Konferencë për shtyp e kryetarit të Francës Emanuel Makron [fr] [mk]

Pas përfundimit të Këshillit Evropian në Bruksel, më 18 tetor 2019

(Përkthim jozyrtar i fragmenteve, që ndërlidhen me zgjerimin)

(9 :24)

Mbrëmjen e djeshme kishim një debat të gjatë për zgjerimin dhe mendoj se duhet të jemi serioz dhe të ekuilibruar në lidhje me këtë temë të rëndësishme. Kam thënë vazhdimisht se besoj në një Evropë të fortë dhe sovrane, por gjithashtu besoj edhe në një Evropë koherente dhe të përgjegjshme. Vendet e Ballkanit, përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, kanë zbatuar reforma të rëndësishme, kanë zbatuar ndryshime të thella, që kërkonin shumë guxim, dhe këtu dua të përshëndes veçanërisht guximin e Zoran Zaevit, i cili i bëri ndryshimet kushtetuese, si dhe ndryshimin e emrit, që ishte jashtëzakonisht e vështirë për tu bërë, ndërsa ishte edhe pjesë e kërkesave. Thënë troç dhe qartë, shumë vende ishin të përmbajtura për hapjen e negociatave sot. Franca ishte pjesë e atyre vendeve, dhe krejt qartë, jo për të thënë që nuk u bënë reformat dhe që nuk kishte përparim, por fillimisht, për të vënë në pah që nuk kishte përparim në të gjitha fushat. Ekzistojnë probleme, mospërputhje dhe situate të caktuara të paqëndrueshme në disa prej këtyre vendeve, të tilla si migrimi dhe respektimi i të gjitha rregullave. Mirëpo, ndaj mendimin, që diskutimi i djeshëm ishte shumë i dobishëm për vizionin që kemi njëra palë apo tjetra për Evropën. Unë nuk mendoj se e vetmja marrëdhënie, që duhet të kemi me vendet tona fqinje duhet të jetë zgjerimi. Evropa do të ishte atëherë fuqia e vetme botërore, që do të konsideronte se politika e fqinjësisë nënkupton propozimin e anëtarësimit. Filluam të ndajmë një frymë kaq kolektive, e cila është e pazakontë. Është e çuditshme, sepse nuk funksionoi më mirë në mesin e 28 vendeve anëtare, nuk do të funksiononte më së miri në mesin e 27 anëtarëve, dhe nuk jam i bindur që do të funksiononte më mirë nëse do të zgjeroheshim. Ritheksova se para çdo zgjerimi efektiv, ndërkaq këtu bëhet fjalë vetëm për fillimin e negociatave, të jemi të qarta.

Pra, para çdo zgjerimi efektiv, ne duhet të dimë se si të reformohemi vet ne. Dhe ata që më thonë, se bëhet fjalë vetëm për hapje të derës për fillim të negociatave dhe se ato do të zgjasin 10 ose 15 vite, unë u them atyre se kjo nuk është një metodë e mirë. Më është thënë që nëse nuk i hapim negociatat tani por muajin tjetër, do të dekurajojmë ata që bënë përpjekje. Vallë nuk mendoni, se pas pesë vjetësh ata nuk do të na thonë përsëri se janë të zhgënjyer, nëse nuk i pranojmë menjëherë, këtë herë për tu anëtarësuar, e jo për negociata. Mundohem të vërej sot ritmin, me të cilin Evropa po përparon. Në vitin 2008 përjetuam krizë. Nëse sot unë, fatkeqësisht, i ndjek vendimet e marra, në kuadër të Bashkimit Evropian dhe eurozonës, deri në vitin 2028 do të kishim krijuar një bashkim të vërtetë bankar. Kur përballemi me një krizë potencialisht vdekjeprurëse, nevojiten njëzet vjet për tu reformuar. Kështu funksionojmë ne sot. Në qoftë se, nuk ndodh një zgjim kolektiv, nuk do të jemi në gjendje të pranojmë anëtarë të rinj as për pesë e as për dhjetë vjet, sepse nuk do të ndjekim ritmin e mirë. Duhet fillimisht të parashtrojmë këtë pyetje. Dhe unë nuk do të heq dorë nga ajo dëshirë ambicioze. Dhe nëse vërtet duam të aprovojmë agjendën e Komisionit Evropian, do të mund ta shtrojmë atë pyetje, posaçërisht në lidhje me përfshirjet e ardhshme në proces. Elementi i dytë, natyra e procesit të zgjerimit nuk është më adekuate.

