« Intervistë ekskluzive » Kristian Timonie: Qeveria e re ka restauruar imazhin ndërkombëtar të vendit [fr] [mk]

Të shtunën, më 9 dhjetor, ambasadori i dha një intervistë agjencisë së lajmeve “Zhurnal” për situatën aktuale politike në Maqedoni, zbatimin e axhendës së qeverisë, luftën kundër korrupsionit, si dhe perspektivat evropiane të vendit dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Me këtë rast, ai theksoi kontributin e Francës në strategjinë e re të reformës së drejtësisë nëpërmjet bashkëpunimit me Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, por edhe në procesin kompleks të përafrimit me BE-në, duke i siguruar zëvendëskryeministrit përgjegjës për integrimin evropian, një specialist të nivelit të lartë, i cili mund ta këshillojë atë duke ndarë përvojën e tij të pasur në lidhje me situatën në Bruksel.

JPEG

Zhurnal: Cila është vlerësimi juaj për qeverinë aktuale të Maqedonisë?

Kristian Timonie: Qeveria e tanishme e ka kthyer vendin në rrugën e integrimit drejt Bashkimin Evropian dhe Aleancës Atlantike, ku më herët kishte stagnuar, madje në disa aspekte kishte bërë edhe hapa mbrapa, siç tregohet në raportin e fundit të progresit të Komisionit, ku fusha e vetme e progresit ishte peshkimi! Qeveria e re ka restauruar imazhin ndërkombëtar të vendit me shpresën se kriza politike në Maqedoni tanimë është e mbyllur, pas dy zgjedhjeve të cilat sipas standardeve ndërkombëtare kanë përmbushur kriteret OSBE-së, megjithëse ende mbetet për t`u bërë në këtë drejtim. Agjenda e reformës 3-6-9 në thelb përsërit rekomandimet e organeve përkatëse evropiane dhe përfaqëson një udhërrëfyes bindës. Marrëdhëniet me vendet fqinje janë përmirësuar ndjeshëm. Do të ishte edhe më mirë nëse do të kishim një proces politik më gjithëpërfshirës dhe më intenziv, ashtu siç edhe u premtua, më tutje një ndryshim më selektiv në aparatin shtetëror, duke marr parasysh dhe duke i dhënë më tepër përparësi aftësive në vend të lidhjeve partiake, por polarizimi i madh i shoqërisë gjatë këtyre të fundit, ka të ngjarë se e rriti fenomenin e largimit sipas përkatësisë partiake.. Kjo vetëm përforcon dëshirën tonë për të shoqëruar kryeministrin Zaev dhe ata që e mbështesin atë, në synimet e tij të sinqerta për të bërë reforma të thella në sistem, si dhe ndryshime drejt një sistemi të ri kulturës politike.

Zhurnal: A funksionon mirë procesi i reformave për anëtarësimin në NATO dhe BE?

