Letra e kryetarit të Francës, z. Emanuel Makron, drejtuar qytetarëve francezë [fr] [mk]

Kryetari i Francës, Emanuel Makron, u dërgoi një letër francezëve, duke i ftuar ata në një debat të madh kombëtar, i cili do të fillojë të martën, më 15 janar.

Të nderuar/a dhe të respektuar/a francezë dhe franceze, bashkëqytetarë dhe bashkatdhetarë të mi,

Në një periudhë pikëpyetjesh dhe paqartësish, si kjo përmes së cilës po kalojmë, duhet të rikujtojmë se kush jemi. Franca nuk është një vend si vendet e tjera. Kuptimi i padrejtësisë këtu është më i theksuar se kudo qoftë tjetër. Nevoja për ndihmë të ndërsjellë dhe solidaritet është më e fortë se kurrë.
Në vendin tonë, ata që punojnë, financojnë të ardhurat (pensionet) e pensionistëve. Te ne, një numër i madh i qytetarëve, ndonjëherë paguajnë taksa të larta mbi të ardhurat, të cilat ulin pabarazinë. Në vendin tonë arsimi, shëndetësia, siguria, drejtësia, janë të shërbim dhe në disponim të të gjithëve, pavarësisht nga situata dhe pasuria. Vështirësitë në jetë, si për shembull papunësia, mund të tejkalohen, falë përpjekjes së përbashkët të të gjithëve.
Prandaj, në Francë, krahasuar me vendet e tjera, vëllazëria dhe barazia janë më të theksuara. Është gjithashtu vendi me lirinë më të madhe, pasi që të gjithë janë të mbrojtur në aspektin e të drejtave dhe lirive të tyre të mendimit, ndërgjegjes, besimit ose filozofisë. Dhe çdo qytetar ka të drejtë të zgjedhë përfaqësues, që do të zbatojnë dhe përkthejnë votën e tij në qeverisjen e vendit, në hartimin e ligjeve, si dhe në vendimet më të rëndësishme, që duhet të merren.

Secili ndan fatin e të tjerëve dhe gjithsecili ftohet për të vendosur për fatin e përbashkët: ky pra, është kombi francez. Andaj, si të mos ndihesh krenar që je francez?

Natyrisht, unë e di, që disa prej nesh sot, janë të pakënaqur ose të zemëruar. Sepse taksat janë shumë të larta për ta, shërbimet publike nuk janë të mjaftueshme për ta, duke mos pasur qasje në to, ngase pagat janë tepër të ulëta për disa, që të mund të jetojnë me dinjitet, për shkak të faktit se vendi ynë nuk ofron të njëjtat mundësi dhe shanse për sukses, sipas vendit ose familjes nga ku vijmë. Ne të gjithë do të donim një vend më të begatë dhe një shoqëri më të drejtë.

E ndaj edhe unë këtë ambicie dhe brengë. Ne duam një shoqëri, në të cilën, për të pasur sukses, nuk do të na duhet të kemi lidhje ose pasuri, por përpjekje dhe punë. Në Francë, por edhe në Evropë dhe në botë, ekziston një shqetësim dhe një ankth i madh, një çekuilibër i theksuar. E kjo është arsyeja, se pse ne duhet të flasim me ide të qarta.

Por ka një kusht për këtë: le të mos pranojmë asnjë formë dhune. Unë nuk pranoj shtypjen dhe fyerjet, për shembull ndaj përfaqësuesve të zgjedhur të popullit, nuk pranoj dhe nuk kam të drejtë të pranoj akuzën e përgjithshme, për shembull në aspektin e mediave, gazetarëve, institucioneve apo zyrtarëve. Nëse të gjithë fillojnë të sulmojnë njëri-tjetrin, shoqëria fillon të rrënohet dhe shkërmoqet! Në mënyrë që shpresa të mbizotërojë mbi frikën, është gjithashtu e nevojshme dhe e ligjshme, që të rishikojmë çështjet e mëdha që lidhen me të ardhmen tonë.