Së pari, sepse procesi është në thelb mjaft burokratik, andaj është e nevojshme marrëveshje politike edhe në fillim e edhe në fund, e procesi nuk ka të bëjë më me popullin. Ju ftoj të vizitoni vendet, që filluan procesin e negociatave të zgjerimit dhe më pas humbën vijimin. E ndërkaq, ata që thonë se nëse ne nuk fillojmë procesin e negociatave do të shohim se si Rusia, Kina, etj. do të kenë një ndikim, unë do të them përsëri, shkoni dhe shikoni vendet që filluan negociatat. Asnjë strukturë industriale franceze, gjermane ose italiane nuk është hapur atje. Ndikimi është tashmë i pranishëm në rajon. Konsideroj se nuk po investojmë sa duhet, as në një mënyrë të koordinuar. Nuk bëhet fjalë për një proces të zgjerimit, por për një zgjedhje investimesh, ekonomike, arsimore, gjuhësore dhe kulturore në këto vende. Duhet pasur një axhendë strategjike, me partnerë, që nuk duhet të jenë anëtarë të ardhshëm. Gjithashtu, axhenda e zgjerimit nuk është më e përshtatshme, as e ndryshme dhe as politike në momente të caktuara të procesit, e i cili duhet të jetë qartësisht i kthyeshëm (reversibil) ose përndryshe nuk do të jetë i besueshëm (kredibil). Kjo është arsyeja pse unë dua, para se të hapemi për vende të reja, të zbatojmë atë reformë, e cila është kërkuar nga shumë vende anëtare, vite me radhë. Unë po jua them këtë tani, sepse në ditën kur do të fillojmë negociatat me procedurën aktuale, ata do të na thonë se nuk është në rregull dhe korrekte të ndryshohen rregullat e lojës, kur veçse kemi filluar të negociojmë së bashku. Ky ishte në fakt thelbi, por unë do të kthehem në temë përmes përgjigjeve ndaj pyetjeve tuaja. Nëse me të vërtetë dëshirojmë të bëhemi superfuqi dhe të jemi të qartë në ambiciet tona, si dhe të respektojmë ata që duan të kthehen kah Evropa, do të duhet medoemos që Bashkimi të reformohet, procesi i zgjerimit të ripërtërihet, të jemi të besueshëm dhe të kemi një mendim strategjik, në lidhje me atë se kush jemi ne, cili është roli ynë në lidhje me rajonin. Këto janë gjërat themelore, që kërkojnë konsensus, por vendosëm që t’i rihapim ato dhe të marrim vendime mbi to para Samitit të Zagrebit.

14:35
20:35 pyetje e gazetarëve nga RFI
E përforcuat qëndrimin tuaj të mëhershëm për çështjet e migracionit. Numri i azilkërkuesve nga Shqipëria është rritur gjatë javëve të fundit. A mendoni se duhet të bllokoni tërë procesin e zgjerimit, i cili po vijon për shkak të çështjeve të brendshme politike, duke i vënë ata në rrezik, që të ndjehen të izoluar në skenën evropiane. Zhan-Klod Junker, pak më parë tha se ajo ishte një gabim i rëndë historik. Çfarë porosie u dërgoni qytetarëve të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, të cilët besuan në këtë proces?

