimë se në sistemet evropiane qeveritë janë ato që luajnë një rol të rëndësishëm, e te ne qeveria mbetet në duart e "Republikës përpara", gjegjësisht në duart e partisë së Makronit, e cila ka të ngjarë të ketë një peshë të rëndësishme në emërimin e anëtarëve të Komisionit të ri Evropian dhe në vendosjen për presidentin e ri të KE-së. Do të ishte e rëndësishme për ne që të konfirmonim edhe një herë që zgjedhja që u theksua qartazi nga populli francez dy vjet më parë, domethënë mbështetja që do ta marrë shumica presidenciale të jetë sa më afër me atë të raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale. Nëse ai ka qoftë edhe një avantazh simbolik, kjo do të ishte pozitive. Megjithatë, nëse e djathta ekstreme do të ketë më shumë vota, kjo do të jetë një tregues i rëndësishëm për ne se euroskepticizmi po rritet në popullatën tonë dhe në Evropë, andaj për këtë arsye nuk do të mund të merremi aq shumë me një numër reformash që shkaktojnë goditje të caktuara në Francë dhe për shkak të të cilave publiku po mbyllet gjithnjë e më shumë në vetvete. Megjithatë, mendoj se presidenti ynë, pavarësisht nga rezultati, është i vetëdijshëm për pasojat dhe do të vazhdojë të inkurajojë BE-në. Nëse ka mbështetjen simbolike të popullatës, do të jetë më e lehtë për të, por nëse rezultatet nuk janë aq të favorshme, unë mendoj se projekti evropian do të vazhdojë edhe më tej dhe kjo do të jetë një arsye shtesë për shprehjen e vullnetit francez, për të ndryshuar rregullat e lojës dhe jo për të fshehur problemet nën rrogoz, përkundrazi për të diskutuar për të njëjtat gjëra në tavolinë.

Çfarë nuk kemi përmbushur ende që të marrim një datë?

Së pari duhet të shohim raportin që duhet të publikohet nga KE-ja, më 29 maj. Kishte një udhërrëfyes që duhej të përmbushej. Unë do të theksoj atë që e tha edhe përfaqësuesi i BE-së, se nga disa aspekte të caktuara gota është gjysmë e zbrazët ose gjysmë e mbushur. Varet se kush dhe si e sheh atë. Në fund, ky do të jetë një vendim politik, sepse BE-ja është në një situatë të çuditshme, prandaj edhe Franca ka kërkuar që të marr epilog sa më parë çështja e Bregzitit (daljes së Britanisë), e cila na rëndon shumë. Pa nënvlerësuar fatin e Maqedonisë, që është e rëndësishme për ju, por edhe për ne, çrregullimi i brendshëm i krijuar nga Bregziti është një temë e rëndësishme në kryeqytetet e BE-së. Presidenti Makron, në takimin me të gjithë ambasadorët, të mbajtur në muajin shtator, na foli për shqetësimin e tij të madh, se njëri nga vendet më të mëdha të BE-së po përballet me probleme politike dhe financiare dhe se në buxhetin evropian duhet të gjenden 11 miliardë euro shtesë. Këto janë çështje thelbësore për BE-në dhe për këtë arsye klima qartazi nuk është aspak euforike. Por, ne nuk duhet të fajësojmë qeverinë këtu, e cila bëri gjithçka në kushte të vështira, kur u bënë ndryshimet kushtetuese për miratimin e Marrëveshjes së Prespës. Të gjithë e dimë këtë, i vlerësojmë përpjekjet dhe e përshëndesim gjithë punën që është bërë. Por ka edhe çështje të tjera brenda vendit, masa teknike, disa prej të cilave janë miratuar e një pjesë e tyre janë simbolike. Para së gjithash, ligji për Prokurorinë Speciale Publike, i cili nuk është i nivelit të dytë, por një çështje e rëndësishme për të cilën ende nuk është marrë një vendim dhe që duhet të zgjidhet në këtë mënyrë apo në një tjetër. Ka akoma punë rreth agjendës së famshme, por po flasim pak për të këto ditë, sepse duam ta vëmë theksin te Marrëveshja e Prespës dhe arsyet politike që do të mundësojnë hapjen e negociatave. Qëndrimi francez është i qartë, mbështesim Marrëveshjen e Prespës dhe është tejet e rëndësishme që të zbatohet tërësisht axhenda. Natyrisht që ka ende punë, për të cilat do të duhen edhe disa muaj të tjerë. Ne duam që nga pikëpamje teknike puna të përfundojë, e për cilësi do të duhet kohë më e gjatë. Qytetarët janë të vetëdijshëm se nuk mund të jenë të lumtur vetëm me miratimin e ligjeve, pa mos kundruar dhe parë zbatimin e tyre në terren. U miratuan një sërë ligjesh për të kënaqur bashkësinë ndërkombëtare, por nganjëherë kemi përshtypjen se zbatimi në terren është i ngadalshëm dhe i vështirë, bile ndonjëherë edhe i lënë mënjanë. Duam të shmangim të gjitha ato përvoja të këqija, që i kemi hasur në të kaluarën me vendet e tjera, sepse opinion ynë publik po ngrit çështjen për vet legjitimitetin e ndërtimit evropian dhe po adreson kritika të mëdha për qeveritë tona, sepse për arsye ideologjike u nënvlerësuan kushtet reale për krijimin dhe për funksionimin e vlerave të përbashkëta. Na mbeten edhe disa ditë, që të marrim lajme pozitive. Mendoj se është e rrezikshme të fokusohemi vetëm në një datë të caktuar në qershor, sepse ajo mund të rrisë pritjet dhe të jetë një motiv për diçka që më pas do të merret si një konspiracion. Të gjithë e pranojnë se është filluar një rrugë me përparim të madh në shumë fusha, por në të njëjtën kohë na lindin probleme të reja, të cilat u shfaqën para dy vitesh, probleme për të cilat nuk mund të gjendet shpejt një zgjidhje.

