Intervista e ambasadorit për të përditshmen "Veçer" [fr] [mk]

Në një intervistë për gazetën e përditshme "Veçer", në numrin e saj të ditës së shtunë, më 23 maj, ambasadori shtjellon krizën me pandeminë Covid-19 dhe organizimin e zgjedhjeve, në funksion të situatës shëndetësore. Ai gjithashtu flet edhe për përfshirjen e Francës në procesin e zgjerimit dhe bën thirrje që bisedimet në kuadër të komisioneve maqedono-bullgare, të krijuara nga Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë, të vazhdojnë në frymë konstruktive. Ambasadori adreson edhe ndërhyrjen e Agjencisë Franceze për Zhvillim dhe paralajmëron dhurimin e respiratorëve dhe trajnime, në bashkëpunim me universitetet franceze, për Fakultetin e Mjekësisë në Shkup.

JPEG

Liderët e partive politike në Maqedoni, edhe në përpjekjen e dytë, nuk u pajtuan për datën e mbajtjes së zgjedhjeve. A po hyn Maqedonia në një krizë të rëndë politike? Kreu i LSDM-së, Zaev, paralajmëroi zgjedhje më 21 qershor, opsion ky pa pjesëmarrjen e opozitës. Udhëheqësi i VMRO-DPMNE-së, nuk është dakord për zgjedhje para shtatorit. A do të ishin të besueshme zgjedhjet pa opozitën, e së këndejmi a do të ishte kredibilie edhe qeveria e re e Maqedonisë së Veriut?

Bisedimet po vazhdojnë dhe mendoj se nuk ka nevojë të dramatizohen gjërat, e veçanërisht nuk duhen të vendosen ultimatume reciproke. Të gjithë janë dakord për pikat kryesore nismëtare: së pari, shëndeti i qytetarëve nuk mund të negociohet dhe së dyti, është i domosdoshëm krijimi i një parlamenti legjitim, në mënyrë që vendi të mund të ballafaqohet me sfidat në këtë periudhë kritike dhe të mund të pranohet, dhe pastaj të shfrytëzohet ndihma ndërkombëtare shpejt dhe me efikasitet. Por le të mos jemi naivë: ekzistojnë edhe kalkulime politike rreth datës, sepse besohet se një datë rishtare ose e mëvonshme do të jetë në favor ose në dëm të njërës, gjegjësisht të palës tjetër. Rrethanat janë shumë serioze për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët kompromisi, me një datë të arsyeshme dhe me shpresën se virusi do të ketë mirëkuptim, gjë që nuk është e sigurt. Shqyrtimet dhe konsideratat praktike të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, në lidhje me kohën e nevojshme për përgatitjen e duhur të listave, duhen gjithashtu që të merren parasysh, për një rezultat të pakontestueshëm të zgjedhjeve.

A nuk janë zgjedhjet e shpejta ruletë ruse për shëndetin e njeriut?

Pyetja juaj është tejet interesante për mua, sepse Franca po planifikon të organizojë rrethin e dytë të zgjedhjeve të saj lokale në fund të qershorit ose në fund të vjeshtës. Një studim mbi pasojat e rrethit të parë të zgjedhjeve më 15 mars, kur lakorja e epidemisë ishte në rritje, nuk mundësoi që statistikisht të konstatohet rritje e numrit të të infektuarve për shkak të votimit. Në ditën e rrethit të parë të zgjedhjeve, u morën një sërë masash paraprake, e kësisoj shumë votues preferuan të qëndronin në shtëpi. Përderisa epidemia po tkurret, shkencëtarët kompetentë besojnë se rrethi i dytë mund të mbahet më 28 qershor, por me një fushatë shumë të kufizuar dhe me masa të forta kujdesi. Disa frikësohen se një numër i madh i votuesve do të jenë edhe më tej të kujdesshëm, me ç ‘rast ekziston rreziku i pjesëmarrjes së ulët, veçanërisht në mesin e "popullatës më të vjetër", ndërsa të tjerët besojnë se ekziston një nevojë politike dhe se rreziku është i arsyeshëm. Po vijojnë diskutimet midis autoriteteve dhe forcave politike: të gjithë besojnë se në fund duhet të gjendet një zgjidhje dhe kjo me siguri nuk do të kënaqë asnjërën palë. Kuptohet, asgjë nuk do të ndodhë pa një vlerësim përfundimtar shëndetësor, dy javë para votimit. Prandaj, po shqyrtohet edhe "Plani B", gjegjësisht, mbajtja e zgjedhjeve në vjeshtë.

