Intervistat e ambasadorit Alen Lë Rua, dhënë për Veçer, Fokus dhe MIA [fr] [mk]

Zoti Alen Lë Rua, ambasador i Francës, përfaqësoi kryeministrin Eduard Filip, në ngjarjet e organizuara në Shkup, më 25 dhe 26 shkurt, nga ana e Fondacionit " Boris Trajkovski", me rastin e shënimit të 15 vjetorit të vdekjes tragjike të kryetarit. Me këtë rast, ambasadori Lë Rua i’u përgjigj pyetjeve të gazetarëve nga Veçer, Fokus dhe MIA, në lidhje me ceremoninë përkujtimore-komemorative, si dhe në lidhje me situatën politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe perspektivat e saj, pas ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës.

VEÇER:

JPEG

1. Zoti ambasador, ju ishit përfaqësuesi special i BE-së në Maqedoni gjatë një periudhe kritike, asaj pas konfliktit, në vitin 2001 dhe 2002. Jeni një mik i shtetit tonë dhe anëtar i grupit të miqve "Ohri", jeni një personalitet që ka dhënë angazhim të çmuar për vendin tonë. Jeni larguar nga Republika e Maqedonisë, tani keni ardhur në Republikën e Maqedonisë së Veriut – si po ndjeheni?

Kam ardhur për të përfaqësuar kryeministrin tonë, i cili ishte i ftuar në ceremonitë që shënojnë pesëmbëdhjetë vjetorin e vdekjes së kryetarit Trajkovski. Dua të them se vendin tuaj e lidhin gjëra shumë të forta me Francën, që nga epoka e Robert Badinterit, ndërsa edhe unë kam pasur nderin që të punojë për stabilizimin dhe konsolidimin e këtij vendi, e veçanërisht për paqen në të, për shkak se ky vend më fle në zemrën time dhe e dua shumë. Por asgjë nuk do të ishte e mundur të arrihej pa mbizotërimin e frymës së arsyes dhe kompromisit, të demonstruar nga autoritetet e Maqedonisë, si për shembull nga kryetari Trajkovski, të cilin e kujtoj me shumë emocione dhe i cili, me cilësitë e tija për lidership, me përgjegjësitë, ndershmërinë dhe integritetin e çmuar, u bë tejet i njohur në Maqedoni, cilësi këto gjithmonë të njohura dhe të pranuara nga krerët evropianë si Havier Solana, i cili kishte besim të madh tek kryetari Trajkovski.

Unë vetë mund të dëshmoj se kryetari Trajkovski ishte i interesuar vetëm për të ardhmen e vendit të tij dhe të gjithë qytetarëve të vendit, e jo për të ardhmen e tij personale.

Kushtetuta tani e forcoi pozitën e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, si një nga themelet e marrëveshjes kombëtare. Por tani, hapet një fazë e re, me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Prespës. Si një anëtar i grupit të Ohrit të personaliteteve që kanë qenë të angazhuar për të ardhmen e vendit, jam i lumtur që u bë ky hap dhe do të doja t`i përgëzoja ata që morën pjesë në realizimin e tij dhe që i`a dolën t`i bindin ata, që kishin frikë nga pasoja negative. Republika e Maqedonisë së Veriut është një realitet ndërkombëtar, i mirë për paqen botërore, për Evropën dhe për qytetarët e saj.

2. U zgjidh çështja e emrit, që datonte për vite me radhë, gjatë kohë. Tashmë Marrëveshja e Prespës është në fuqi. A është i lumtur komuniteti ndërkombëtar me ritmin?

Është e qartë se ndryshimi i emrit po ndodh në një ritëm të përshpejtuar në marrëdhëniet dypalëshe dhe ndërkombëtare. Reagimi i komunitetit ndërkombëtar, duke filluar nga Kombet e Bashkuara, është duke lëvizur në drejtimin e pritur dhe po pasqyron lehtësimin e përgjithshëm të mosmarrëveshjes së vjetër, që daton më se një çerek shekulli. Gjithsecili duhet t`i kundrojë dhe shoh pasojat praktike juridike, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Procesi i integrimit në NATO po ndodh shumë shpejtë: përgjigjja e aleatëve është e njëzëshme, e premtimi u mbajt përmes nënshkrimit të menjëhershëm të Protokollit për Anëtarësim dhe nga një seri ratifikimesh që po vijojnë, duke përfshirë edhe atë të Francës. Gjithashtu, vërej se dinamika dypalëshe është shumë e fortë, pasi të dy qeveritë kanë shpalosur synimin e tyre për t`i hequr shpenzimet e shërbimit roaming mes dy vendeve, si një sinjal i dëshirës së tyre për të lehtësuar lëvizjen dhe këmbimet tregtare. Nga ana franceze, e shoh rezultatin e parë praktik, me nënshkrimin, nga ana e ministres sonë për çështje evropiane, të një marrëveshjeje për zhvillimin e paraleleve dygjuhëshe (bilinguale) në Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që ky tekst ishte bllokuar vite me radhë, për shkak të mungesës dhe mospasjes së një emri, të pranuar ndërkombëtarisht.

