Intervista e ambasadorit dhënë për revistën mujore "Karposh In" [fr] [mk]

Pas vizitës në muajin shkurt të godinës së ish-palestrës sportive "Partizan", e ndërtuar me mbështetjen e Francës pas tërmetit të vitit 1963, e cila është subjekt i një projekti ambicioz të restaurimit, ambasadori dha një intervistë në revistën mujore "Karposh In", ku ndau vlerësimin e tij në lidhje me këtë temë.

1. I nderuarI ambasador, z. Timonie. Keni vizituar rishtazi Komunën e Karposhit dhe së bashku me kryetarin e komunës, Stefan Bogoev keni vizituar qendrën sportive “Naum Naumovski Borçe – Partizan”, e cila është donacion nga Franca, pas tërmetit katastrofal në Shkup, më 1963. Çfarë ndjenja ju ngjallën muret e shkatërruara dhe pamjet e brendshme? Si e vlerësoni iniciativën për shpëtimin dhe rindërtimin e qendrës “Partizani”?

JPEG

Franca ka marrë pjesë plotësisht në valën ndërkombëtare të solidaritetit, e krijuar pas tërmetit të vitit 1963. Me të vërtetë u preka kur vizitova Muzeun e Qytetit dhe kur u binda për emocionet e forta, por edhe për mobilizimin ndërkombëtar. Ai kishte qenë një moment optimizmi me fillimin e ngrohjes së marrëdhënieve midis Kenedit dhe Hrushovit dhe idesë së solidaritetit midis popujve, duke vënë bashkëpunimin mbi rivalitetet politike, kur përballemi me katastrofa natyrore. Ndoshta duhet të mendojmë se si të nxjerrim diçka nga ai mësim, në një kohë kur po ballafaqohemi me ndryshimet klimatike. Tridhjetë objekte sportive kanë qenë të shkatërruara, ndërsa ndërtimi i kësaj qendre sportive me ndihmën e Francës, ishte një shenjë e shpresës për qytetin dhe për jetën e re. Është e natyrshme që kontrasti midis shpresës së asaj kohe dhe gjendjes aktuale është frapant (goditës). Duhet të pyetemi se si kjo përzierje e mospërfilljes dhe lakmisë ka çuar deri te braktisja e kësaj godine të bukur, simbol i frymës sportive dhe rinovimit të qytetit. Por, më shumë preferoj të mendoj për mobilizimin e qytetarëve, e cila ka tërhequr vëmendjen tonë në këtë vend dhe në të kaluarën e tij, si dhe në energjinë e autoriteteve komunale, të cilat kanë përgatitur një projekt të vërtetë për rinovimin dhe restaurimin e qendrës sportive: kjo është një shenjë se shpirti i Shkupit është më i fortë se plogështia dhe korrupsioni.

2. A mundet që rinovimi i qendrës "Partizani" të shërbejë si një shembull pozitiv se si duhet të trajtohen objektet e tjera të braktisura dhe papërfillura në vendin tonë? (numri i të cilëve, për fat të keq, është mjaft i lartë)

Siç më shpjegoi kryetari i komunës, mbeten të qartësohen një numër i caktuar momentesh, si p.sh. pronësia e lokaleve dhe gjendja e ndërtesës para fillimit të rindërtimit të saj. Shpresoj se kjo do të sqarohet së shpejti, sepse kjo godinë është e rëndësishme për jetën e qytetarëve, për shëndetin e tyre, për edukimin e të rinjve dhe për shoqërinë në tërësi. Nga ana tjetër, arkitektura e periudhës së viteve 50 deri në vitet 80, e ashtuquajtur brutale, është gjithashtu pjesë e trashëgimisë evropiane që meriton të mbrohet. Në Shkup, ka projekte me famë botërore, të tilla si Posta qendrore, e cila fatkeqësisht nuk ka qenë e vlerësuar sa duhet dhe ka qenë subjekt i vandalizmit. Kjo trashëgimi moderne është më së shumti kolektivisht e lidhur me historinë e vendit, si në kohërat e tij më të mira, ashtu edhe në momentet më tragjike, andaj meriton të njihet dhe të çmohet më mirë. Do të ishte interesante të fillonim të kërkonim nëpër arkiva, se si u ndërtua qendra “Partizani” dhe si nisi bashkëpunimi me Francën në atë periudhë.


3. Edhe rruga "e Parisit" në lagjen Taftalixhe na përkujton solidaritetin francez për qytetin e Shkupit dhe Karposhit, fill pas vitit 1963. A do të mbështetni, në kuadër të “Partizanit”, edhe projektin, që të ketë një kënd francez, një vend ku do të promovohet kultura franceze, gjuha, etj.... nga këtu, për të filluar në mënyrë simbolike një kapitull të ri të miqësisë mes Francës dhe Maqedonisë ?

