Intervista e znj. Elen Konve-Mure, dhënë për Agjencinë e Lajmeve "MIA" [fr] [mk]

"Franca nuk dëshiron të bllokojë procesin e zgjerimit, Franca ka vënë në pah faktin, se sot, Bashkimi Evropian, mund të mos jetë i gatshëm të pranojë vende të reja. Është e nevojshme të rishikohen një sërë kriteresh, që lehtësojnë pranimin e vendeve të reja kandidate”, thekson senatorja Elen Konve-Mure, në intervistën e saj, dhënë për Agjencinë e Lajmeve “MIA”, ditën e hënë, më 4 nëntor.

JPEG

Franca vuri veton ndaj dhënies së datës për negociatat e pranimit të BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Presidenti francez Makron ka paralajmëruar një reformë të procedurës së negociatave, por nuk ka dhënë propozime për këtë. A ka ndonjë projekt-dokument, me të cilin Parisi do të dalë me propozime konkrete, që do të përfshihen në metodologjinë e re?

- Fillimisht do dëshiroja të korrigjoja një fjalë, të cilën e keni përdorur. Nuk bëhet fjalë për veto, as për refuzim nga Franca, sepse Franca nuk dëshiron të bllokojë procesin, por ajo vetëm se u shpreh negativisht në lidhje me këtë çështje, sepse ndoshta sot BE, nuk është e gatshme të pranojë shtete të reja anëtare dhe është e domosdoshme të shihen kriteret e caktuara, që do të ndihmojnë në anëtarësimin dhe pranimin e vendeve të reja kandidate. Pra, unë dua të korrigjohet ajo fjalë, kjo është shumë e rëndësishme, sepse e kuptojmë që sinjali që u dha është shumë negativ dhe nuk duam, që ajo të nxisë një reagim kundër Francës dhe pozicionit të saj, por ai mesazh duhet të kuptohet që nuk bëhet fjalë për veprim negativ ndaj Maqedonisë. Franca beson se të gjitha vendet e rajonit janë pjesë e kontinentit evropian, por sot është mbase tejet e nevojshme, që BE të reformohet brenda saj. Kjo gjë varet nga Kryetari i shtetit dhe nga pushteti ekzekutiv, e jo nga Parlamenti, pjesë e të cilit jam edhe unë. Ajo që mund të them është se marrëdhëniet midis Parlamentit të Maqedonisë së Veriut dhe Francës janë të shkëlqyera. Disa ditë më parë pritëm një delegacion në Paris, unë jam këtu në këtë dialog, i cili po vazhdon mes parlamenteve. Diplomacia parlamentare është shumë aktive, siç është edhe ambasadori ynë, i cili transmeton pozicionin e Francës në Maqedoni dhe i shpjegon qëndrimet tona.

Në deklaratat e deputetëve pas takimeve me ju, thuhet se në Francë, tanimë po punohet rreth propozimeve për reformimin e metodologjisë, të cilat së shpejti duhet të paraqiten para anëtarëve të BE-së. A mund të na thoni, që akoma mund të shpresojmë, për një afat të caktuar kohor, kohë kjo kur ato propozime mund të bëhen publike?

- Është krejt e natyrshme dhe logjike, që pas deklaratës së Presidentit Makron për domosdoshmërinë e reformimit e kritereve të anëtarësimit, Franca të bëjë propozime. Ekzekutivi sigurisht është duke punuar në këtë drejtim, por unë nuk kam mundësi t’ju jap afatet. Ajo që mund t’ju them është se ka nevojë për urgjencë, për të cilin ekzekutivi në Francë është i vetëdijshëm, në mënyrë që të mund të ecet përpara sa më shpejt që të jetë e mundur, për të dhënë qartësi, për atë që pritet nga Maqedonia dhe Shqipëria.

Vendeve të rajonit, në vend të anëtarësimit të plotë, nga qarqe të larta evropiane, iu është ofruar një alternative e quajtur "zona ekonomike evropiane" (një formë e tregut më të gjerë evropian, por jo anëtarësim në institucionet politike) për fqinjët e BE-së, të cilën vendi ynë e hodhi poshtë si propozim. Cili është qëndrimi i Parisit për këtë çështje?