3. Është i njohur qëndrimi i presidentit francez Emanuel Makron, që Ballkani Perëndimor dhe Maqedonia nuk mund të hyjnë në BE pa përmbushur kriteret. Sidoqoftë, kryetari Makron nëpërmjet një video-porosie dha mbështetje të qartë për Marrëveshjen e Prespës dhe për ndryshimin e emrit, si dhe i bëri thirrje vendit, që të qëndrojë në rrugën evropiane. Vallë, a do të marrë vendi, tani si Maqedoni e Veriut, një dritë jeshile nga Franca për t’iu bashkuar BE-së?

Marrëveshja e Prespës heq pengesën kryesore të mosmarrëveshjes për emrin, e cila ishte mbërthyer për më shumë se njëzet e pesë vite me radhë dhe në të vërtetë nuk mund ta themi asnjëherë sa duhet rëndësinë e asaj marrëveshjeje që hapi dyert e NATO-s. Por çështja e nisjes së negociatave gjithmonë është varur nga përmbushja e kritereve precize dhe të qarta, përveç asaj të zgjidhjes së çështjes së emrit.

JPEG

4. Si po e vlerësoni zbatimin e reformave në vend?

Marrëveshja e Ohrit mundësoi që shteti të konsolidohet dhe të ofrojë kushte për stabilizimin e komuniteteve. Koha për reforma të mëtutjeshme tani vjen në bazë të kërkesave të Bashkimit Evropian, dhe mbi të gjitha të qytetarëve të të gjitha komuniteteve, në favor të një administrate dhe drejtësie demokratike dhe efikase.

5. A mund të presë Republika e Maqedonisë së Veriut në qershor, marrjen e një date për fillimin e negociatave me BE-në dhe sipas mendimit tuaj, cila fushë është më kritike, për t`u përmbushur?

Çështja u shty vitin që shkoi, për në vitin 2019, dhe shtetet anëtare do të shqyrtojnë me kujdes progresin e bërë. Fushat janë të identifikuara qartë, e poashtu janë të vendosura edhe agjendat. Mendoj se çështjet më të rëndësishme janë reforma në fushën e drejtësisë dhe administratës dhe në përgjithësi sundimi i ligjit apo shteti i së drejtës.

6. Partia opozitare VMRO-DPMNE, ngriu pjesëmarrjen e sa në procesin "Zhan Mone" për shkak të një sërë arrestimesh. A prisni një krizë të re politike, duke pasur parasysh faktin se procesi është konceptuar si një kornizë për pajtimin midis qeverisë dhe opozitës

Unë nuk e ndjek më politikën e brendshme në Maqedoni në baza ditore, por mendoj se janë ende të pranishme pasojat e ngjarjeve të dhimbshme të 27 prillit. Më duket se ka një përpjekje të përgjithshme për ta mbyllur atë faqe dhe për hapur një tjetër. Por kjo nuk do të ndodhë pa sqaruar dhe zbardhur faktet dhe pa u identifikuar dhe qartësuar disa nga përgjegjësitë kryesore, që shpien në dhunën e papranueshme.

Megjithatë, gjëja më e rëndësishme është krijimi i kushteve politike për bashkëpunim midis forcave politike dhe mekanizmave parlamentarë, që do të parandalojnë kthimin e një dhune të tillë. Ajo hapi një sërë çështjesh rreth kapacitetit të vendit, për të përmbushur kërkesat minimale për një demokraci funksionale, e që fatkeqësisht edhe më tej rëndon dhe peshon mbi imazhin e vendit në rrugën e tij evropiane. Nga përvoja, ne vetëm mund të shpresojmë që të kthehemi në harmoninë e brendshme, që është thelbësore për përparimin e vendit. Ky është një detyrim dhe detyrë për të gjithë udhëheqësit, si nga radhët e shumicës, ashtu edhe nga radhët e partive opozitare, për shkak të interesit kombëtar.

7. Vendi po bëhet gati për zgjedhje presidenciale. Duke pasur parasysh përvojën tuaj të gjatë politike dhe diplomatike, a mendoni se zgjedhja e një presidenti konsensual është një zgjidhje e mirë për Maqedoninë e Veriut?

