Intervista e znj. Natali Luazo, dhënë për agjencinë e lajmeve "MIA" [fr] [mk]

Në intervistën e saj, dhënë për agjencinë e lajmeve “MIA”, ministrja franceze për çështje evropiane, znj. Natali Luazo, flet për situatën politike në vend, pas ratifikimit të Marrëveshjes së Prespës, mandej për reformat e ndërmarra, si dhe për perspektivat atlantike dhe evropiane të Maqedonisë së Veriut. Znj. Luazo do të realizojë vizitën e saj të parë të punës në Shkup të martën, më 26 shkurt.

1. Vitin që shkoi, Franca dhe Maqedonia kremtuan 25 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, ndërsa Parisi, ofron në vazhdimësi mbështetje të plotë, në realizimin e qëllimeve strategjike, për integrimin e Maqedonisë në BE dhe në NATO. Por, Franca është gjithashtu edhe bartëse e konceptit "fillimisht reformim të BE-së, e më pastaj zgjerim të ri". A do të thotë kjo se Franca nuk do të mbështesë hapjen e mundshme të bisedimeve për pranim të Maqedonisë në BE, në samitin e BE-së, në qershor të këtij viti?

JPEG
crédit photo : MEAE/Judith Litvine / Frédéric de La Mure

Franca ka qenë gjithmonë përkrah vendit tuaj, që nga momenti i pavarësisë, e deri në momentet më të vështira të historisë së saj, përmes rolit aktiv të Robert Badinterit, Fransua Letoarit dhe të Alen Lë Ruas, i cili do të vijë në Shkup, pikërisht ditën e vizitës sime, dhe do të marr pjesë në ngjarjet përkujtimore-komemorative, për hir të 15 vjetorit të vdekjes së kryetarit Trajkovski.

Franca e ka mbështetur gjithmonë Republikën e Maqedonisë së Veriut, por që tani dëshiron më shumë se kurrë, ta shohë atë të forcuar dhe të integruar në një rajon, ku mbizotëron paqja dhe zhvillimi.

Dy vitet e fundit, Shkupi bëri përparim të dukshëm në drejtim të pajtimit rajonal dhe në sajë të vendimeve të guximshme që e dimë se ishin të dhimbshme, u tejkalua mosmarrëveshja historike me Greqinë.

Ky vendim i guximshëm, pra Marrëveshja e Prespës, mundësoi nënshkrimin e protokollit për anëtarësim në NATO dhe është një përparim i madh për sigurinë e Maqedonisë së Veriut. Franca e ka nënshkruar protokollin dhe është jashtë mase e gëzuar, që do të jemi së bashku aleatë, në Aleancën Veri-Atlantike.

Lidhur me përafrimin e Maqedonisë së Veriut drejt Bashkimit Evropian: negociatat e pranimit do të fillojnë pasi që Maqedonia e Veriut të përmbushë të gjitha kriteret. Bashkimi Evropian, nga ana tjetër, do të duhet që së pari të zbatojë reformat e nevojshme, pra të reformohet, para se të bëhet një zgjerim i ri.


2. Franca ishte njëra ndër anëtaret më të zëshme të BE-së (me Danimarkën dhe Holandën), e cila këmbëngulte që vitin e kaluar, që Maqedonisë, përkundër disa përparimeve në reformat dhe arritjen e marrëveshjes për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë, t`i jepej vetëm një datë e kushtëzuar për fillimin e negociatave të pranimit me BE-në. Kërkoheshin reforma reale dhe të qëndrueshme në fushat kyçe. A do të mjaftojë zbatimi i Marrëveshjes së Prespës, që në vete ngërthente edhe zbatimin e ndryshimeve kushtetuese për shkak të ndryshimit të emrit kushtetues, për të filluar negociatat me Bashkimin Evropian?

Marrëveshja e Prespës është një hap pozitiv dhe duhet të përshëndetet fuqishëm. E kuptoj se në muajt e fundit, prioriteti i qeverisë ishte arritja e këtij suksesi diplomatik dhe ndryshimet e domosdoshme kushtetuese.

Përafrimi me Bashkimin Evropian kërkon kritere të tjera: reformat në Maqedoninë e Veriut duhet të vazhdojnë në sferën ekonomike, si dhe të shkojnë në drejtim të forcimit të sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit. Nëse sillemi ndryshe, nuk i bëjmë shërbim as Bashkimit Evropian, e as Republikës së Maqedonisë së Veriut. Është në interesin tonë të përbashkët, që t’i respektojmë në vazhdimësi këto kritere. Ashtu siç edhe theksova, Bashkimi Evropian duhet të reformohet. Komisioni Evropian, ashtu si vitin e kaluar, do të publikojë një raport të përparimit në muajin qershor dhe pastaj do të flasim më gjerësisht, së bashku me të gjitha shtetet anëtare.

3. E thamë se një nga kushtet për negociata, në të cilën këmbëngul Parisi zyrtar është zbatimi i reformave në sistemin gjyqësor, administratë, shërbimet e sigurisë dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit. Cilat janë vlerësimet tuaja për procesin e reformës në vend?

Reformat e nisura me ndihmën e institucioneve dhe shteteve anëtare të BE-së, përfshirë këtu edhe Francën, po shkojnë në drejtimin e duhur dhe duhet të vijojnë edhe më tutje. Ne do të forcojmë edhe më tej bashkëpunimin tonë dypalësh, nëpërmjet veprimit të Agjencisë Franceze për Zhvillim, duke mbështetur projekte në fushën e mjedisit dhe ndërlidhjes. Do të vazhdojmë bashkëpunimin me Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve (Shkollën e Magjistraturës) në një fushë që është thelbësore për Maqedoninë e Veriut.