Si e shihni fshesën e LSDM-së dhe vetingun e BDI-së?

Kanë ndryshuar normat, gjërat po ndryshojnë në vend. Kjo do të thotë se privilegjet do të jenë edhe më të forta dhe se partitë politike po kuptojnë rolin e tyre dhe domosdoshmërinë për transparencë dhe cilësi. Diçka që është mjaft pozitive në gjithë këtë është ndjenja e ndryshimeve të thella dhe rrënjësore. Mendoj se deri diku kjo mund të duket qesharake, por sidoqoftë e jep një dozë optimizmi këtu në shoqëri. François de La Rochefoucauld (shq. Fransua dë la Roshfuko) thoshte se hipokrizia është respekti apo nderimi që i bën vesi virtytit, e kjo nënkupton kur ne jemi të detyruar të shtiremi se posedojmë cilësinë që nuk e kemi, atëherë i përulemi asaj cilësie dhe atij detyrimi. Për vetë "fshesën", do të them se është një koncept disi i papërshtatshëm, sepse kur është fjala për një qeveri që ka marrë kolektivisht vendime të guximshme dhe kur u shpjegohet njerëzve që është dashur të merret një vendim i tillë për tu arritur qëllimi, me atë nuk duhet të reduktohet guximi kolektiv i gjithë atyre që ishin të guximshëm. Nuk më pëlqen aspekti populist këtu dhe për këtë arsye e thash koncept i papërshtatshëm. Dhe së dyti, fshesa nuk duhet të jetë përzgjedhëse, por e vërtetë dhe të pastrojë të gjitha skutat dhe qoshet, e jo vetëm ato skuta që ju pëlqejnë, vetëm skuta e majtë apo e djathtë, ajo në jug apo ajo tjetra në veri. Kjo është pak e rrezikshme, sepse kontrolli duhet të jetë demokratik dhe të zbatohet në të gjitha institucionet, të cilave duhet tu kthehet kredibiliteti. Për shembull, Komisioni për Luftën kundër Korrupsionit është një gjë e shkëlqyer, por nuk duhet të shndërrohet në një trik marketingu apo në një institucion revanshi apo hakmarrjeje. Prandaj, edhe jemi të kujdesshëm. Unë besoj në funksionimin e institucioneve të drejtësisë, e jo vetëm thjesht të hiqen kokat. Ajo që nuk më pëlqen më shumë, veçanërisht në lidhje me 27 prillin, është se njerëzit, të cilët janë lart e poshtë fajtorë, ankohen dhe thonë se fajtorët më të mëdhenj po bredhin lirshëm nëpër Shkup. Dhe kur e transmetojmë këtë, ata përgjigjen se duhet të bëhen sakrifica, posaçërisht për bashkësinë ndërkombëtare që po kërkon një gjë të tillë, për atë që ndodhi. Pra, "fshesa" është një fotografi, por unë ndaj një ide tjetër për dinjitetin e jetës politike dhe të demokracisë. Dhe ajo nuk parandalon luftën kundër korrupsionit, e cila është akoma më e rëndësishme dhe duhet të jetë refleksive, respektivisht, e kthyer drejt vetvetes. Ne thjesht kërkojmë qimen në syrin e tjetrit, por nuk duam të kërkojmë qimen në syrin tonë.

