Intervistë për portalin"Makpres" në prag të 14 korrikut, festës kombëtare të Francës [fr] [mk]

Të premten, më 13 korrik, ambasadori dha një intervistë në portalin "MakPress". Ai u pyet në lidhje me marrëveshjen e nënshkruar midis Maqedonisë dhe Greqisë, mandej për Samitin e NATO-s, të mbajtur me 11 dhe 12 korrik dhe për krizën e emigracionit.

Të premten, më 13 korrik, ambasadori dha një intervistë në portalin "MakPress". Ai u pyet në lidhje me marrëveshjen e nënshkruar midis Maqedonisë dhe Greqisë, mandej për Samitin e NATO-s, të mbajtur me 11 dhe 12 korrik dhe për krizën e emigracionit. Më tutje, në prag të përvjetorit të marrjes së Bastiljes, ambasadori foli për fuqinë e frymëzimit dhe kërkesës për europianët e sotëm, për të drejtat e njeriut të shpallura në vitin 1789, me njohjen rishtare të parimit të vëllazërisë si vlerë kushtetuese nga Këshilli Kushtetues i Francës.

JPEG

1. Pas arritjes së marrëveshjes në Psaridis ose Nivici për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së emrit me Greqinë, publiku në Maqedoni u nda në ata që mbështesin plotësisht marrëveshjen dhe në ata që thonë se nuk është mirë të ndryshohet Kushtetuta, që do të thotë, që emri është për përdorim të përgjithshëm (erga omnes). Si e shihni ju këtë?

Pas një çerek shekulli të debateve të padobishme dhe mosmarrëveshjeve juridike, u arrit një marrëveshje që nuk e kënaq asnjërën palë krejtësisht, gjë që nuk do të ishte e habitshme. Të dyja palët u ballafaquan me sfidën e përballjes para pozitës së tyre, si pjesë e identitetit të tyre kombëtar, duke iu referuar të kaluarës, e cila bart ato momente të dhimbshme, pa shikuar drejt së ardhmes. Ata që thonë se bëhet fjalë për një tradhti, mbase do të duhet të pyesin se pse edhe në anën tjetër të kufirit ata po bëjnë të njëjtën gjë, madje edhe më fuqishëm! Parë nga jashtë, është i habitshëm fakti se si kjo çështje historike i është nënshtruar manipulimit politik dhe llogaritjeve dritëshkurta. Është koha që të mbizotërojë arsyeja, qoftë kjo edhe me njdonjë pickim në zemër. Nga kjo mund të varet e ardhmja e vendit, në një rajon ku identitetet dhe kufijtë duhet të konsolidohen. Kjo çështje është me interes të përgjithshëm dhe duhet të kapërcejë llogaritjet politike, nëse vendi me të vërtetë dëshiron të jetë europian. Marrëveshja duhet të konsiderohet si një shans për të mbyllur një faqe dhe për të hapur një faqe të re, këtë herë europiane. Franca e mbështet fuqimisht këtë nismë, e cila u mor me guxim të madh nga politikanët përgjegjës të cilët vërtet e meritojnë këtë emër. Do të ishte për të ardhur keq nëse ky hap i vështirë nuk do të zbatohet dhe materializohet, sepse është në interes të të gjithëve, si maqedonasve, poashtu edhe grekëve dhe europianëve, që t’i japin fund mosmarrëveshjes dhe grindjes, me një kompromis, që do të jetë një sihariq i mirë për të gjithë kontinentin. Për këtë, me të vërtetë do të ishte e vlefshme edhe ndryshimi i kushtetutës.

2. Megjithë arritjen e marrëveshjes për emrin, BE-ja e ka bërë të qartë se nevojiten reforma, gjë që çoi në një datë të kushtëzuar. Një rivlerësim do të bëhet në vitin 2019 pas zbatimit të reformave të kërkuara. A do të thotë kjo se reformat janë një prioritet për anëtarësimin në klubin europian?