- Kjo nuk është diskutuar asnjëherë në Parlamentin e Francës. Nuk e di që ekziston një dokument i tillë. Sot po flasim për anëtarësimin e plotë të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkim. Kjo është arsyeja, pse unë besoj se ajo që është propozuar nga Franca sot për reformën e kritereve, nuk shkon përtej asaj që e ka thënë kryetari francez, për reformën, pikërisht të atyre kritereve dhe nuk do të kisha asgjë tjetër për të shtuar në këtë drejtim.

Ju jeni autore e Raportit të Senatit për mbrojtjen në rajon. A mundet që vendimi i tillë i Francës për mosdhënie të datës për negociatat midis Shkupit dhe Tiranës, të ketë një ndikim në stabilitetin dhe sigurinë në rajon?

- Nuk i kam të njohura kërcënimet momentale, që mund t`i shfaqen Maqedonisë. Unë mendoj se hapja e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, nuk ka asnjë lidhje me stabilitetin në rajon dhe në muajt e ardhshëm nuk shoh, ndonjë kërcënim që mund të shfaqet për Maqedoninë. Raporti për të cilin kam punuar është një raport dhe një lloj reflektimi, për mënyrën se si do të duhet të garantojmë sigurinë evropiane dhe atë të kontinentit evropian. Dhe sigurisht që vendi juaj është një pjesë integrale e këtij kontinenti dhe është në një rajon me rëndësi të madhe gjeostrategjike dhe politike. Sepse kontinenti evropian sot është nën kërcënime të caktuara, veçanërisht nga kërcënimet terroriste, që kanë goditur tashmë disa vende, nga valët e migracionit, që krijojnë një lloj presioni politik, së paku në planin politik, në lidhje me thithjen dhe pranimin e atyre popullsive të reja, dhe ju jeni një zonë transiti, një zonë kalimi i trafikimit ilegal të njerëzve, të lidhur ngushtë me ato flukse të migrimit, në veçanti me ato të trafikimit të drogës dhe armëve. E gjithë kjo ushqen mafien dhe rrjetin ndërkombëtar, dhe ne do të duhet të japim një përgjigje kolektive ndaj këtyre fenomeneve negative, e jo t’i lëmë vendet, që janë në pararojë, të vuajnë dhe duhet t`i zgjidhin ato probleme vetë. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të kemi atë mendim kolektiv dhe atë veprim kolektiv në nivelin evropian.

Procedura për ratifikimin e Protokollit për anëtarësimin e RMV-së në NATO po vazhdon. Deri më tani, 26 shtete anëtare të Aleancës kanë përfunduar ratifikimin, ndërsa në Francë procedura është në gjysmë të rrugës. (Senati Francez miratoi në leximin e parë Projektligjin për ratifikimin e Protokollit të Anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. Mbetet tani, që dokumenti të ratifikohet nga Asambleja Kombëtare, gjatë leximit të dytë). Kur pritet që Parisi të përfundojë ratifikimin e Protokollit?

- Është e vërtetë, që ne e ratifikuam protokollin në Senat pa asnjë problem, dhe më pas i konsultova kolegët e mi në Parlamentin Francez, të cilët më thanë që kjo varet nga agjenda e Kuvendit dhe se ratifikimi do të ndodhte shumë shpejt në Asamblenë Franceze, dhe që nuk do të kishte fare problem.

A do të ndodh kjo përpara mbajtjes së Samitit të Aleancës në Londër, i planifikuar të mbahet më 3-4 dhjetor?