Suksesi i këtyre zgjedhjeve do të jetë një element tejet pozitiv për imazhin e jashtëm të vendit, si dhe për stabilizimin e tij të brendshëm. Presidenti i pranuar dhe i respektuar nga të gjitha komunitetet, i cili do të integrojë diversitetin (shumëllojshmërinë) e vendit, mund të ketë një rol të rëndësishëm pozitiv në periudhën e reformës dhe përshtatjes.

8. Vendi ynë u ul së bashku me aleatët e tij në të njëjtën tavolinë, brenda Aleancës Veri-Atlantike. Si njohës i mirë i situatës në rajon dhe në vend, a paraqiste Maqedonia rrezik për sigurinë, nëse nuk do të ndryshohej emri dhe nëse do të mbeteshim jashtë Aleancës? A mund të themi tani se janë të larguara dhe shmangura të gjitha kërcënimet ndaj sigurisë së Maqedonisë së Veriut? Megjithatë, ky është Ballkani, e përveç kësaj problemet mes Serbisë dhe Kosovës, si dhe çështja e Republikës Serbe të Bosnjës, janë ende të pazgjidhura.

Është e qartë se vendi po fiton besimin për të hyrë në aleancën më të fuqishme ushtarake në botë, e cila nuk është e drejtuar kundër askujt, por që garanton sigurinë reciproke të anëtarëve të saj. Ky është fryt i një procesi të bashkëpunimit dhe shkëmbimit, e që suksesi i arritur është falë edhe rezultateve dhe punës së disa qeverive të mëparshme dhe të gjithë atyre që kanë punuar në reformat e nevojshme teknike. Mirëpo, duhet që edhe më tej të bëhen disa përmirësime, por flamuri që do të vendoset dhe valojë deri në fund të vitit në Bruksel, do të simbolizojë përparimin e qartë të sigurisë suaj, atë të Evropës, si dhe të rajonit. Ne të gjithë, duhet të vazhdojmë veprimin tonë të përbashkët për të stabilizuar rajonin në tërësi. Franca ka luajtur një rol të rëndësishëm në këtë drejtim dhe mbetet e interesuar drejtpërdrejt në zgjidhjen afatgjate dhe të qëndrueshme të mosmarrëveshjeve ekzistuese. Nuk duhet harruar se operacioni “Konkordia”, i cili u zhvillua këtu në vitin 2001, ishte operacioni i parë ushtarak paqeruajtës nën flamurin evropian dhe ilustron interesin e drejtpërdrejtë të Bashkimit Evropian për paqen në këtë rajon.

9. Franca ishte njëri nga vendet e goditura nga sulmet terroriste. Dhjetë ditë më parë kishte informacione për një sulm të parandaluar në vendin tonë, por pa u dhënë më shumë detaje, gjë që shkaktoi reagime publike. Sipas përvojës franceze, a ka vend këtu për panik?

Unë nuk mendoj se informatat e pak ditëve më parë flasin për një kërcënim serioz, për një sulm të thellë në vend. Megjithatë, ne ndajmë të njëjtat rreziqe dhe duhet të mbrojmë të njëjtat vlera së bashku. Në fakt, kjo është edhe domethënia dhe rëndësia e rrugës drejt integrimit atlantik dhe evropian, nëpër të cilën, fatmirësisht, vazhdon të hapërojë Republika e Maqedonisë së Veriut.

FOKUS:

JPEG

Alen Lë Rua për "Fokus": Shpresoj se njerëzit nga Maqedonia nuk do t`i bojkotojnë zgjedhjet presidenciale.

Diplomati francez dhe politikani, Alen Lë Rua, para ca ditësh, qëndroi në Maqedoni, për të shënuar 15 vjetorin e vdekjes tragjike të presidentit Boris Trajkovski.

Në periudhën e krizës së vitit 2001, ai ishte përfaqësues special i BE-së, e në bisedën e zhvilluar për gazetën "Fokus", ai kishte vetëm fjalë lavdëruese për punën e presidentit Boris Trajkovski.

"Boris Trajkovski ishte një njeri i denjë dhe i ndershëm. Ai nuk ishte populist apo demagog, por ishte një njeri i paqes, që donte të dëgjonte se çfarë mendonin njerëzit dhe ishte i mbushur me vetëbesim të plotë. Ne, që bashkëpunuam me të, i besonim atij, sepse ishte i sinqertë, përgjegjës dhe person me integritet. Kjo ishte shumë e rëndësishme për atë periudhë. Nëse nuk ishte popullor ato vite, vetëm tani mund të shohim dhe ndjejmë kontributin e tij në këtë shtet. Isha dëshmitar i asaj, se si Trajkovski ishte besnik ndaj vendit të tij dhe ishte shumë i shqetësuar për të gjithë njerëzit në Maqedoni dhe për të gjitha komunitetet ", thotë Lë Rua.