Cila ishte arsyeja për publikimin e strategjisë franceze për rajonin?

Strategjia franceze është një shenjë për administratën tonë dhe për kolegët tanë se ky rajon ka peshë. Rajoni është i rëndësishëm për ne, edhe pse nuk e themi shpesh këtë. Kemi investuar shumë në planin ushtarak dhe atë të sigurisë gjatë krizës jugosllave, për të ruajtur Maqedoninë, tani Maqedoninë e Veriut, gjersa ajo ballafaqohej me vështirësitë më të mëdha dhe tani mund të krijohet përshtypje për një lloj stagnimi. Neve na rëndonin edhe shqetësime të tjera, pasi që Franca, ndryshe nga vendet e tjera evropiane, është e pranishme në operacione të ndryshme ushtarake jashtë, por ende shfaqim kujdes dhe interes për Ballkanin. Samiti i Berlinit ishte një arsye e mirë për të përsëritur të njëjtën gjë.

Kam përshtypjen se, në pjesën më të madhe, ajo është e orientuar drejt Serbisë, me ç`rast nuk është paraparë vizitë nga ndonjë zyrtar i lartë në Maqedoni. Dhe në njëfarë mënyre, sikurse po ofrohet një formë tjetër e bashkëpunimit, në vend të asaj për anëtarësim në Bashkimin Evropian ...

Serbia është vendi më i rëndësishëm në rajon dhe një vend që së bashku me Kosovën ka një çështje thelbësore të hapur, kështu që pa normalizimin e marrëdhënieve mes tyre, do të jetë shumë e vështirë të pritet normalizimi i marrëdhënieve edhe me vendet e tjera të BE-së. Nuk po flas këtu për aspektin ligjor, por për atë real të bashkëpunimit, sepse kjo vrimë e zezë rrezikon të mbetet për një kohë të gjatë me çështje komplekse. Disa vende të BE-së e njohin Kosovën, disa të tjera jo, e kështu pra do të jemi në një marrëdhënie komplekse. Kur është fjala për Maqedoninë, unë do të them se ajo, më së shumti përmendet përmes bashkëpunimit me Agjencinë Franceze për Zhvillim. Marrëveshja e bashkëpunimit që do të nënshkruhet, po shqyrtohet nga shërbimet e ndryshme këtu. Me Maqedoninë e Veriut, ne nuk kemi asnjë problem të hapur, dhe tani pyetja që po e shtrojmë është se si ta intensifikojmë bashkëpunimin tonë. Falënderojmë Zotin, që ky vend nuk ka më probleme me fqinjët e tij dhe që nuk jemi më në dashuri, por në një akt konkret dashurie, sepse dashuria në marrëdhëniet ndërkombëtare fitohet dhe merret. Nuk kufizohet çdo gjë vetëm në vizita. Ajo që më intereson mua, është të punojmë konkretisht për t’i mbajtur të rinjtë, për të rritur interesin e bizneseve dhe ndërmarrjeve për bashkëpunim, për të trajnuar administratën tuaj, si dhe për të bindur publikun francez për reformat cilësore që po bëhen këtu dhe në përgjithësi, për të kontribuar në ndryshimin e imazhit të Ballkanit në Evropë. Krejt kjo, sepse një ditë qytetarët e BE-së do të duhet të deklarohen në referendum për pranimin apo jo, të një shteti, ndërsa francezët kanë pasqyrën e tyre për këtë rajon nga vitet 1990 dhe 2000, ku imazhet e dhunës mbeten ende të freskëta. Duhet shumë kohë për të kapërcyer këtë pamje. Nuk mjafton vetëm të nënshkruhet një marrëveshje e tillë e bukur përskaj liqenit, që të shlyhet mosbesimi nga e kaluara dhe imazhet e këqija, si dhe të bëhet vlerësimi i gjyqësorit, e kështu me radhë. Duam të punojmë për pavarësinë e gjyqësorit dhe integrimi të mos bëhet vetëm narrativ-tregues apo një marketing politik, por të stabilizohen gjërat dhe të arrijmë në një shoqëri autentike të lirë dhe liberale. Paralelisht, ta shtyjmë para idenë evropiane dhe ta forcojmë atë tek opinion ynë publik, sepse Evropa nuk u krijua që të bëhet një fortesë e fortifikuar, në të cilën ata që janë brenda nuk duan të dalin, e ata që janë jashtë të shprehin dëshirën e flaktë dhe të ëndërrojnë të hyjnë në të.

publie le 26/05/2019

hautdepage