Maqedonia, në një farë mënyre e gjendur nën hijen e COVID-19, u bë anëtare e NATO-s dhe mori dritën jeshile për të filluar negociatat me BE-në. Por, ajo nuk mori datë për fillimin e negociatave! Kur mund të pritet që Maqedonia të fillojë negociatat, kur nuk ka një datë? Si mund të interpretohet kjo? A do të marrim më në fund një datë për fillim të negociatave? Komisionari i Zgjerimit të BE-së, z. Oliver Varheji, theksoi këtë javë se raportet për përparimin e reformave në Ballkanin Perëndimor, shtyhen për në shtator, por jo edhe korniza e bisedimeve për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. A është ky një sinjal që Brukseli nuk po na vendos në listën e përparësive, dhe nëse politikanët tanë nuk arrijnë një marrëveshje për një datë të zgjedhjeve, a mund të largohemi lehtësisht nga lista e përparësive dhe të lihemi për në vjeshtë?

Pas miratimit të metodologjisë së re, për të cilën Franca ka punuar shumë, "treni tani është në binarët e duhur", pasi Këshilli njëzëri pranoi fillimin e negociatave. Askush nuk dyshon se përparësia e Bashkimit është të qenit e saj e pranishme aktivisht në Ballkanin Perëndimor, i cili përfundimisht do t`i bashkangjitet Bashkimit Evropian të përtërirë në fund të procesit të negociatave. Franca këmbëngul, që ky angazhim politik të bazohet në përparimin real në fushën e sundimit të ligjit, por edhe me kontributet financiare nga shtetet anëtare, për të mbështetur reformat dhe konvergjencën ekonomike dhe sociale të këtyre vendeve drejt realitetit evropian. Për këtë qëllim, sigurisht që duhet të kemi bashkëbisedues legjitim dhe seriozë, të cilët zgjidhen në zgjedhje të lira dhe të besueshme. Kjo është tejet e nevojshme, në mënyrë që programi ynë i ndihmës të mund të zbatohet konkretisht. Raporti i progresit pritet të rishikojë dhe shqyrtojë gjendjen e reformave: do të jetë inkurajues, nëse është pozitiv, që të ecet përpara me negociatat. Një gjë është e sigurt: një demokraci funksionale dhe vazhdimi i reformave, është ajo që ne minimum presim.

Sipas situatës së re dhe sinjaleve të dërguara nga Bullgaria, a mund të jetë ajo një pengesë e re në rrugën e Maqedonisë drejt BE-së, duke pasur parasysh faktin se BE-ja nuk na dëshiron neve me çështje dhe probleme të pazgjidhura?

Ekziston Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë, e cila është një dokument i pranuar në planin dypalësh dhe ndërkombëtar. Ajo siguron një bazë për bisedime të mëtejshme mbi temat historike dhe simbolike, që janë të një natyre emocionale, gjegjësisht çështje nga fusha e politikës së brendshme, të cilat kanë një rëndësi të veçantë për të dy vendet. Në rastin tuaj, natyrisht, ekziston edhe ajo çështja e ndjeshme e identitetit, duke pasur parasysh historinë e përbashkët dhe afërsinë me gjuhën që flitet në vendin fqinj. Ne presim që diskutimet vijuese, në kuadër të komisioneve të krijuara me Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë, të zhvillohen në frymën e përgjegjësisë evropiane, si nga njëra, ashtu edhe nga pala tjetër. Mbështesim të gjitha përpjekjet, që shkojnë në drejtim të konsolidimit të përparimit të arritur, siç është për shembull ajo rreth historisë së mesjetës. Forcat politike duhet të tregojnë respekt dhe përmbajtje, pa përpjekjen për poshtërim të palës tjetër. Motoja "Të bashkuar në diversitet (dallueshmëri)" fillon me njohjen e asaj, me të cilën karakterizohen të dy palët, pra me njohjen e identitetit, pa qëllime të fshehura ose kërkesa të motivuara të një natyre të tillë. Është e nevojshme të gjendet fryma e bashkë-kryesimit me procesin e Berlinit, të cilën e ndajnë të dy vendet dhe t’i jepet një rëndësi e plotë dhe konkrete këtij angazhimi evropian.

