Intervistë nga ambasadori për të përditshmen "Nova Makedonia" [fr] [mk]

Ambasadori dha një intervistë për të përditshmen "Nova Makedonia", botuar në numrin më të ri, të 12 nëntorit. Në këtë intervistë, ai flet për 100 vjetorin e Armëpushimit të 11 nëntorit, me ç`rast përmendi organizimin e përbashkët me ambasadën e Gjermanisë në Maqedoni, të një ngjarjeje, e cila mund të shërbejë si shembull i pajtimit.

Ai flet për një pajtim të mundshëm kombëtar pas ngjarjeve të "27 prillit", që më në fund të evokojë perspektivat për integrimin evropian dhe atlantik të vendit.

Shkëlqesia juaj, më 11 nëntor mbushen plot njëqind vjet nga fundi i Luftës së Parë Botërore. Si do ta festojë Franca këtë përvjetor në këtë festë të madhe?

JPEG

Përmes kujtimeve të familjeve, sepse i gjithë populli francez ishte thellësisht i prekur nga ky konflikt i tmerrshëm, i cili përgjysmoi familjet tona dhe shkatërroi veriun dhe lindjen e vendit. Përmes kujtimeve të bashkimit kundër armikut dhe përmes rezistencës mbinjerëzore, si ajo në Verden. Përmes kujtimeve të ushtarëve të aleatëve, të cilët ndanë fitoren tonë dhe hapën rrugën për popullin, drejt barazisë dhe lirisë. Ne i ruajmë kujtimet për aleatët nga e gjithë bota, të cilët erdhën në fushëbetejat tona. Në Forumin e Paqes në Paris, janë ftuar gjashtëdhjetë kryetarë të shteteve dhe qeverive, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile nga e gjithë bota, që të shprehin besimin e tyre në një botë paqeje dhe bashkëpunimi. Në një kohë kur ballafaqohemi me kthimin e egoizmit, populizmit dhe nacionalizmit edhe në zemër të Evropës, kjo do të jetë një mundësi e mirë për të shprehur vullnetin tonë në drejtim të mbrojtjes së multilateralizmit dhe besimin tonë në paqe dhe zhvillim, të gatshëm për t’iu përgjigjur sfidave të reja globale. Maqedonia do të përfaqësohet nga kryetari i saj Ivanov, i cili do të ftohet të mbajë një fjalim me këtë rast, si përfaqësues i një kombi miqësor dhe aleat. Nuk duhet të harrojmë se Manastiri, sikurse edhe Verdeni, u dekorua me kryqin ushtarak të palmës, një dekoratë kjo e veçantë për këtë qytet, popullsia e të cilit përjetoi vuajtje të mëdha.

Na tregoni më saktësisht, se cilat janë aktivitetet dhe manifestimet që do të organizohen për të shënuar këtë ditë në Manastir dhe në Republikën e Maqedonisë?

Këtë përvjetor e shënojmë në Shkup, të shtunën, më 10 nëntor, në orën 11 në varrezën e ushtarëve francezë, me një ceremoni modeste, ku do të lexoj mesazhin e kryetarit Makron, drejtuar kombit dhe do të përmend emrat e ushtarëve të rënë këtë vit për Francën, përderisa vendi ynë vazhdon të luftojë për mbrojtjen e vlerave të tij, sot kundër terrorizmit dhe fanatizmit. Pas ceremonisë, do të nënshkruhemi në Librin e Mysafirëve në Shtëpinë Përkujtimore dhe Muzeun Memorial, të hapur rishtazi. Të dielën, më 11 nëntor, do të jem në Manastir, për të marrë pjesë fillimisht në ceremoninë serbe, ku jam i ftuar, e më pastaj në ceremoninë e përbashkët të dyfishtë franko-gjermane në dy varrezat e ushtarëve në Manastir, në prani të trupit diplomatik dhe zyrtarëve të lartë të vendit, si dhe të kryetarëve të komunave nga mbarë rajoni. Një grup i të rinjve nga Franca, si dhe nxënësit e shkollave të mesme nga Manastiri, do të bëjnë homazhe të veçanta dhe do të zbulojnë një pllakë përkujtimore, e cila i kushtohet Paqes, e skalitur nga gjimnazistët e Kutansit, në Normandi.
Me mbështetjen e Komunës së Epinalit, do të zgjerojmë këtë festim, përmes përkthimit në frëngjisht dhe dërgimit në Francë, të një ekspozite kushtuar Frontit të Lindjes, e përgatitur nga Shoqata e Profesorëve të Historisë së Maqedonisë. Aty do të jepen hollësi të fazave të Luftës dhe të jetëve të civilëve dhe të ushtarëve, që do të na mundësojë ta afrojmë këtë histori të përbashkët evropiane deri te publiku francez, për të cilin publiku atje ende nuk është në dijeni. Kështu, do të kuptohet më mirë se çfarë sjell bashkimi, si dhe shpresa, që e ndajmë në Evropën e paqes.