Kjo është arsyeja, se pse propozova sot hapjen e debatit të madh kombëtar, që do të zgjasë deri më 15 mars.

Para disa javësh, kryetarët e komunave, hapën zyrat e tyre komunale në mënyrë që ju, t`i shprehni pritjet tuaja. Kam pranuar reagimet dhe përgjigjet e para kthyese, të cilat i kam marr parasysh. Ne tani do të hyjmë në një fazë më të gjerë dhe ju do të keni mundësi të merrni pjesë në debate të organizuara në mjedisin tuaj ose të shpreheni përmes internetit, që të shfaqni sugjerimet e juaja. Dhe mund ta bëni këtë në Francë, në territoret tej-oqeanike, por gjithashtu edhe këtë mund ta bëjnë edhe shtetasit francezë, që qëndrojnë jashtë vendit. Në fshatra, qytete, lagje, me nismën e kryetarëve të komunave, zyrtarëve të zgjedhur, udhëheqësve të zgjedhur të komuniteteve ose qytetarëve të zakonshëm ... Në asambletë parlamentare, qoftë ato rajonale ose në nivel të departamenteve.

Kryetarët e komunave do të luajnë një rol thelbësor, pasi ata janë përfaqësuesit tuaj të zgjedhur dhe si rrjedhim, ndërmjetësues legjitim të shprehjes së qytetarëve.

Sipas mendimit tim, nuk duhet të ketë pyetje të ndaluara. Ne nuk do të pajtohemi për gjithçka, gjë që është krejtësisht normale, sepse fundja kjo është demokracia. Por të paktën do të tregojmë se jemi njerëz që nuk kemi frikë të flasim, të shkëmbejmë, të debatojmë. Dhe ndoshta do t`ia dalim të pajtohemi, kryesisht, përtej preferencave tona, më shpesh sesa që mendojmë.
Unë nuk e kam harruar faktin, që jam zgjedhur në bazë të një projekti, me orientime dhe synime të mëdha, të cilave i qëndroj besnik. Gjithnjë mendoj se duhet ta kthejmë prosperitetin e Francës, në mënyrë që ajo të mund të jetë bujare dhe zemërgjerë, sepse njëra shkon me tjetrën. Unë ende mendoj se lufta kundër papunësisë duhet të jetë prioriteti ynë kryesor dhe që vendet e punës të krijohen së pari në kompani, andaj le t’u japim atyre mjetet për zhvillim.

JPEG

Unë ende mendoj se ne duhet të rindërtojmë sovranitetin tonë industrial, dixhital, bujqësor dhe të investojmë në njohuri dhe hulumtime (kërkime). Edhe më tej ndaj mendimin, se ne duhet ta rinovojmë shkollën e besimit, ta rinovojmë sistemin social, në mënyrë që të mbrojmë më mirë francezët dhe të pakësojmë pabarazitë që nga rrënja. Ende mendoj se shpenzimet e burimeve natyrore dhe ndryshimet klimatike, na detyrojnë të rishikojmë modelin tonë të zhvillimit. Ne duhet të shpikim një projekt të ri produktiv, social, edukativ, mjedisor dhe evropian, më të drejtë dhe më efikas. Lidhur me këto drejtime kryesore, vendosmëria ime nuk ka ndryshuar.

Por unë gjithashtu mendoj se nga ky debat mund të arrijmë të sqarojmë projektin tonë kombëtar dhe evropian, të krijojmë mënyra të reja për të shikuar drejt së ardhmes, për të lindur ide të reja. Dëshiroj që në këtë debat të kyçen sa më shumë qytetarë francezë, në numër sa më të madh të jetë i mundur.

Ky debat do të duhet t`u jep përgjigje pyetjeve thelbësore që janë shfaqur viteve të fundit. Andaj, së bashku me qeverinë, kemi zgjedhur katër tema kryesore, që mbulojnë shumë nga çështjet më të rëndësishme të kombit: Tatimi dhe shpenzimet publike, organizimi i shërbimeve shtetërore dhe publike, tranzicioni ekologjik- mjedisor, demokracia dhe shtetësia. Për secilën nga këto tema, janë parashtruar dhe ngritur tanimë një sërë propozimesh dhe pyetjesh. Unë do të doja të formuloja disa prej tyre, të cilat nuk e shterojnë debatin, por që me duket se janë thelbësore për çështjet që po i ngrisim.