Kur filloi pandemia, ju nuk u larguat nga Maqedonia, si disa diplomatë të tjerë. A mendoni se Maqedonia ka një sistem të sigurt shëndetësor dhe si mendoni se ajo po ballafaqohet me COVID-19?

Ambasada vazhdoi të punojë, kryesisht që të ndihmojë në kthimin e shtetasve tanë dhe qytetarëve me shtetësi të dyfishtë në Francë, si dhe të shtetasve nga Maqedonia që jetojnë në Francë. Së bashku me kolegët tanë evropianë, jemi orvatur t’i zbatojmë bashkërisht ato përpjekje dhe të gjejmë zgjidhje për disa raste mjekësore ose humanitare, me mbështetjen shumë efektive të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Komuniteti ynë dhe autoritetet tona, kanë qenë vazhdimisht të informuara për zhvillimet. I jemi bashkuar poashtu edhe përpjekjeve të ambasadave të tjera, në kuadër të veprimtarive për mbështetje të institucioneve, siç është Klinika Universitare për Gjinekologji dhe Akusheri ose një numër të caktuar të OJQ-ve, që ndihmojnë në mënyrë aktive njerëzit e prekur nga kriza, në mënyrë që mishërimi (solidariteti) ynë të fitojë edhe dimensione konkrete. Vendi reagoi, më duket, me mjetet dhe kapacitetet e tij, që i kishte në dispozicion. Sigurisht, është shumë herët për të bërë një vlerësim përfundimtar, por në nivelin tonë, kemi konstatuar se ekziston një komunikim i qartë, bashkëpunim i mirë dhe përkushtim i stafit shëndetësor. Bashkimi Evropian gjithashtu u mobilizua fuqishëm dhe shpejt. Tani është e nevojshme, në planin afatgjatë, që ndihma që po vjen, si në shëndetësi, ashtu edhe në aspektin ekonomik, të shpërndahet në mënyrë efektive në terren, në bashkëpunim me institucionet kompetente. Është e nevojshme që popullata të qëndrojë e mobilizuar dhe të respektohen masat e mbrojtjes, në mënyrë që të ballafaqohet më me sukses dhe efikasitet situata me epideminë. Kjo është baza e sjelljes qytetare.

Po paralajmërohet një valë edhe më vdekjeprurëse e virusit në vjeshtë. Si është e mundur që dikush të dijë, se si do të sillet virusi, kur edhe më tej ai mbetet i panjohur?

Përvoja na tregon se ka pasur raste të tilla gjatë epidemive të tjera, por është e qartë se askush nuk e di sigurt, se si do të sillet virusi. Prandaj, Franca kërkon që të zbatojë rekomandimet e kujdesit të shtuar, kur bëhet fjalë për udhëtimet gjatë kësaj vere dhe këmbëngul që të inkurajojë qytetarët të sillen me kujdes, si dhe të kufizojnë udhëtimet jashtë vendit. Mund të ndodhë që në vjeshtë të paguajmë një çmim të lartë, nëse vazhdojmë të jetojmë në dukje normalisht, nëse virusi është akoma i pranishëm dhe qarkullon këtë verë, veçanërisht përmes turizmit, nëse nuk respektohen rekomandimet. Shfaqja e një vale të dytë, gjithashtu varet shumë edhe prej nesh.

Sipas shënimeve të mediave, Franca po punon për vaksinën. A dini ndonjë gjë më shumë rreth kësaj gjëje, kur mund të pritet zbulimi i vaksinës?