Atë ditë planifikoni një festë të përbashkët me Gjermaninë, për të shënuar Ditën e Pajtimit. Në ç`mënyrë i`a arritët të dy vendet, që dikur shihnit njëri-tjetrin nën tytën e armëve, të pajtoheni dhe t`i harroni armiqësitë dhe vuajtjet?

Homologu im gjerman, i cili nuk është frankofon, do të përpiqet të mbajë fjalimin e tij në frëngjisht në varrezën e ushtarëve tanë, gjë që më vjen me të vërtetë shumë mirë. Në anën tjetër, unë do të mbaj fjalim në gjermanisht në varrezën e ushtarëve gjermanë, i emocionuar, duke i kujtuar momentet e caktuara të së kaluarës së familjes sonë. Ne nuk e harrojmë të kaluarën, mësimet e së cilës na bëjnë të mundur të ndërtojmë një të ardhme më të mirë. Të dy popujt janë të ndryshëm dhe qëndrimi i tyre ndaj botës nuk është i njëjtë, por ata janë të vetëdijshëm për përgjegjësinë e tyre, në shërbim të një bote më të mirë dhe e kanë shumë të qartë, se edhe pse janë vende tejet të pasura dhe të fuqishme ( kontributi i tyre i përbashkët në NATO e tejkalon atë të Shteteve të Bashkuara), ata prapë kanë nevojë jo vetëm për njëri-tjetrin, por edhe për vende të tjera.
Ata janë bartës të një projekti, të krijuar nga dy njerëz të mëdhenj, Adenauer dhe De Gol, të cilët pasi përjetuan Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, e kuptuan se mund të kontribuojnë në krijimin e një bote të re, ku Evropa do të bëhej qendra e historisë, e jo një zonë e rivaliteteve të brendshme apo të jashtme. Mbetet e njëjta sfidë edhe sot, përballë Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës.

Shkëlqesia Juaj. Kohët e fundit, pajtimi si një akt është gjithashtu i pranishëm edhe në skenën politike në Maqedoni. Kjo mundësi u njoftua nga kreu i LSDM-së dhe kryeministri aktual, z. Zoran Zaev. A besoni ju personalisht se në Maqedoni mund të arrihet pajtimi mes politikanëve?

Arritja e një pajtueshmërie civile është një kërkesë minimale për të përparuar drejt Evropës. Pajtimi me fqinjët tuaj, gjetja e një rruge të bashkëpunimit të sinqertë mes komuniteteve, rivendosja e vëllazërisë midis qytetarëve dhe dhënia fund luftës civile të fshehur, midis "mbështetësve patriotë" dhe "tradhtarëve", është udhërrëfyesi i domosdoshëm. Pra, ju keni nevojë të ndaloni gjuhën e urrejtjes: jo, kundërshtari nuk është në parim është i orientuar "kundër perëndimit", për shkak se është i lidhur me një numër të vlerave që korrespondojnë me identitetin e tij. Jo, ai nuk dëshiron të “ bëjë tregti me çështjen e emrit", ai që mendon se edhe kompromiset e dhembshme janë të nevojshme për të siguruar hyrjen e vendit në një aleancë ose bashkim! Është gjithashtu e rëndësishme që politikanët të braktisin gjuhën e urrejtjes ose përjashtimin dhe të shërbejnë si shembull. Ky qëndrim duhet ndryshuar.