Tema e parë ka të bëjë me taksat tona, shpenzimet tona dhe aktivitetet e shërbimeve publike.

Tatimi është në qendër të solidaritetit (mishërimit) tonë kombëtar. Ai financon shërbimet tona publike. Me të, ne paguajmë mësuesit, zjarrfikësit, policët, ushtarët, gjykatësit, infermierët dhe të gjithë zyrtarët që punojnë në shërbimin tuaj. Ai mundëson që t`u paguhen përfitimet sociale kategorive më të prekshme të qytetarëve, por edhe për të financuar disa projekte të mëdha të ardhshme, kërkimin tonë, kulturën tonë, ose për të mirëmbajtur infrastrukturën tonë. Me taksën tatimore paguajmë interesin e borxhit shumë të madh, që vendi ynë ka bërë me kalimin e kohës.

Por kur tatimi është shumë i lartë, ai privon ekonominë tonë nga burimet që mund të investohen më lehtë në biznese, gjë që do të krijonte vende pune dhe rritje. I privon punëtorët nga fryti i përpjekjeve të tyre. Ne nuk do t`i rishikojmë masat që kemi ndërmarrë për të korrigjuar këtë, me qëllim inkurajimin e investimeve dhe rritjen e pagave në përputhje me përpjekjet. Masat sapo janë votuar dhe kanë filluar të tregojnë efektet e tyre. Parlamenti do t’i vlerësojë ato në mënyrë transparente dhe do të kryejë retrospektivën e nevojshme. Nga ana tjetër, duhet të rishikojmë dhe shqyrtojmë, para se të vazhdojmë më tutje.
Si mund ta bëjmë sistemin tonë fiskal më të drejtë dhe më efikas? Çfarë taksash tatimore mendoni se duhet të ulen së pari? Sidoqoftë, nuk mund të kemi ulje të taksave, pa ulur nivelin e përgjithshëm të shpenzimeve publike. Cilat janë kursimet që mendoni se janë prioritare? Vallë, a duhet të heqim disa shërbime publike që janë të vjetruara ose tepër të shtrenjta në krahasim me përfitimet prej tyre? Në anën tjetër, a shihni nevoja të reja për shërbimet publike dhe si t’i financojmë ato?
Kjo gjithashtu e vë në pikëpyetje modelin tonë shoqëror. Disa e konsiderojnë atë si të pamjaftueshëm, të tjerët konsiderojnë që është shumë i shtrenjtë, për shkak të kontributeve që i paguajnë. Efikasiteti i shërbimeve të trajnimit dhe punësimit kritikohet shpesh. Qeveria filloi të reagojë, pas konsultimeve të detajuara, përmes një strategjie për përmirësimin e shëndetit tonë, por edhe për luftën kundër varfërisë dhe kundër papunësisë.
Si të organizojmë më mirë kornizat e kontratës sonë sociale? Cilat qëllime duhet të fiksohen si prioritare?

Tema e dytë për të cilin duhet të marrim vendime është organizimi i shtetit dhe autoriteteve publike.

Shërbimet publike kanë një kosto, por ato janë jetike: shkolla, policia, ushtria, spitalet, gjykatat, të cilat janë thelbësore për kohezionin tonë shoqëror.
A ka shumë nivele administrative apo nivele të vetëqeverisjes lokale (vendore)? A duhet ta përforcojmë decentralizimin dhe t’u japim më shumë fuqi dhe pushtet për vendimmarrje dhe veprim qytetarëve? Në çfarë nivelesh dhe për cilat shërbime? Si do të donit që shteti të organizohej dhe si mund ai ta përmirësojë veprimin e tij? A duhet të shqyrtojmë funksionimin e administratës dhe në ç`mënyrë? Si mund të përmirësohet shteti dhe komunitetet lokale, për tu përballur më mirë me sfidat e territoreve tona, që kanë më tepër vështirësi dhe çfarë propozoni ju?

