Komunikatë e përbashkët për shtyp e Presidentit të Republikës së Francës dhe Kancelares së Republikës Federale Gjermane [fr] [mk]

Pallati i Elizesë, e premte, më 10 korrik

Presidenti Emanuel Makron dhe kancelarja Angela Merkel, të premten në mëngjes, organizuan një samit, përmes lidhjes video-konferenciale me Aleksandar Vuçiqin, president i Serbisë, Avdullah Hotin, kryeministër i Kosovës, Zhozep Borelin, përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të sigurisë / nënkryetar i Komisionit Evropian, si dhe me Mirosllav Lajçakun, i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës dhe i çështjeve të tjera rajonale që tangojnë Ballkanin Perëndimor.

Presidenti Vuçiq dhe kryeministri Hoti ranë dakord të vazhdojnë dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, i cili është pezulluar që nga nëntori i vitit 2018. Bashkimi Evropian do të vazhdojë të lehtësojë dialogun e tyre, me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, duke arritur një marrëveshje globale, përfundimtare dhe ligjërisht të detyrueshme.

Presidenti Vuçiq dhe kryeministri Hoti u pajtuan që të thellojnë bashkëpunimin e tyre në kuadër të aktiviteteve vijuese në shumë fusha, të propozuara përmes Procesit të Berlinit, si masa të rëndësishme për ndërtimin e besimit midis dy palëve.

Pjesëmarrësit shkëmbyen mendime mbi hapat e ardhshëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës. Negociatat mes dy palëve do të fillojnë më 12 korrik, përmes lidhjes video-konferenciale dhe do të vazhdojnë më 16 korrik, me takimin e tyre të parë në Bruksel. Ata do të organizohen nga përfaqësuesi i lartë, Zhozep Borel dhe përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe çështje të tjera rajonale që lidhen me Ballkanin Perëndimor, Mirosllav Lajçak. Presidenti Emanuel Makron dhe kancelarja Angela Merkel, inkurajuan presidentin Vuçiq dhe kryeministrin Hoti, që të arrijnë përparime të rëndësishme dhe thelbësore në negociatat gjatë muajve të ardhshëm.

Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është i domosdoshëm për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit dhe i një rëndësie të madhe për perspektivën e të dy vendeve për t’u anëtarësuar në BE. Andaj, presidenti Emanuel Makron dhe kancelarja Angela Merkel, do të mbeten të angazhuar për këtë çështje, do të vazhdojnë të mbështesin të dyja palët dhe Bashkimin Evropian, dhe do të jenë të gatshëm të organizojnë një samit të ri, nëse kjo është e nevojshme, në një fazë të mëvonshme të negociatave.

publie le 12/07/2020

hautdepage