A ekziston mundësia për pajtim, lidhur me ngjarjet e 27 prillit, për të cilin, siç shpreheshit në një intervistë për “Gazetën e Manastirit”, e përjetuat personalisht, sepse keni qenë para parlamentit atë ditë. A mundet Maqedonia të arrijë të bëjë një pajtim pas këtyre ngjarjeve të përgjakshme, që rrezikonin të shpinin vendin në një përplasje ndëretnike?

Këto ngjarje kanë nivele shumë të ndryshme të përgjegjësisë dhe duhet të bëhet një vlerësim i saktë, për të cilin duhet pak kohë. Ne nuk mund t’i vendosim në të njëjtin nivel, për një arsye shumë të qartë, për shembull protestuesit që hynë në parlament, me fytyra të zbuluara dhe pa qëllime të dhunshme, me ata që ishin të maskuar dhe të dhunshëm, apo me huliganët dhe vrasësit e mundshëm potencial. Nuk mund t’i fusim në një thes personalitetet e mirënjohura, që kanë pasur së paku guximin për veprimet e tyre, e të cilët kanë marrë përgjegjësinë e pamohueshme, me komplotistët, të cilët mund ta shpinin vendin drejt një luftë civile ose të paktën drejt trazirave të brendshme serioze. Ne nuk mund t’i cilësojmë të gjithë me etiketën "terroristë". Andaj, është në të mirë të vendit, që ai të marr vendimin e duhur, të gjejë ekuilibrin e vështirë mes të kuptuarit njerëzor dhe mirëmbajtjes së domosdoshme të standardeve dhe normave minimale, pa të cilat sundimi i ligjit apo shteti i së drejtës është i pamundur të ndërtohet. Nuk duhet të harrojmë se disa marrëveshje mund të jenë burim i konfuzionit të madh midis njerëzve, në një botë ku standardet dhe vlerat bëhen të pakuptueshme. Do të ishte e papranueshme, që disa individë, që mund të kenë qenë organizatorët e këtyre skenave të dhunës, t’i shpëtonin dënimit për veprimet e tyre, qoftë madje edhe me çmimin e kryerjeve të shërbimeve të caktuara.

Vota e 80 deputetëve për fillimin e procedurave për ndryshime kushtetuese, dëshmon se mund të ratifikohet Marrëveshja e Prespës për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së emrit me Greqinë. A e besoni personalisht që me votimin e saj në Kuvend dhe me pranimin e ndryshimeve kushtetuese, Maqedonia do të bëhet anëtare e NATO-s dhe do të fillojë bisedimet me BE-në?

Ky ratifikim është një element i domosdoshëm për të hapur rrugën drejt integrimeve. Rruga drejt NATO-s është më pak e vështirë, sepse nuk ka pengesa nga asnjë shtet anëtar. Franca, nga ana e saj, mbështet pa ngurrim kandidaturën e Shkupit, siç edhe e theksoi kryetari Makron, gjatë takimit me kryeministrin Zaev. Rruga drejt Evropës kërkon progres të ri në fushën e reformave, të cilat varen nga ju, e gjithashtu do të jetë e nevojshme edhe nga ana evropiane, që të gjitha shtetet anëtare të jenë të gatshme të pranojnë një zgjerim të ri. Edhe ne kemi shumë reforma para nesh për të pranuar anëtarë të rinj, duke i pasur parasysh mangësitë e dukshme aktuale të Bashkimit. Por kjo nuk duhet të na pengojë që të punojmë së bashku në elemente konkrete, për të qenë të gatshë kur të vijë koha e integrimit.

A mendoni se Marrëveshja e Prespës do të votohet në parlamentin grek?