Tranzicioni ekologjik është tema e tretë, thelbësore për të ardhmen tonë.

I jam përkushtuar objektivave të ruajtjes së biodiversitetit, luftimit të ngrohjes globale dhe ndotjes së ajrit. Sot askush nuk e kundërshton nevojën urgjente për të vepruar shpejt. Sa më shumë që vonohemi në shqyrtimin e këtyre gjërave, aq më të dhimbshme dhe më të vështira do të jenë këto ndryshime.
Zbatimi i një tranzicioni mjedisor-ekologjik zvogëlon shpenzimet e karburantit, ngrohjes, menaxhimit të mbetjeve dhe transportit. Por për të arritur këtë tranzicion, ne duhet të investojmë shumë dhe të mbështesim qytetarët tanë me situatë të rënduar. Solidariteti kombëtar është i nevojshëm dhe i domosdoshëm, në mënyrë që të gjithë francezët t`ia dalin mbanë në drejtim të kësaj.
Si e financojmë tranzicionin ekologjik: përmes taksave. Kush duhet të jetë i prekur dhe i tanguar, si prioritet? Si të arrihet në zgjidhje konkrete për të gjithë, për shembull, për të zëvendësuar sistemin e vjetër të ngrohjes qendrore ose veturat e vjetra? Cilat janë zgjidhjet më të thjeshta dhe më të qëndrueshme financiarisht? Cilat janë zgjidhjet për transportin, strehimin, ngrohjen, ushqimin që duhen të zbatohen në nivel vendor, dhe jo në nivel kombëtar? Cilat propozime konkrete do t`i bënim, për të përshpejtuar tranzicionin tonë mjedisor-ekologjik?
Çështja e biodiversitetit është gjithashtu një çështje që na tangon të gjithëve. Si të garantojmë shkencërisht zgjedhjet që duhet të bëjmë në këtë drejtim? Si t’i ndajmë këto zgjedhje në nivel evropian dhe ndërkombëtar, në mënyrë që prodhuesit tanë, fermerët dhe industrialistët tanë të mos dëmtohen dhe ndëshkohen, në raport me konkurrentët e tyre të huaj?

Fundja, është e qartë se periudha që po kalon vendi ynë, dëshmon se ne duhet t`i japim më shumë forcë demokracisë dhe shtetësisë.

Të qenit shtetas, qytetar, do të thotë të ndihmosh të vendosësh për të ardhmen e vendit, përmes zgjedhjes së përfaqësuesve në nivel lokal, kombëtar ose evropian. Ky sistem i përfaqësimit është themeli i Republikës sonë, por ai duhet të përmirësohet, sepse shumë syresh nuk ndjehen të përfaqësuar pas zgjedhjeve.

A duhet të njihen fletëvotimet e zbrazëta (boshe)? A duhet ta bëjmë votimin të detyrueshëm? Cila është doza e duhur e proporcionalitetit në zgjedhjet parlamentare, për një përfaqësim më të drejtë të të gjitha projekteve politike? Vallë, a duhet dhe në çfarë përmasash, të kufizohet numri i parlamentarëve apo kategorive të tjera të zgjedhura? Çfarë roli duhet të luajnë kuvendet tona, duke përfshirë Senatin dhe Këshillin për Çështje Ekonomike, Sociale dhe Mjedisore, në përfaqësimin e territoreve tona dhe të shoqërisë civile? A duhet t’i transformojmë ato dhe si, në ç`mënyrë?

Përveç kësaj, a duhet që një demokraci e rryer dhe e madhe si Franca, të jetë e gatshme të dëgjojë më shpesh zërin e qytetarëve të saj.
Cilat ndryshime doni t`i ndërmerrni për ta bërë pjesëmarrjen qytetare më aktive, ndërkaq demokracinë më pjesëmarrëse dhe njëkohësisht më aktive? A duhet të rritet dhe të ketë në mënyrë më të drejtpërdrejtë përfshirje të qytetarëve, që nuk janë të zgjedhur, për shembull, të përzgjedhur me short, në vendime publike? A duhet të kemi më shumë referendume dhe kush duhet të marrë nismën për organizimin e tyre?