- Ndoshta, por nuk mund ta konfirmoj këtë, nuk mund t’ju jap një datë të saktë, sepse kolegët e mi nga Parlamenti Francez, nuk kanë një datë të caktuar. Ajo që mund t’ju them është se nuk do të ketë asnjë problem në votimin në Asamblenë Kombëtare Franceze. Do të dëshiroja të shtoja diçka në lidhje me pyetjen e mëparshme, që shtruat në lidhje me pozicionin e Maqedonisë së Veriut në atë Evropën e mbrojtjes. Unë mendoj se sot është e nevojshme të intensifikohet bashkëpunimi në të gjitha nivelet, veçanërisht bashkëpunimi në trajnimin e personelit ushtarak, inteligjencës, shkëmbimin e informacioneve të ndjeshme. Dhe kur të pyesni se, cili është vendi i Maqedonisë në nivelin dypalësh, unë do t’ju them, se ne po përpiqemi të intensifikojmë bashkëpunimin dypalësh, ngase ju po ndihmoni në këtë drejtim, me emërimin e atasheut tuaj ushtarak në Francë, i cili së shpejti do të fillojë të punojë në Paris dhe ne jemi të lumtur për këtë, për shkak se ai do të ketë mundësinë të bashkëpunojë në mënyrë dypalëshe me atasheun tonë këtu, përgjegjës për këtë rajon.

A mund të presim një bashkëpunim shumë më të madh ushtarak midis Francës dhe Maqedonisë së Veriut, në periudhën e ardhshme vijuese, veçanërisht me zyrtarizimin e pritshëm të anëtarësimit tonë në NATO?

- Kuptohet, që po. Këto janë dy gjëra të ndryshme, sepse anëtarësimi në NATO, do të na vendosë në të njëjtën organizatë. Aty ka stërvitje dhe mundësi për ndërveprim (interoperabilitet) të armatave. Por, ajo që ka rëndësi dhe ajo për të cilën duhet të punojmë, është bashkëpunimi dypalësh për çështjet me interes të përbashkët - luftimin e trafikimit ilegal, që lidhet me luftën kundër korrupsionit, e të cilat janë të nevojshëm kudo në Evropë, si dhe trajnimet gjuhësore, sepse Franca do të ndihmojë në trajnimin e personelit ushtarak të Maqedonisë së Veriut, për të qenë pjesë e misioneve në Bruksel dhe Mons dhe për të përdorur të njëjtën përgatitje. Zhytësit e vendit tuaj, do të trajnohen gjithashtu në anijet franceze në Detin Adriatik. Kjo do të na mundësojë, të realizojmë një sërë ushtrimesh dhe të punojmë së bashku, por kjo nuk do të na pengojë që në planin dypalësh mos të kemi bashkëpunim, por përkundrazi, do të realizojmë shumë bashkëpunime dhe projekte, që janë shumë të rëndësishme.

Agjencia Franceze e Zhvillimit është pjesë e Strategjisë Franceze për Ballkanin Perëndimor. Mund të na thoni kur prite, që ajo të vihet në funksion?

- Unë mendoj se tashmë ekziston një projekt, për të cilin po diskutohet me qytetin e Shkupit, që ndërlidhet me transportin publik. Unë dua të them, që prania e Agjencisë Franceze të Zhvillimit, do të specifikohet së shpejti dhe për këtë arsye ka vizita të rregullta. Teksti i marrëveshjes, që do të nënshkruhet nga të dy vendet, është aktualisht duke u punuar. Ideja është që të zbatohen projekte në fushën e mjedisit jetësor, ndërsa propozimet do të vijnë nga vetë vendet, në të cilat do të jetë e pranishme Agjencia Franceze e Zhvillimit. Ajo gjithashtu siguron ndihmë edhe për projekte mbi mundësi të barabarta dhe në luftimin e pabarazisë gjinore, pasi se është edhe prioritet i Presidencës Franceze të Këshillit të Evropës. Agjencia gjithashtu do të ndihmojë në zbatimin e projekteve në fushën e urbanizmit dhe transportit publik, të cilat do të prezantohen, kur të vijë koha. Mund të konfirmoj, që ka një vendim nga Agjencia Franceze e Zhvillimit, që të fillojë së shpejti të veprojë në rajon. Është diçka e re dhe dëshmi, se Franca është e interesuar për këtë rajon, jo vetëm në aspektin e sigurisë, por edhe për sa i përket planit të zhvillimit.

publie le 07/11/2019

hautdepage