Sidoqoftë, kjo është ajo që parashikon Marrëveshja dhe çfarë kërkojmë ne, sepse kjo marrëveshje është e mirë për mbarë rajonin dhe për Evropën. Këtë e theksojmë si në Athinë, ashtu edhe në Shkup.

Si e vlerësoni Marrëveshjen e Prespës, respektivisht marrëveshjen për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë?

Duhej guxim për ta nënshkruar atë dhe do të nevojitet edhe më tej një vullnet i mirë, për të ruajtur frytet e pajtimit. Fryma e mirëkuptimit të ndërsjellë do të jetë shumë e rëndësishme, por dhe dëshira e të dy vendeve, që të shkruajnë së bashku një faqe të re në historinë e këtij rajoni të botës, njëqind vjet pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Vallë, a nuk mendoni se Maqedonia ndoshta është i vetmi vend në Evropë që u gjend para një detyrimi dhe kërkese të tillë, që të ndryshojë emrin e saj për t’u bërë anëtare e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian?

Maqedonia mbetet Maqedoni me një emër gjeografik. Ajo do të jetë fundi i një keqkuptimi të gjatë, që ekzistonte edhe përpara krijimit të NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Lëshimet janë të kushtueshme për të dyja palët, ashtu siç arrij të kuptoj nga disa miq grekë, që më thonë se e kanë përjetuar koncesionin në lidhje me emrin e Maqedonisë në fqinjin verior, si një tragjedi personale. Kam, gjithashtu edhe disa miq të tjerë, të cilët qanin këtu me rastin e hapjes së votimit për amendamentet kushtetuese. Është e domosdoshme të respektohen ndjenjat kombëtare, kjo është e pakontestueshme. Ato mbajnë keqardhje dhe mllef, por a i`a vlen barra qiranë që të mbeteni të robëruar në një situatë, ku mbase mund edhe të keni të drejtë, por ama sidoqoftë mbeteni në një situatë të pakthyeshme, qorre?

Rishtazi, disa vende perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara kanë insistuar në një mënyrë jo edhe aq diplomatike, që Maqedonia të pranojë Marrëveshjen me Greqinë. Në të njëjtën kohë, këto vende deklaronin se, me gjasa Rusia do të ndërhynte në punët e brendshme të Maqedonisë dhe do të mbështeste partitë dhe qytetarët që e kundërshtuan këtë marrëveshje. A mendoni se Maqedonia gjendet në një situatë të palakmueshme, për të duruar presionet nga Perëndimi dhe Lindja?

Mënyra më e mirë për të shpëtuar nga presionet është të vendoseni në pozitën e pjesëmarrësit, si anëtare e plotë e aleancave dhe komuniteteve, të gatshme për t’ju pranuar. Në botën e sotme, ai që mbetet i vetëm dhe i izoluar, do të rrezikohet nga interesat apo ambiciet e të tjerëve.

Si e komentoni sjelljen e opozitës në Maqedoni kur është fjala për (mos)pranimin e Marrëveshjes së Prespës?

Partitë përfaqësojnë forcat dhe mendimet historike, andaj nuk ka nevojë që të gjykohet negativisht ndonjë pozicion që korrespondon me një ndjenjë të caktuar të thellë. Ne i respektojmë ata që kanë votuar lirshëm kundër, madje edhe ata që zgjodhën të mbeten të përmbajtur. Kjo është zgjedhja e tyre, edhe pse ne e patëm thënë qartazi dhe troç, se çfarë na dukej që i përshtatej më së miri interesit të shtetit në aspektin e perspektivës së tij evropiane. Pas një rrugëtimi të vështirë dhe të makthët, le të shikojmë drejt ardhmërisë. Koha e Evropës mund të hapet edhe për këtë vend: drejt asaj rruge, duhet të mobilizohet i tërë arsenali i talenteve dhe i tërë vullneti i mirë. Nëse ratifikimi përfundimtar bëhet më i lirë dhe më i gjerë, do të dëshmonte shenjën e pjekurisë dhe do t`i jepte një përgjigje pozitive kësaj sfide historike.

JPEG

publie le 19/11/2018

hautdepage