Kujtimet e Luftës së Parë Botërore [fr] [mk]

Të hënën, më 24 janar, ambasadori hapi në Muzeun e Luftës së Maqedonisë, së bashku me ministrin e kulturës, z. Asaf Ademi dhe me drejtoreshën e këtij muzeu, znj. Daniela Nikolova, ekspozitën "Kujtimet e Luftës së Parë Botërore" . Kjo ngjarje ishte një rast i mirë për shqyrtimin e bilancit të pasur të Njëqindvjetorit të LPB-së, të bashkëorganizuar me një shtet, që po fillon të rimarrë me ne pjesë nga historia e tij, në të gjithë dimensionin e tij evropian.

Zotëri ministër, zonja drejtoreshë, të dashur miq,

Është një nder i madh për mua, që ta hap këtë ekspozitë të shquar, e cila i kushtohet Luftës së Parë Botërore, në një vend ku mëtohet të prezantohet historia e Maqedonisë, në shekullin e njëzetë dhe fazat e krijimit të shtetit tuaj. E përshëndes këtë nismë të madhe dhe i përgëzoj të gjithë ata, që morën pjesë në realizimin e saj.

Për më tepër, bëhet fjalë për një lidhje, në momentin e duhur, kur edhe do të shënojmë dhe festojmë datën njëzet e shtatë dhjetor, si datë të saktë të vendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike. Kjo ekspozitë na rikujton një hap vendimtar dhe të dhimbshëm në historinë tuaj, të shkruar dhe të gdhendur në kujtesën e popujve, që përbëjnë Evropën dhe, natyrisht, të bashkësive të ndryshme që kanë ndërtuar republikën tuaj së bashku.

Në vitin 1918, këtu në Frontin e Maqedonisë, me marrjen e qytetit të Shkupit, mori fund një tragjedi e filluar në vitin 1912, kur popujt e rajonit morën pjesën e tyre të vuajtjeve dhe luajtën një rol, shpesh të panjohur nga historianët. Kjo histori duhet të hulumtohet dhe të zbulohet, si një pjesë e madhe e historisë së rajonit, duke u bazuar në të vërtetën, në tolerancë dhe në pajtim.

Shpresojmë dhe presim që të përfitoni nga rasti, që të hyni në ndërtimin evropian, i cili do të respektojë identitetet dhe historitë kombëtare, por me një shikim drejt të ardhmes, pa bulthitur dhe pa rishfaqur stereotipe dhe legjenda. Mitet e nacionalistëve madhështor kanë përfunduar çdoherë në katastrofa të mëdha për popujt.

Ne duhet të ecim drejt një kujtese të përbashkët, pa harruar të kaluarën, por mu ashtu siç kanë bërë francezët dhe gjermanët, duke pranuar realitetin e tjetrit, në shërbim të një ambicie të përbashkët. I gjithë ky shestim, më shumë se kurrë, pavarësisht nga pengesat, me synimin për një kontinent evropian të pajtuar dhe të paqtuar, që nga Atlantiku e deri në Urale, rreth paqes, lirisë dhe zhvillimit.

Përfitoj nga ky rast, që të përshëndes vendimin e duhur të Ministrisë së Kulturës, përmes Drejtorisë së saj të Trashëgimisë, e cila ka rënë dakord që të përfshijë hapjen e dy muzeve tona të Manastirit dhe të Shkupit, në axhendën e Vitit të Trashëgimisë Evropiane, që përfundon këto ditë. Kjo ka të bëjë me njohjen dhe vlerësimin e një kujtese të përbashkët, që na detyron të gjithëve, që të futemi në një kornizë evropiane, për të ndërtuar së bashku një të ardhme më të mirë. Jam krenar që u kam prirë kolegëve të mi rusë dhe amerikanë, duke i shpjerë në këto vende, ku çmimi i paqes merr kuptimin e duhur dhe të plotë.

Falënderoj me këtë rast autoritetet e larta shtetërore, duke filluar që nga kryetari Ivanov, i pranishëm në Paris më 11 nëntor, për të përfaqësuar Maqedoninë në Forumin e Paqes, mandej ministren e mbrojtjes dhe shërbimet e kësaj ministrie, si dhe kryetarët e komunave të Shkupit dhe të Manastirit, për vullnetin e tyre të fortë, për t’u bashkuar me këtë mesazh paqeje dhe për të bartur atë porosi deri te brezat e rinj.

Ne do të vazhdojmë në këtë rrugë, me përkrahjen e prezantimit në Francë, të ekspozitës së përgatitur nga Shoqata e Profesorëve të Historisë, duke filluar me Epinalin, i binjakëzuar me qytetin e Manastirit, e duke vazhduar me takimet e historianëve. Në takimin e radhës, do të trajtohet tema e Traktatit të Versajës, si një mësim i madh për nevojën për kompromis dhe multilateralizëm, në drejtim të ndërtimit të paqes.

Transmetimi është kuptimi i parë për këtë përvjetor të njëqindtë, që Franca mëtonte t`a bënte me ceremonitë përkujtimore, por gjithnjë me sytë dhe shikimin e kthyer kah e ardhmja, me të gjithë partnerët e saj në Evropë dhe në botë.

Të dashur miq, ky është vendi dhe momenti i duhur, që t`ua uroj Vitin e Ri 2019, duke shpresuar për një vit, i cili do të thellojë pajtimin rajonal. Ju dëshiroj suksese dhe mbarësi, në këtë etape vendimtare, në rrugën tuaj drejt një shteti të prosperuar dhe të qëndrueshëm, të integruar në një Evropë paqësore dhe të respektuar!

publie le 24/12/2018

hautdepage