Nevojitet durim dhe vullnet politik që reformat të mos reduktohen dhe mbesin vetëm në letër, gjatë votimit të çdo ligji, por duhet që këto ligje të zbatohen edhe në praktikë. Por e gjithë kjo, nuk do të kishte kuptim, pa një kulturë të vërtetë ligjore-juridike. Afati i gjatë për krijimin e komisionit antikorrupsion, dëshmon për praninë e rezistencës dhe vështirësinë për të siguruar kontroll efektiv. As edhe institucionet më të mira nuk mund të jenë një garanci në letër, nëse nuk ekziston kontrolli dhe ekuilibri demokratik midis tyre.

JPEG
crédit photo : MEAE/Judith Litvine / Frédéric de La Mure

4. A na jep të drejtën të shpresojmë e tërë ajo që është bërë dhe arritur deri më tani, për të pasur mbështetjen tuaj në fillimin e negociatave të pranimit me BE-në dhe nëse jo, ku duhet të përqendrohet qeveria për të arritur këtë qëllim?

Në të vërtetë, ka mbetur pak kohë për t`u zbatuar reformat e nevojshme, ndërsa pritjet tona nga Maqedonia e Veriut janë të mëdha. Ne do të jemi veçanërisht të kujdesshëm në lidhje me miratimin e ligjit kundër diskriminimit, i cili kërkon dhe obligon një respekt më të madh për liritë dhe vlerat evropiane. Qeveria duhet të marrë masa kundër favorizimit dhe korrupsionit, ndërkaq vetë partitë duhet të marrin masa për të rritur besimin ndaj tyre. Nuk varet gjithçka nga ligjet dhe nga gjyqtarët, por nga mobilizimi i shoqërisë civile dhe vetë qytetarëve. Unë u bëj thirrje autoriteteve të shtetit tuaj që të japin elanin (zellin) e nevojshëm.


5. Lidhur me procesin e reformave, Franca është praktikisht mjaft e përfshirë, si dhe ndihmon me ekspertë dhe trajnime, veçanërisht në fushën e reformave administrative dhe gjyqësore. Në cilin drejtim do të vijojë mbështetja franceze në periudhën e ardhshme?

Bashkëpunimi ynë dypalësh, i cili është aktiv veçanërisht që nga viti 2000 përmes zbatimit të trajnimeve, kanë lënë një shenjë të fortë dhe mbresëlënëse te pjesëmarrësit dhe ndjekësit e tyre. E përmenda përkrahjen tonë për Akademinë e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve Publikë, të cilën duam ta thellojmë edhe më tej. Ne do të vazhdojmë të mbështesim krijimin e një administrate efikase dhe të pavarur, por kjo do të kërkojë një impuls politik nga një shtet jopartiak. Aktivitetet e Agjencisë Franceze për Zhvillim do të jenë një mundësi dhe rast i mirë për intensifikimin e përpjekjeve tona, posaçërisht për të përmirësuar barazinë gjinore në shoqëri. Ne gjithashtu duam të rrisim aktivitetet e RIKO-s (Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor), një organizatë e themeluar me mbështetjen e Francës dhe Gjermanisë, në Samitin e Parisit për Ballkanin Perëndimor në vitin 2016, e cila parashikon realizimin e projekteve dhe lëvizjen e të rinjve në rajon. Maqedonia e Veriut e cila është anëtare e plotë e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, mund të llogarisë gjithashtu edhe në mbështetjen e kësaj të fundit.


6. Po vijon procesi i ratifikimit të Protokollit për Anëtarësim në NATO. Kur pritet që kjo procedurë të hyjë dhe të implementohet në Parlamentin e Francës ?

Ne duam që ratifikimi të ndodhë sa më parë që të jetë e mundur, andaj në lidhje me këtë temë, jemi në kontakt të vazhdueshëm me Asamblenë Franceze. Nuk është aspak e thjeshtë, duke marrë parasysh numrin e madh të reformave të brendshme, për të cilat po diskutojmë dhe janë pjesë e rendit tonë të ditës. Gjatë vizitës sime shoqërohem nga dy ligjvënës që janë miq të vendit tuaj dhe jam e bindur, se ata do të gjejnë argumentet e duhura për t’i bindur kolegët e tyre, se Republika e Maqedonisë së Veriut, meriton të marrë shenjën e inkurajimit dhe miqësisë nga ana jonë.

7. Ministrja jonë e Mbrojtjes, znj. Radmilla Shekerinska, në një intervistë dhënë për “MIA-n”, shfaqi interesin e saj, për pjesëmarrje në misione të përbashkëta me Francën, nën patronazhin e BE-së. A mund të na tregoni më shumë për këtë mundësi?

Franca është e bindur, se mund të gjendet një zgjidhje për sfidat me të cilat përballemi, por vetëm në një kornizë të përtërirë dhe të përforcuar multilaterale dhe evropiane. Në mënyrë të veçantë i vlerësojmë të gjitha sinjalet që e mbështesin këtë qasje, dhe në veçanti ndihmën nga vendi juaj. Bashkimi Evropian është i pranishëm në shumë misione, e para së gjithash në Afrikë, andaj pjesëmarrja juaj do të ishte me të vërtetë e dobishme.

publie le 26/02/2019

hautdepage