Lilijana Tangi: Dygjuhësia është e mirë, nëse çon në respekt të ndërsjellë [fr] [mk]

E intervistuar nga gazeta "Nezavisen", deputetja Lilijana Tangi, nënkryetare e Komisionit për Çështje Evropiane dhe Grupit të Miqësisë Francë-Maqedoni, flet për aktualitetin politik në vend dhe për të ardhmen evropiane të vendit, mandej për nënshkrimin e Traktatit franko-gjerman në Ahen (fr. Eks-la-Shapel), si dhe për progresin e bërë nga vendi, që nga vizita e saj e fundit.

Lilijana Tangi: Dygjuhësia është e mirë, nëse çon në respekt të ndërsjellë

JPEG

Lilijana Tangi është deputete dhe nënkryetare e Komisionit për Çështje Evropiane në Parlamentin e Francës. Ajo është gjithashtu edhe nënkryetare e Grupit të Miqësisë midis vendit tonë dhe Francës, më herët ka qenë në Maqedoni dhe e kupton gjuhën maqedonase, sepse është edhe me origjinë nga vendi ynë. Mesazhi kryesor që ajo donte të dërgojë, ndërlidhej me shpresën që Marrëveshja e Prespës të ratifikohej në parlamentin grek dhe kësisoj t’i jepej fund mosmarrëveshjes 28 vjeçare për emrin. A do t`ia mundësojë kjo hapjen e derës Maqedonisë drejt BE-së, përveç asaj drejt NATO-s, çfarë pret ajo nga zgjedhjet evropiane, si dhe si e shikon çështjen e dygjuhësisë, që u bë realitet në vendin tonë javën që shkoi – ishin këto çështjet për të cilat ajo ndau pikëpamjet e saja me ne.

20 vite ma radhë Maqedonia merrte porosi, që të zgjidhte mosmarrëveshjen e emrit për t’u bashkuar me BE-në. A mund të ndodhë tani, që me zgjidhjen e kontestit të emrit, të mos marrim sërish një datë për negociata në qershor?

JPEG

- Dua të shpreh optimizmin tim se Greqia, mu ashtu siç bëri edhe Maqedonia, do ta ratifikojë Marrëveshjen e Prespës dhe do t’i japë fund mosmarrëveshjes së gjatë shumëvjeçare. Sa i përket datës për negociata, theksoj se çështja e emrit është një nga kushtet, por kjo nuk është e tëra, sepse ka më shumë gjëra syresh që duhet të përmbushen, si përparimi në reformat dhe në zbatimin e tyre efektiv dhe efikas. Ne jemi një vend që kërkon shumë, para se të jepet drita e gjelbër për fillim të negociatave.

Tek ne tashmë po përhapet lajmi se Franca dhe Holanda, janë më kërkueset rreth kësaj çështje dhe ka gjasa që të bllokojnë sërish datën për negociata për Maqedoninë në qershor.

- Nuk jam në dijeni për këtë që po thoni. Mendoj se është e nevojshme të plotësohen disa kushte. Ne jemi pothuajse në fillim të fushatës për zgjedhjet evropiane dhe mendojmë se çështja e dhënies së një date për negociata duhet të lihet pas zgjedhjeve. Pse? Sepse atëherë do të kemi një kontekst të ri evropian dhe gjersa të krijohet ai, do t’i mundësojë Maqedonisë që të bëjë përparim të dukshëm në fusha të caktuara dhe kjo do të na mundësojë që t’ju japim një datë për negociata.

Në qershor apo më vonë?

- Nëse nuk gaboj, gjatë mbledhjes së Këshillit Evropian në qershor të vitit të kaluar u tha se kjo çështje do të shqyrtohet nga Këshilli në qershor të këtij viti.

A prisni një rritje të konsiderueshme të forcave anti-BE në Parlamentin Evropian, pas zgjedhjeve të majit?