Kristian Timonie: Zbatimi i agjendës evropiane kaloi nëpër disa vonesa me pasoja të një krize të gjatë politike, zgjedhjet lokale, përshtatjet e nevojshme midis kërkesave evropiane dhe disa ideve që nuk janë shumë të pajtueshme (kompatibile) me to. Afati i numërimit deri në qershor për një datë të mundshme për hapjen e negociatave për anëtarësim në BE është shumë i ngushtë dhe kërkon gjithashtu bashkëpunimin me opozitën. Është e nevojshme të gjindet një hapësirë e bashkëpunimit për të mirën e vendit në mënyrë që reformat e miratuara të mos mbeten vetëm në letër të thjeshtë, por të jenë shprehje e një dinamike të vërtetë evropiane të vendit. Kujtojmë natën e trishtuar dhe të dhimbshme të 27 prillit që ilustron vështirësitë e stabilizimit të demokracisë dhe shtetit të Maqedonisë. Është e nevojshme të pastrohen mirë llogaritë dhe të fillohet përsëri në bazën e një jete të shëndoshë politike, me një opozitë dinjitoze, e cila do të luajë plotësisht rolin e saj të korigjuesit dhe të përgatitet normalisht që të bëhet një alternative demokratike, por pa u harruar qëllimet strategjike të vendit, të cilat ajo thekson se i ndan së bashku me të gjithë. Për këtë, është e nevojshme një demokratizim i vërtetë i të gjitha partive politike. Dialogu me shoqërinë civile është një element i rëndësishëm që nuk duhet të harrohet, edhe pse shumë nga anëtarët e saj janë bashkuar me qeverinë. Cilësia e ndërveprimit midis Shoqatës së Gazetarëve dhe autoriteteve gjatë përgatitjes së ligjit të medias është një shembull i mirë i asaj çfarë mund të pritet. Nga ana tjetër, vërejtjet e duhura të Kryetarit të Parlamentit për modalitetet e arrestimit të disa deputetëve meritojnë vëmendje dhe reflektim: respektimi i qeverisjes së shtetit të së drejtës është i pandashëm. E njëjta gjë që vlen edhe për NATO-n, e cila pranon brenda gjirit të saj vetëm një vend të qëndrueshëm, që përparon drejt sundimit të ligjit, përveç plotësimit të kërkesave strikte politike, teknike dhe buxhetore dhe përmbushjes së kritereve të Aleancës. Franca po kontribon në këtë proces kompleks, duke vënë në dispozicion të zëvendëskryeministrit përgjegjës për integrime evropiane një specialist të nivelit të lartë që mund ta këshillojë atë duke i ofruar përvojën e tij të pasur në çështjet që kanë të bëjnë me situatën në Bruksel.

Zhurnal: A është mosmarrëveshja e emrit që Maqedonia ka me Greqinë i vetmi kusht që Maqedonia të hapërojë drejt strukturave euroatlantike apo ajo duhet të kapërcejë edhe mangësitë e sistemit gjyqësor dhe institucional?

Kristian Timonie: Me sa duket çështja e emrit duhet të jetë një pengesë thelbësore, por ju keni të drejtë kur theksoni se nuk duhet të harrohen edhe kërkesat e tjera teknike, qofshin ato rregullime përshtatëse dhe investime në fushën ushtarake apo përparimi në fushën e reformave. Reforma në drejtësi është thelbësore si për opinionin publik, ashtu edhe për partnerët ndërkombëtarë. Franca po kontribuon në strategjinë e re të reformës së drejtësisë nëpërmjet bashkëpunimit me Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, për të ofruar trajnime të paanshme, cilësore dhe të unifikuara për gjyqtarët e ardhshëm.

Zhurnal: A është tejkaluar korrupsioni në Maqedoni, apo akoma vendi "noton" në korrupsion?

Kristian Timonie: Autoritetet e reja janë të angazhuara për të luftuar korrupsionin, e cila ishte një nga kërkesat më të qarta të "revolucionit laraman". Luftimi i tij është një kusht i domosdoshëm për rikthimin e besimit të thellë midis institucioneve dhe qytetarëve, dhe veçanërisht të rinjve. Të rinjtë nga të gjitha komunitetet u ngritën kundër zakoneve të klientelizmit dhe "korrupsionit të vogël" midis anëtarëve të partive politike. Rezultatet zgjedhore ishin të qarta në këtë pikë, e posaçërisht në zgjedhjet parlamentare. Perceptimi i korrupsionit është i shumëfishtë: negocimi rreth vendeve të punës në komuna, nepotizmi, blerja e diplomave, favorizimi partiak, mungesa e përkushtimit ndaj detyrave të policisë dhe gjyqësorit. Maqedonia nuk është e vetmja në rajon që gëzon këtë monopol në lidhje me këtë çështje, si dhe në lidhje me keqpërdorimin e fondeve shtetërore apo të ndihmave ndërkombëtare. Mediat e lira, prokurorët dhe gjykatësit e pavarur, dëshmitarët e mbrojtur, shoqëria proaktive, por edhe nëpunës civilë më të paguar janë elementë kyç në trajtimin e kësaj të keqe shoqërore. Ndërkohë, përfundimi i rasteve të udhëhequra nga Prokurori Special do të jetë një element i rëndësishëm në zhvendosjen dhe ndryshimin e disa praktikave që përfshijnë më shumë parti politike. Kjo është gjithashtu edhe një kërkesë për integrimin evropian. Nga ana tjetër, natyrisht, jemi gjithashtu të kujdesshëm për përmirësimin dhe rritjen e transparencës së premtuar nga zëvendëskryeministri Angjushev për investitorët vendas dhe të huaj, veçanërisht në lidhje me stimujt e shtetit (faktorët stimulativ shtetëror). E gjithë ajo që kontribuon në përmirësimin e klimës së biznesit është pozitive për Maqedoninë. Çështja e korrupsionit prek gjithashtu edhe vendet e Bashkimit Evropian dhe Aleancës Atlantike. Është e rëndësishme të jemi syçelë dhe të kujdesshëm së bashku, sepse ai është fenomen transnacional.