Bashkimi Europian nuk është një klub: Është kryesisht një ideal për paqe, për një rend ligjor dhe për demokraci. Ky ideal manifestohet posaçërisht nëpërmjet sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës, nëpërmjet frymës së kompromisit dhe përmes një ndjenje të caktuar të vlerave universale. Ato sot manifestohen në respektimin e vlerave të solidaritetit dhe përkujdesjes së veçantë për përgjegjësinë që kemi për të ardhmen e planetit tonë. Ky është në fakt një model qytetërimi që ka një forcë tërheqëse unike. Ai bëri të mundur që Europa komuniste të lirohet nga modelet autoritare dhe të planifikuara, si dhe mundësoi zhvillimin e demokracisë në Europën Jugore. Konstruksioni i quajtur Bashkim Europian, u krijua për arsye të ndryshme në një moment të së vërtetës, i cili kërkon ndryshime të thella për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm dhe për të përmbushur pritjet e qytetarëve, si dhe idealet e tyre. Kjo shpjegon kërkesën që ndryshimet, të favorshme dhe rrënjësore, që u konstatuan në Shkup pas vitit 2016, të konfirmohen duke thelluar reformat dhe zbatimin praktik dhe jo vetëm atë formal të demokracisë. Nuk është diçka e fshehtë, nëse themi se ekziston një zhgënjim i madh, si në Francë, poashtu edhe në mesin e partnerëve të tjerë, në lidhje me pengesat dhe regresin në fushën e sundimit të ligjit në disa vende të BE-së, por jo vetëm kaq, por edhe mungesë kronike, e cila u dënua nga vet qytetarët, të ballafaquar me korrupcionin në shoqëri apo me joefikasitetin e drejtësisë. Prandaj është e rëndësishme të fillohet nga një bazë solide, si në organizimin europian, poashtu edhe tek vendet kandidate, ndërkaq zgjerimi të jap një kontribut në forcimin e ndërtimit europian, e jo në dobësimin e tij. Gjithashtu, mos harroni se në fund të fundit, qytetarët janë ata që do të vendosin, me anë të referendumit apo votimit në parlamentet tona, në lidhje me hyrjen apo pranimin e shteteve të reja në Bashkim, e jo aparati burokratik në Bruksel apo komisionerët europian. Prandaj, kjo periudhë testuese, duhet të kuptohet si një rast që do të na mundësojë ta shqyrtojmë më mirë zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor, që siç edhe rikujtoi kryetari Makron, do të ishte përfundim i natyrshëm i ndërtimit të Europës, atëherë kur të vijë koha për këtë.

3. Edhe për në NATO, Maqedonia mori një ftesë të kushtëzuar për t’u bërë anëtare e plotë e Aleancës deri në fund të vitit? ... Çfarë do të thoni ju për këtë?

Kjo ftesë është e tejet rëndësishme, sepse është një mirënjohje ndërkombëtare dhe një garanci për sigurinë në rajon, ku paqja e arritur duhet forcuar. Është gjithashtu e qartë se përkatësia në një aleancë të njëjtë mund të bindë të gjitha komunitetet, të relativizojnë kufijtë pa i ndryshuar ato, ndërsa investitorëve t’u japë ndjenjën e një mjedisi më të parashikueshëm dhe më të qëndrueshëm. Megjithatë, ftesa do të konkretizohet vetëm me ratifikimin e marrëveshjes mes Greqisë dhe Maqedonisë, pra nga të dy palët e interesuara, e cila do t’i japë fund mosmarrëveshjes, që ekziston më shumë se një çerek shekulli. Përveç kësaj, NATO, si çdo aleancë, ka sfidat e veta dhe nuk është zgjidhja apo ilaçi për të gjitha problemet. Është në interes të Maqedonisë të mendojë, si vendet e tjera europiane, për sigurinë e vet në përputhje me interesat e Europës, që nënkupton ndërtimin e një mbrojtjeje europiane me mjete autonome. Me iniciativën e Francës, është bërë përparim në këtë drejtim dhe presim me interes të madh, siç edhe tregoi vullneti, që vendi të marrë pjesë në operacionet paqeruajtëse, të udhëhequra nga Bashkimi Europian ose Kombet e Bashkuara. Shqyrtimi strategjik i mbrojtjes, i miratuar nga qeveria në fillim të korrikut, do të mundësojë që Maqedonia të ketë një aset ushtarak të përkryer, të ndërveprueshëm me ushtritë e tjera europiane.

4. Në samitin e BE-së, u vendos që të hapen qendrat e refugjatëve në mënyrë vullnetare. A do të pranojë Franca emigrantët? Cila është mundësia që këto qendra të jenë kryesisht jashtë vendeve të BE-së, si në Maqedoni, Serbi ...?