JPEG

Kur të vjen koha, do të shohim nëse është e nevojshme, se si të përfshihemi në aktivitetet e restaurimit, në kuadër të bashkëpunimit tonë. Padyshim që do të dëshironim të vazhdonim këtë histori, që daton për më shumë se pesëdhjetë vjet. Do të ishte më mirë, të ftoheshin sportistë francezë, që së bashku të mund t’i ringjallim këto hapësira! Pse të mos organizonim një ndeshje hendbolli gjatë lëshimit në përdorim? Me sa e di, nuk jeni të dobët në atë disiplinë sportive, por nuk jemi as ne! Sporti është njëri nga prioritetet e Institutit Francez në Shkup. Ideja e një këndi francez është e shkëlqyer: frëngjishtja është gjuhë olimpike dhe praktikohet në disa institucione në komunën e Karposhit. Në komunën tuaj gjendet edhe Shkolla Ndërkombëtare Franceze e Shkupit, e cila punon me sukses falë mbështetjes nga autoritetet përgjegjëse. Gjithashtu, së bashku me ministrin e arsimit, z. Arbër Ademi dhe kryetarin e komunës, vizituam shkollën "Vëllazërimi". Kjo është një shkollë me një cilësi vërtet të lartë, që gjendet në komunën tuaj dhe planifikojmë të zgjerojmë bashkëpunimin përmes kontakteve me sektorin tuaj të arsimit.

1. Çfarë bëni gjatë kohës suaj të lirë në Shkup? Jeni shpesh i pranishëm në jetën tonë shoqërore dhe politike dhe lexuesit e revistës “Karposh IN” dëshirojnë të mësojnë më shumë për shprehitë dhe praktikat tuaja ose ndoshta edhe për vendet që ju i vizitoni?

E dua muzikën dhe përfitoj aq sa mundem nga programi i shkëlqyer i Filarmonisë dhe sallës së saj të mrekullueshme. Përpiqem të mos humbas koncertet e pianistit Dino Imeri, i cili e festoi me madhështi jubileun e tij në dhjetor, së bashku me shokët e tij. Ju keni gjithashtu këngëtarë të mrekullueshëm si Ana Durlovski, aktualisht njëra nga sopranot më të bukura, shfaqjet e rralla të së cilës përpiqem që mos t`i humbas. Ditët e muzikës maqedonase, festivali i xhazit dhe festivali i vallëzimit bashkëkohor, janë gjithashtu momente që nuk duhen humbur; do të jemi të lumtur kur artistët francezë do të gjenden në program dhe po përpiqemi ta mbështesim ardhjen e tyre. Është e rëndësishme që Shkupi të mbetet një qytet i kulturës dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Gjithashtu, i vlerësoj shumë ekspozitat e ndryshme, të organizuara nga Galeria Kombëtare. Aktivitetet tona të shumta kulturore të përgatitura nga Instituti Francez (http://www.ifs.mk) përfaqësojnë mundësinë për një shkëmbim shumë të pasur me intelektualët e këtij vendi. Bisedimet me Luan Starovën ose me Vladimir Martinovin gjithmonë përfaqësojnë një pasurim dhe begatim shpirtëror.

2. Vendi ynë me guxim dhe me vendosmëri po hapëron në rrugën e integrimit euroatlantik. Cilat janë tri gjërat më të rëndësishme që, sipas jush, do të jenë përfituese për ne, me anëtarësimin tonë në BE dhe në NATO, në veçanti, çfarë do të përfitonte vetëqeverisja lokale?

Marrëveshja e Prespës e ka zhbllokuar rrugën. Pranimi në NATO është një garanci e re për sigurinë e përbashkët, veçanërisht nëse investohet njëkohësisht në mbrojtjen evropiane, e cila është në zhvillim e sipër, kryesisht e nxitur nga Franca. Faza e re, pa dyshim dhe më e rëndësishmja, do të jetë hapi i ri drejt Bashkimit Evropian, në të cilin ju keni vokacion që të bashkoheni. Rruga është e gjatë, por në atë rrugë, jemi të gatshëm t’ju ndihmojmë, ashtu siç bëmë edhe në vitin 1963. Bashkimi Evropian mund të kontribuojë shumë në planin lokal, në aspektin e ndihmës materiale dhe teknike, si dhe të mbështesë shkëmbimin ndërkombëtar. Është e vërtetë se ka pasur ngecje dhe vonesa në dekadën e fundit dhe se tani është e nevojshme që ta arrijmë atë që nuk është përmbushur. Kur jemi te salla “Partizani”, le të frymëzohemi nga e kaluara, për të korrigjuar gabimet dhe për të ruajtur frymën e rindërtimit dhe bashkëpunimit nga vitet ’60. Kur ndodhi tërmeti, Sartri i shkroi këto fjalë që rrezatojnë shpresë: "Shkupi nuk është një film i zhanrit triler, ku hamendësojmë se cila është ngjarja kryesore. Shkupi është përqendrimi i luftës njerëzore për liri, me një rezultat që frymëzon luftërat e ardhshme dhe refuzimin e humbjeve ". Vendi vazhdoi të hapërojë, dhe kjo ndihet veçanërisht në Karposh, sepse vitaliteti i demokracisë lokale është barometri më i mirë për realitetin ekonomik dhe social, veçanërisht nëse ushtrohet dhe praktikohet mbi ndarjet partiake, në frymën dhe kuptimin e të mirës së përbashkët.

JPEG

publie le 08/04/2019

hautdepage