Zhurnal: A është Maqedonia në rrugën e duhur për në NATO dhe BE?

Kristian Timonie: Intensiteti i marrëdhënieve ndërmjet Maqedonisë, Aleancës dhe Bashkimit, si dhe shteteve të tyre anëtare, përsëri ka fituar një dinamikë cilësore të re. Është gjetur një kapital i ndërsjellë i besimit dhe ai duhet të konsolidohet. Nga ana e saj, është e nevojshme që Maqedonia të kalojë nga synimet në masa konkrete, e masat të gjejnë aplikimin e duhur të vërtetë. Mbajmë mend shumë tekste të miratuara pa veprime reale, mungesa e burimeve apo edhe mungesa e vullnetit për t’i kthyer ato në veprime konkrete. Procesi është i gjatë dhe kompleks dhe nuk do të ishte e ndershme të besohej se vitet e humbura do të arrihen për disa muaj, përveçse të pranojmë një vend të përgatitur keq, gjë që nuk do të ishte në dobi të askujt. Nga ana tjetër, është e rëndësishme që rruga dhe progresi i arritur të vlerësohen objektivisht. Maqedonia fitoi respektin e të gjithë atyre që vlerësuan profesionalizmin dhe përkushtimin e ushtarëve të saj në operacione shumëpalëshe. Angazhimi i saj në operacione të reja paqeruajtëse do të demonstronte edhe më tej vendosmërinë e saj për të marrë vendin e duhur në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ajo demonstroi një vullnet të padiskutueshëm dhe të palëkundur për t’u bashkuar me Aleancën dhe për të kontribuar në sigurinë e kontinentit tonë. Ministrja e tanishme e Mbrojtjes dhe ekipi i saj po investojnë energji të jashtëzakonshme dhe po realizojnë një numër aktivitetesh për të kompensuar vonesën dhe për të mbushur boshllëqet që ende ekzistojnë. Andaj për sa na përket neve, do të duhet t’i përgjigjemi denjësisht këtyre përpjekjeve të investuara dhe këtyre reformave, me përkrahje të duhur. Presidenti Makron me të drejtë theksoi se ndërtimi i Evropës nuk do të përfundojë përpara integrimit të Ballkanit Perëndimor.

Zhurnal: Si e vlerësoni diplomacinë e Maqedonisë në drejtim të bashkëpunimit të mirë dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore?

Kristian Timonie: Është bërë përparim i madh me të gjithë fqinjët. Qeveria arriti të përfundojë me sukses negociatat për një periudhë të shkurtër kohore në arritjen e një marrëveshjeje me Bullgarinë, veçanërisht falë përpjekjeve të kryeministrit. Z. Dimitrov ka gjetur një fushë konstruktive me homologun e tij grek, kështu që procesi i negocimit të emrit nën kujdesin e Kombeve të Bashkuara me Z. Nimic mund të vazhdojë pas disa viteve të stagnimit. Sesionet e përbashkëta të qeverive të Maqedonisë, Bullgarisë, Shqipërisë dhe Serbisë, janë sihariq i mirë dhe shenja të mira të pajtimit dhe bashkëpunimit rajonal, që korrespondojnë me pritjet më themelore të BE-së dhe NATO-s kundër ri-aktivizimit të nacionalizmit dhe irredentizmit steril dhe toksik (helmatisës). Prandaj, mund të presim një shtysë të re ekonomike, kulturore dhe politike.

publie le 10/12/2017

hautdepage