Sa i përket afateve, presidenti Makron ishte i sinqertë: nuk mund të presim një vaksinë para fundit të vitit 2021; duhet të gjendet ajo, të testohet dhe të prodhohet! Qëllimi ynë është që kjo vaksinë të jetë një e mirë publike globale, me qasje të barabartë për të gjithë. Po vijojnë hulumtimet (kërkimet) publike në Institutin “Paster”, me zbatimin e një plani operativ për veprim në disa drejtime, në bashkëpunim me institucionet e tjera franceze dhe evropiane. Sa i përket sektorit privat, kompania franceze “SANOFI” bashkëpunon me një kompani amerikane dhe secila prej tyre bën përpjekjet e veta. Ekzaminimet klinike pritet që të fillojnë në mesin e vitit 2020, dhe nëse do të jenë të suksesshme, do t’i hapin rrugë vaksinës në gjysmën e dytë të vitit 2021. Franca mori pjesë në inicimin e thirrjes ndërkombëtare (“Aleanca për Multilateralizëm”), që duhet të na sjellë te një përgjigje e përbashkët dhe te mbledhja e fondeve për të kapërcyer këtë sfidë të madhe, e cila i tejkalon kufijtë e cilës do qoftë kompanie apo cilit do qoftë vendi. "Kemi nevojë për bashkëpunim dhe solidaritet të forte, për të luftuar COVID-19"

Përveç burimeve njerëzore, ekonomia botërore po pëson humbje të mëdha. Asgjë nuk është e njëjtë më si më parë. Ku është dalja nga ky tunel? Bota është, në të vërtetë, në një luftë biologjike. Me virusin, që na shfaqet gjatë gjithë historisë në çdo 100 vjet. Në çdo luftë, dikush humb, por dikush fiton. Kush mendoni se do të përfitojë në këtë luftë?

Termi luftë pasqyron në mënyrë efektive mobilizimin e nevojshëm dhe potencialin shkatërrues të fenomenit. Ai është më pak karakteristik për disa aspekte të tjera, që lidhen me termin luftë: nuk ka mundësi të "negociosh" me të ose të arrish ndonjë marrëveshje paqeje, por duhet të merren masa për kontrollin e epidemisë, trajtimin e të sëmurëve dhe gjetjen e një vaksine, sa më shpejt të jetë e mundur. Për të qenë me të vërtetë efektivë, nevojitet një qasje gjithëpërfshirëse. Për këtë arsye, Franca kërkon të vendosë aktivitet të koordinuar ndërkombëtar në të gjitha nivelet (përfshirë edhe gjatë hapjes së kufijve), dhe në veçanti të sigurojë vaksinë për të gjithë, pa egoizëm kombëtar ose pa vullnet për përfitim të pavend. Kjo qasje është në përputhje me dëshirën tonë, për të vendosur qasje ndërkombëtare ndaj këtyre krizave: pavarësisht nëse bëhet fjalë për ndryshimin e klimës, ndotjen apo pandemitë, asnjë shtet, sado të jetë i fuqishëm, nuk mund të veprojë vetë dhe në dobi të vet. Ekziston, natyrisht, edhe rreziku i kundërt, siç është mbyllja në nivel kombëtar dhe ripërtëritja ose krijimi i disa pikëpamjeve të reja imperialiste, por kjo krizë ofron mundësi për një qasje më realiste, me faktin se ne varemi nga njëri-tjetri.

Deri ku qëndrojnë punët me nënshkrimin e marrëveshjes për ndërhyrje dhe veprim të Agjencisë Franceze për Zhvillim në Maqedoni?

Bisedimet kanë përparuar mirë: jemi duke i bërë përshtatjet përfundimtare, me dëshirën e fortë për të pasur sukses nga të dy palët, siç edhe më tha ministresha juaj e financave. Shpresojmë që së shpejti do të mund të fillojmë zbatimin e projekteve në fushën e shëndetësisë, mjedisit jetësor dhe klimës; E njëjta gjë vlen edhe për marrëveshjen shkencore, që e kemi përgatitur midis dy vendeve. Përderisa po i përgjigjem pyetjeve tuaja, më informuan se posa është pranuar propozimi për furnizimin (prokurimin) e respiratorëve dhe trajnimin e stafit, në bashkëpunim me universitetet franceze, i destinuar për Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, në kuadër të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, ku edhe vendi juaj është anëtar. Andaj, e kuptoni se pse ne duam që bashkëbiseduesit tanë maqedonas, pas përfundimit të zgjedhjeve, sa më parë, të jenë në gjendje të nënshkruajnë marrëveshje dhe të bashkëpunojnë. Le të mos humbim kohë, më pak se asnjëherë më parë, për të përparuar më shpejt!

publie le 23/05/2020

hautdepage