21:09 EM

Me Shqipërinë, para disa muajsh, kanë filluar një sërë veprimesh, për të zbuluar rrjetet kriminale. Me të vërtetë, është tejet e vështirë t’u shpjegohet qytetarëve tanë se ne do të hapim negociatat e pranimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian me një vend, që supozohet të ishte i sigurt, me të cilin kemi hapur një regjim pa viza dhe nga i cili, vijnë shumica e azilkërkuesve. Në fakt, kjo flet për ato që thashë disa javë më parë, se ekziston një devijim nga procedura e kërkimit të azilit dhe se e njëjta po abuzohet nga rrjete të caktuara, andaj kjo është arsyeja se pse ne kemi nevojë për bashkëpunim më të mirë. Kjo nuk është serioze, do të gërryejmë frymën evropiane, si dhe seriozitetin kolektiv, nëse lëmë të ndodhin gjërat në atë mënyrë, që nuk mund t’i shpjegojmë popujve tanë. Sidoqoftë, kjo nuk po ndodh vetëm në Francë. Sipas mendimit tim, ne e kemi pranuar disi këtë përpara vet procesit. Unë nuk ndërlidh njërën me tjetrën dhe qëndroj pas asaj që them dhe do t’i rikthehem sërish asaj çështje, por jo për arsye të brendshme politike. Ky është një problem që duhet të zgjidhet dhe jo vetëm me Shqipërinë. Ka vende të tjera me probleme migrimesh. Kemi migrime për arsye shëndetësore, pikërisht për shkak të liberalizimit të vizave. Ka qytetarë që vijnë nga Gjeorgjia, thjesht vetëm për t’u mjekuar në Evropë, të cilët e anashkalojnë plotësisht procedurën dhe këto janë dobësi të qartë, që peshojnë mbi financat tona publike, si dhe mbi aftësitë tona, që t`i pranojmë në mënyrë të duhur, ata që ne i quajmë luftëtarë të lirisë, e që në fakt janë azilkërkues. Ne duam të pranojmë dhe rregullojmë qëndrimin e tyre në mënyrë më të mirë dhe më të shpejtë. Nëse nuk respektohen rregullat, atëherë kjo nuk do të përkojë me parimet tona, e kësisoj do të humbet tërë kuptimi i politikës. Siç paralajmërova pak javë më parë në Francë, duhet të hapet një debat, pa asnjë pasion, të qartë dhe realist në këto tema. Unë mendoj se ky është çelësi i përgjigjes për t’i qëndruar besnik parimeve tona, sepse përkundrazi do të gjendeshim para një situate të padurueshme dhe në një lloj dialogu të shurdhër, mes njerëzve, që nuk mund të kuptohen, nga njëra anë, atyre që duan që ne të heqim dorë nga parimet tona dhe në anën tjetër të atyre fajtorëve, ngase mendojnë se ne duhet gjithçka të pranojmë, pa u respektuar rregullat. Që nga momenti kur një person futet në territorin francez, ai / ajo nuk duhet të kthehet më në vendin e tij / e saj dhe duhet të gëzojë të njëjtat vlera dhe të ketë statusin e njëjtë. E kjo nuk është e vërtetë. Kjo çështje ekziston me Shqipërinë, por edhe me vendet e tjera, e të cilën do të dëshiroja ta zgjidhnim, por që nuk është motivi kryesor i qëndrimit francez.

23:49 (... Brekziti... )
24:35
Në lidhje me zgjerimin, dëgjova qëndrimet e djeshme ... dhe në thelb nuk jam dakord me ata, që besojnë se zgjerimi i Bashkimit është qëllimi përfundimtar i ndërtimit evropian. Për shumë shtete anëtare ky është realiteti. Unë gjykoj se ky është një mendim plotësisht i gabuar, gjegjësisht që nuk është kjo Evropa që dua. Së pari, unë u bëra thirrje të gjithëve, që të jemi koherent. Nuk funksionuam me 27, e si të sqaroj se do të funksionojmë me 28, 29, 30, ose 32 anëtarë (...) Jemi shumë të ngadaltë në reformimin tonë, para se të zgjerohemi. Së dyti, ata që betohen se duhet të zgjerohemi, na thonë se dëshirojnë të kontribuojnë me 1% të PBB-së në buxhet. Nëse brumi rritet, do të ketë më pak gjalpë për ta lyer të tërën, e ndërkaq shtresa do të trashet, kështu që në fund nuk do të vërehet fare. Dhe tingëllon e çuditshme, por në fund të fundit do të na mbetet vetëm brumi. Kështu, Evropa do të shndërrohet në një formë kryesore të një tregu të vetëm, me një koordinim të dobët. Ky është edhe vizioni që po na ndodh ngadalë. Dhe ky është një gabim. Ne jemi të rrethuar nga vende të fuqishme dhe për këtë arsye kemi nevojë për më shumë integrim, më shumë qartësi në zgjedhjet tona, për të pasur peshë më të madhe gjeopolitike, veçanërisht në situata që po na ndodhin sikur se në Siri sot (...) në një kohë kur kemi nevojë për më shumë fuqi dhe forcë, solidaritet më të fuqishëm, ne themi jo - do të vazhdojmë të zgjerohemi, siç kemi bërë deri më tani. Kjo nuk është koherente, sidomos kur duam të zvogëlojmë ose ta mbajmë buxhetin. Për mua, kjo është në kundërshtim me vizionin, që duhet ta kemi për një Evropë, pas të cilës unë qëndroj. Mosmarrëveshjen që e kemi, ka të bëjë me natyrën e procesit të zgjerimit.