Kanë kaluar 18 vite nga konflikti i vitit 2001, dhe sipas Lë Rua-s, është tejet pozitive që Maqedonia e ka kapërcyer këtë problem.

"Ne jemi tashmë në një kohë tjetër. Pasi mbërrita, u nënshkrua Marrëveshja dhe unë erdha, pikërisht për zbatimin e kësaj Marrëveshjeje. Falë presidentit Trajkovski dhe shtetarëve të tjerë, Maqedonia mundi ta kapërcente problemin, sepse situata mund të përkeqësohej shumë. Shihni se çfarë ndodhi në vendet fqinje, "thotë Lë Rua.

Sipas tij, nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë ishte një gjë e mirë për Maqedoninë.

"Ajo ishte një ofensivë pranverore dhe ne ishim të gjithë të frikësuar. Ishin kohëra të tjera, shikuar nga perspektiva e sotme. Por shikoni sot, situata është shumë më e mirë, edhe pse shteti ka disa probleme ekonomike. Njerëzit në atë kohë donin të konfrontoheshin, por Boris Trajkovski ishte një njeri i paqes. Unë mendoj se nënshkrimi i Marrëveshjes Kornizë ishte një gjë e mirë për Maqedoninë, "shtoi diplomati francez.

Zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë është një hap inkurajues për Republikën e Maqedonisë, tha Lë Rua.

"Të gjithë e dimë se kontesti i emrit me Greqinë ishte një pengesë kryesore për integrimin e Maqedonisë në NATO. Ishte hap shumë i guximshëm gjetja e një zgjidhjeje, e përveç kësaj, e dimë se të gjitha vendet e BE-së, mirëpritën dhe përshëndetën Marrëveshjen e Prespës. Tani më kjo është zgjidhur edhe në të dy parlamentet - në Shkup dhe në Athinë ".

Sipas diplomatit francez, në Maqedoni do të forcohet siguria, me hyrjen e vendit në NATO.

"Është e qartë se Maqedonia do të fitojë më shumë siguri, pasi që të bëhet anëtare e NATO-s. E shihni edhe vet, se si fqinjët po flasin për ndryshimin e kufijve. Nëse Maqedonia gjendet në telashe, këtu është NATO-ja që të ndërhyjë ", shtoi Lë Rua.

Muajt e fundit në Francë, po ndodhin protesta të shumta të "jelekëve të verdhë" për shkak të rritjes së çmimeve të karburantit në vend.

"Franca ka shumë njerëz me shpirt revolucionar dhe për këtë arsye edhe ndodhën protestat e " jelekëve të verdhë". Në vendin tonë, kanë ndodhur gjithmonë gjëra të tilla dhe kjo është një demonstrim demokratik. Qeveria franceze ka marrë masa të shumta, për të përmbushur kërkesat e tyre. Në vendin tonë po zhvillohen debate të shumta, për të dëgjuar kërkesat e tyre, për të bërë reformat e nevojshme ", shtoi Lë Rua.

Ai është i njohur me problemet në Maqedoni, por nuk beson se një lëvizje e ngjajshme me "jelekët e verdhë" do të ndodhë ndonjëherë edhe në vendin tonë.

"Unë nuk mendoj se fenomeni i" jelekëve të verdhë "do të ndodhë ndonjëherë në Maqedoni. E di që në Maqedoni ka probleme, ka shumë varfëri, por nuk është njësoj. Në Francë kemi një traditë për revolucione dhe të tillë janë edhe njerëzit. Sa i përket Maqedonisë, paqja është këtu, e poashtu edhe stabiliteti. Shpresoj që në Maqedoni do të ketë zgjedhje të suksesshme presidenciale dhe besoj se njerëzit nuk do të shkojnë përsëri drejt bojkotit. Me zgjedhjen e një presidenti të ri dhe me hyrjen në NATO, në Maqedoni do të vijnë investime të reja, "përfundoi bisedën Alen Lë Rua.