Problemi i migrimit e vë Europën në një sprovë serioze, posaçërisht pasi ekziston frika, ndonjëherë e arsyeshme, e nganjëherë edhe imagjinare. E vërteta dhe arsyeja duhet të mbizotërojnë mbi paragjykimet dhe emocionet. Pozita e Francës është e qartë sa i përket angazhimit tonë për të pranuar dhe mbrojtur ata që i plotësojnë kriteret për azil. Kohët e fundit u miratua një ligj i ri mbi "Azilin dhe Imigracionin", në mënyrë që të përshpejtohet përpunimi dhe trajtimi i kërkesave për azil, që të kontrollohet emigracioni dhe të lehtësohet integrimi i të huajve të pranuar. Ardhja e emigrantëve ekonomikë në Francë dhe në vende të tjera në Europë, ngre (parashtron) shumë pyetje me efekte pozitive nga këndvështrimi ekonomik në periudhën afatmesme të kontinentit tonë me nivel të ulët demografik, si dhe negative në aspektin e identitetit, gjë që është e kuptueshme. Pranimet masive, si dhe refuzimet masive, janë të paarsyeshme. Duhet gjetur një zgjidhje gjithëpërfshirëse europiane, ku secili do të mund të jap kontributin e vet. Është e vërtetë se situata me pranimin e emigrantëve tundon parimet tona, shpresat tona dhe frikën tonë si europianë. Megjithatë, është po aq e qartë se shtetet që janë të parat në listë, nuk mund të lejohen të mbeten pa ndihmë ose solidarizim konkret, por as të rrezikojnë lëvizjen e lirë dhe as të vënë në pikëpyetje parimet e vërteta të ndërtimit europian. Përpunimi i dosjeve të kërkuesve (aplikuesve) jashtë vendeve të Bashkimit është ende një çështje e hapur që kërkon zgjidhje teknike, njerëzore dhe madje politike, zgjidhje që merren në nivel europian. Gjithashtu, sfida e zhvillimit të Afrikës nuk duhet të shmanget në periudhë afatgjate për shkak të problemeve me emigracionin. E gjithë kjo duhet të na çojë në një reflektim të përbashkët europian, i cili shkon përtej interesave të ngushta kombëtare, me një ndarje të drejtë dhe shkëmbim të përgjegjësive, si zgjidhje eventuale. Sidoqoftë, është e qartë se nëse nuk heqim dorë nga ajo që jemi dhe nga vlerat tona, ne nuk do të izolojmë veten nga pjesa tjetër e botës: ky është shpërblimi i suksesit tonë dhe, ndoshta, kushti për vazhdimin mëtutje të këtij suksesi.

5. Më 14 korrik, Franca feston rënien e Bastiljes ose fillimin e Revolucionit Francez. Revolucioni, në vetvete, është një ngjarje epokale dhe vendimtare në historinë e Europës. Ai konsiderohet një moment historik për demokracitë perëndimore, qytetarët janë forca kryesore politike në këtë ngjarje, mandej u shpall barazia e qytetarëve para ligjit dhe sovranitetit të kombit. Sa sot këto vlera janë efektive, domethënë sa janë të dukshme dhe të prekshme?

Forca e parimeve të Revolucionit Francez mbetet e pandryshuar. Ajo forcë ende frymëzon sistemin tonë juridik, sepse Deklarata për të Drejtat e Njeriut dhe të Qytetarëve ka vlerë kushtetuese. Këshilli ynë kushtetues mori një vendim për t`i dhënë vlerë ligjore nocionit "vëllazëri", si një pjesë e pandashme e motos së vendit tonë, përveç motos së lirisë dhe barazisë. Ky vendim, i cili dukej befasues, por me të cilin u pajtuan të gjithë, është bërë për t`i mbrojtur ata që, pa motive fitimi, mbështesin të huajt në vështirësi, edhe nëse statusi i tyre ligjor në territorin tonë nuk njihet.
Në këtë mënyrë i mundësohet Gjykatës të fitojë një kornizë ligjore, përmes legjitimitetit të shtetit dhe të zgjidh çështjet e vendqëndrimit të të huajve dhe statusin e tyre, duke shmangur mundësinë që akti i solidaritetit, si rezultat i një reagimi krejtësisht njerëzor, të karakterizohet si një vepër penale. Në këtë drejtim, Gjykata Kushtetuese iu përgjigj edhe disa prej vërejtjeve të Ombudsmanit (Avokatit të Popullit), i cili rishtazi kujtoi se shteti ynë para së gjithash duhet " të respektojë me përpikshmëri të drejtat themelore ". Pikërisht, ky ndërgjegjësim dhe kjo vetëdije për rendin ligjor dhe për të drejtat themelore të çdo qenieje njerëzore, përtej disa emocioneve dhe frikës së opinionit dhe duke marrë parasysh parimin e realitetit, mbetet një arritje e plotë dhe një pikë referimi dhe orientimi për të gjithë politikanët. Në një kohë kur doktrinat jo-liberale po përhapen ose jemi dëshmitarë të përkushtimit të tyre në Europë, si dhe kur mendojmë se ndodhin ngjarjet më të trishta të viteve 1930 në ato vende, jam krenar që Republika jonë gjen fuqinë për të riafirmuar parimet e saj, që e kanë bërë atë të fortë dhe që i japin kuptim Europës, të cilën duam ta ndërtojmë, por njëkohësisht i japin kuptim edhe veprimit tonë në përmasa botërore.

publie le 18/07/2018

hautdepage