Sipas mendimit tim, negociatat e reja duhet të hapen, por kjo nuk do të thotë zgjerim. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë ne. Çdo anëtarësim duhet të ndodhë pasi të jenë zbatuar reformat. Por, që të hapen negociata të reja, duhet të reformohen rregullat e zgjerimit dhe të njëjtat, të mund të diferencohen dhe të bëhen reversibile (të kthyeshme). E kjo është gjithashtu po aq e rëndësishme.

E më pas, e kemi vizionin për rajonin. Dje dëgjova ata që thonë se për pak nuk është arritur shumica për hyrje të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Ata nuk e thonë të vërtetën. Padyshim që ishte një shumicë e konsiderueshme, përveç disa vendeve ... dhe madje një shumicë e madhe, jam gati ta them edhe këtë, për Maqedoninë e Veriut. Por të paktën gjysma e shteteve anëtare thoshin: "Nuk është njësoj me Shqipërinë, ne nuk duam që ata të hyjnë". Sipas mendimit tim, nëse do të hapeshin negociatat për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut, duke e lënë Shqipërinë anash, do të ishte një gabim fatal politik për rajonin, dhe ky ishte konsensusi i vetëm që mund ta arrinim. Mendoj se ky do të ishte një gabim fatal politik. Do të kishte protesta politike dhe sociale, me shfaqje të paparë të dhunës, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjitha vendet me pakicë shqipfolëse. E as që u mendua për pasojat në lidhje me Kosovën dhe vendet fqinje. Madje është gabim të theksohet se u arrit një shumicë për këto dy vende së bashku. Kështu që unë mendoj se nuk duhet të rrëmbehemi nga disponimi që mbizotëronte. Unë mendoj se kjo nuk ishte serioze.

Ndaj mirënjohje për përpjekjet e bëra nga zotërinjtë Rama dhe Zaev, të cilët janë politikanë të guximshëm. Fundja, unë do t’i vizitoj ata në muajt në vijim. Do të vazhdojmë të punojmë, por duhet që edhe ne vet, ta bëjmë punën tonë, në mënyrë që të mos lajthitemi. Kështu që nuk jam me një frymë të mbyllur. Nëse arrihet përparim, ne do mundemi edhe ne në bazë të procedurave tona, të hapim diçka së bashku me ato vende, por kjo nuk mund të bëhet në përputhje me procedurën, që e kemi pasur deri më tani, sepse kjo nuk ka më kuptim.
Dita kur do të arrihet pajtueshmëri, do të më pyesni se çfarë do t’u them qytetarëve të Maqedonisë së Veriut? Në ditën kur ne do t`u themi se ata i hapin negociatat, të nesërmen ata do të marrin një pyetësor prej 60 faqesh me të gjitha rregullat. A mendoni se kjo do të ndryshojë jetën e përditshme të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut kur t’u themi atyre se ndoshta do të mund të hyjnë në Bashkim brenda dhjetë viteve?

Duhet të kultivohet ai dialog strategjik, i cili është ndoshta më efikas, se sa pyetësorët, e ndërkaq ne pyetemi, se si të koordinojmë investimin tonë, investimin në ekonomi, kulturë, gjuhë. Si t’i ndihmojmë më shumë njerëzit drejtpërdrejt, në vend se t’i lëmë ata në ndërgjegjen e tyre, duke i vendosur në një tobogan procedurash, të cilat ne jemi të pafuqishëm që t`i menaxhojmë dhe zotërojmë dhe me një Evropë, e cila me që ra fjala kështu, do të sillet si pula pa kokë.

publie le 18/10/2019

hautdepage