Shtetësia, në fakt, gjithashtu nënkupton, edhe të jetuarit së bashku.
Vendi ynë ka ditur gjithmonë se si t’i mirëpresë ata që kanë ikur nga luftërat, përndjekjet dhe që kanë kërkuar strehim në vendin tonë: është e drejta e azilit, e cila nuk mund të vihet në dyshim dhe pikëpyetje. Bashkësia jonë kombëtare ka qenë gjithmonë e hapur për ata që, të lindur diku tjetër, zgjodhën Francën, në kërkim të një të ardhmeje më të mirë: kështu edhe është ndërtuar vendi ynë. Megjithatë, kjo traditë sot po tronditet nga tensionet dhe dyshimet që lidhen me imigracionin dhe dështimet e sistemit tonë të integrimit.
Çfarë propozoni për të përmirësuar integrimin në kombin tonë? Kur është fjala për imigracionin, kur të përmbushen detyrimet tona për azil, a dëshiron që ne të jemi në gjendje të caktojmë qëllime vjetore të vendosura nga Parlamenti? Çfarë propozoni që t’i përgjigjemi kësaj sfide, e cila do të zgjasë edhe më tej?
Çështja e laicizmit është ende subjekt i debateve të rëndësishme në Francë. Laicizmi është vlera kryesore për bashkëjetesë, harmoni dhe perceptim të ndjeshëm të besimeve të ndryshme, qoftë fetare apo filozofike. Është sinonim i lirisë, duke i mundësuar të gjithëve të jetojnë sipas zgjedhjes së tyre.
Si t’i forcojmë parimet e shekullarizmit francez, në marrëdhëniet midis shtetit dhe feve në vendin tonë? Si mund të garantojmë, që të gjithë, do të respektojnë mirëkuptimin reciprok dhe vlerat e pandashme të Republikës?

Në javët e ardhshme ju ftoj të debatoni për t`iu përgjigjur këtyre pyetjeve vendimtare për të ardhmen e kombit tonë. Do të dëshiroja, gjithashtu, që përveç këtyre temave që i propozoj, të specifikoni ndonjë temë tjetër konkrete, që besoni se mund ta përmirësojë jetën tuaj të përditshme.
Ky lloj debati, është një nismë e pashembullt, për të cilin unë jam i vendosur, që të nxjerr të gjitha konkluzionet dhe përfitimet e mundshme. Ky hap nuk është as zgjedhje, e as referendum. Ky debat është shprehja juaj personale, që përkon me historinë dhe rrethanat tuaja, mendimet tuaja, prioritetet tuaja, dhe i njëjti do të merret parasysh këtu, pavarësisht nga mosha juaj apo statusi i juaj shoqëror. Unë besoj se kjo mënyrë e të dëgjuarit dhe konsultuarit të qytetarëve tanë, është një hap i madh përpara për Republikën tonë. Për të garantuar lirinë tuaj të fjalës, dua që ky debat të organizohet në pavarësi të plotë dhe të jetë i përshtatur me të gjitha garancitë e besnikërisë dhe transparencës. Në këtë mënyrë, së bashku me ju, shpresoj ta transformojmë zemërimin në gjetje të zgjidhjeve.

Propozimet tuaja do të bëjnë të mundur ndërtimin e një kontrate të re për kombin, strukturimin e veprimeve të qeverisë dhe parlamentit, si dhe qëndrimet e Francës në nivel evropian dhe ndërkombëtar. Unë do t’ju informojë direkt për debatin një muaji, fill pas përfundimit të tij.

Të nderuar dhe të respektuar francezë dhe franceze, bashkëqytetarë të mi të dashur, dëshiroj që të merrni pjesë në numër sa më të madh, në këtë debat të madh, në mënyrë që të japim një kontribut të dobishëm për të ardhmen e vendit tonë.

Me besim të ndërsjellë,
Emanuel Makron

publie le 14/01/2019

hautdepage