MIA:

JPEG

Vendimet e guximshme, të marra nga udhëheqësit e vendit dhe Marrëveshja e Prespës, i mundësojnë Maqedonisë, të bëhet anëtare e NATO-s në vitin 2019, e shpresoj që shumë shpejtë edhe anëtare e BE-së, tha në një bisedë të shkurtër për “MIA” , ambasadori i Francës Alen Lë Rua, i cili, me ftesë të Fondacionit “Boris Trajkovski”, mori pjesë në një panel diskutimi, i cili u mbajt këtë javë në Shkup, me rastin e 15 vjetorit të vdekjes tragjike të kryetarit Trajkovski.

- Unë mund të them një gjë – që në vitin 2001, mund të ndodhte një luftë civile e tmerrshme, por falë liderëve si Boris Trajkovski, një luftë e tillë u shmang. Humbën jetën më pak se 100 veta. Nëse bëni një krahasim me vendet fqinje, Maqedonia ka bërë arritje të mëdha, që i`a doli të kapërcejë krizën, me më pak se njëqind të vdekur dhe falë kjo liderëve, duke përfshirë këtu edhe Boris Trajkovskin. Ajo periudhë nuk mund të krahasohet me situatën sot dhe unë jam i kënaqur, që vendi ka liderë që marrin vendime të guximshme, që i mundësojnë Maqedonisë, falë Marrëveshjes së Prespës, t`i bashkohet NATO-s në vitin 2019, dhe shpresojmë edhe BE-së sa më parë , thotë Lë Rua, në pyetjen se si e vlerëson situatën sot në vend, nga perspektiva e vitit 2001.
Ambasadori Lë Rua është një mik i përkushtuar i Maqedonisë së Veriut. Ai ishte përfaqësues i Bashkimit Evropian gjatë kohërave më kritike për vendin tonë, duke zëvendësuar Fransoa Leotarin, në tetor të vitit 2001. Ai konsiderohet si një njohës i rryer i situatës në rajon. Në ngjarjet e organizuara me rastin e shënimit të përvjetorit të vdekjes së presidentit Trajkovski, ai përfaqësonte kryeministrin francez Eduar Filip. Lë Rua është anëtar i grupit "Ohri", i formuar në vitin 2018, qëllimi i të cilit është të ndihmojë integrimin e vendit tonë në Aleancë. Udhëheqësi i këtij grupi joformal është ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Xhorxh Robertson. Ky grup përbëhet prej figurave me ndikim, të cilët në të kaluarën kanë qenë në funksione të rëndësishme në organizatat ndërkombëtare ose në pozita të larta në shërbimin shtetëror të personaliteteve të shquara botërore në diplomaci.

Herën e fundit, ai ishte në Maqedoni, para katër muajsh, respektivisht para mbajtjes së referendumit.
- Isha i dërguar nga qeveria franceze në shenjë mbështetjeje për referendumin dhe për të përkrahur Marrëveshjen e Prespës, ngase qeveria franceze e mbështet fuqimisht këtë marrëveshje," theksoi diplomati francez me përvojë.
Lidhur me ratifikimin nga Franca të protokollit për anëtarësim të vendit tonë në NATO, ai nuk ka ndonjë informatë për datën se kur kjo do të ndodhë.
- Nuk e di nëse ka një datë konkrete për ratifikimin e protokollit për anëtarësim në NATO. Unë shpresoj se kjo do të ndodhë në muajt në vijim, por ky protokoll do të ratifikohet nga parlamentet e të gjithë anëtarëve deri në fund të këtij viti, thotë Lë Rua.
Për procesin e integrimit në BE dhe për atë nëse zgjerimi mund të pengohet nga këmbëngulja e disa shteteve anëtare të BE-së, për shkak të domosdoshmërisë fillimisht të zbatimit të reformave të brendshme, Lë Rua thekson rëndësinë e reformave në Bashkimin Evropian, por edhe ato në vendin tonë.
- Mendoj se kjo do të vendoset në qershor dhe pas zgjedhjeve në Parlamentin Evropian. Shpresojmë që do të ketë reforma në kuadër të BE-së dhe Maqedonisë. Vendimi do të merret në qershor dhe unë nuk mund të parashikoj se çfarë do të jetë ai, u shpreh Lë Rua.
I pyetur se ku do të jetë vendi pas një viti, ai nuk ka dilema për arritjen e anëtarësimit të plotë në NATO deri në fund të vitit, mirëpo është i përmbajtur për negociatat me BE-në.
- Deri në fund të vitit, Maqedonia do të jetë anëtare e plotë e NATO-s dhe shpresojmë se në të njëjtën kohë, vendi do të fillojë negociatat me BE-në. Por nuk mund të parashikoj asgjë për këtë. Këshilli i BE-së do të vendosë në qershor për këtë, thotë ambasadori francez Alen Lë Rua.

PNG

publie le 03/03/2019

hautdepage