- Jam e shqetësuar për rezultatet e mundshme të këtyre zgjedhjeve evropiane. Ka populizëm dhe ekstremizëm, që po rritet ditë e më shumë në vendet evropiane. Unë jam deputete, që vij nga një parti e shumicës presidenciale, respektivisht nga një Lëvizje, në të cilën ka shumë anëtarë, me të cilët përpiqemi të ndajmë vlera dhe mendime progresive, e kësisoj duam t’i kundërvihemi me forcë të tjerëve, që duan të na shpijnë në përjashtime dhe mbyllje, respektivisht i kundërvihemi qëndrimeve të partive populiste, që po marrin gjithnjë e më shumë pushtet, në një sërë vendesh të caktuara në Evropë. Ne duam një Evropë të reformuar, e cila do të jetë më afër qytetarëve, e cila do të jetë më e fortë dhe do të mbrojë më shumë interesat e qytetarëve të saj. Ne synojmë dhe përpiqemi t`a arrijmë këtë qëllim, e për të arritur këtë, duhet të bashkohemi të gjithë rreth vlerave të përbashkëta, si humanizmi dhe përparimi, si dhe të përballemi me forcat e tjera, që nuk i ndajnë këto vlera..

Franca dhe Gjermania nënshkruan një marrëveshje të re bashkëpunimi. A do të thotë kjo që të dy vendet do të krijojnë një Bashkim të ri apo paralel brenda BE-së?

JPEG

- Dyshja franko-gjermane ka qenë, është dhe do të jetë motori i Evropës. Marrëveshja e re, nuk do të thotë megjithatë, se të dy vendet duan të përjashtojnë të tjerët nga Evropa, që kanë të njëjtat standarde, që të zhvillohen më tej në një hapësirë të përbashkët, ku do të ketë homogjenizim të standardeve sociale, një politikë të unifikuar fiskale dhe tatimore, e kështu me radhë. Përkundrazi, këto dy vende mund të jenë baza themeltare për një Evropë të ripërtërirë, e cila nuk duhet t’iu duket të tjerëve si një Evropë me dy shpejtësi, por si një e tillë, që mund të tërheqë drejt vetes vendet që synojnë arritjen e standardeve të përbashkëta ekonomike dhe sociale.

Që nga java e kaluar Maqedonia është një shtet dygjuhësh (bilingual). Si e shihni ju këtë?

- Nga ajo që di unë, një përqindje e caktuar e popullsisë këtu është shqiptare dhe është e drejtë legjitime, që dikush të mund të përdorë gjuhën e vet amtare, domethënë, është shumë e rëndësishme të flitet në të dyja gjuhët, por vetëm nëse kjo ndihmon në kohezionin shoqëror dhe respektin e ndërsjellë.

A shihni ndonjë përparim në Maqedoni që nga qëndrimi i juaj i fundit, në vitin e kaluar?

- Arrij të konstatoj përparim pozitiv. Megjithatë, ngjarja më e rëndësishme që ka ndodhur, është miratimi i Marrëveshjes së Prespës, sepse është shumë e rëndësishme për të ardhmen e Maqedonisë. Më duhet ta përgëzoj guximin e udhëheqësve të Maqedonisë dhe Greqisë, të cilët arritën ta përmbyllin këtë kontest dhe këtë çështje të hapur për 28 vite me radhë. Ka disa përparime në disa fusha specifike, në legjislacion ... Maqedonia është e detyruar të zbatojë një sërë reformash dhe, sipas perceptimit tim, ju mbetet ende shumë punë për të bërë. Ju mbetet, për shembull, reforma e sistemit gjyqësor (reforma e drejtësisë), reforma për një transparencë më të madhe në qeverisje dhe nëse përpjekjet e tilla vazhdojnë, atëherë rezultatet me siguri se nuk do te mungojnë dhe do të vijnë, e kështu Maqedonia do të tregojë dhe dëshmojë, se mund të transformohet, se mund të përparojë dhe se mund t`i arrijë standardet evropiane.

publie le 28/01/2019

hautdepage