Mesazh nga kryetari i Republikës së Francës, me rastin e përvjetorit të Armëpushimit të vitit 1918, më 11 nëntor 2018 [fr] [mk]

Një shekull.
Një shekull, nga armëpushimi i 11 nëntorit 1918, i cili i dha fund betejave vëllavrasëse të Luftës së Parë Botërore.

Kësaj përplasjeje të pafund të kombeve, të popujve njëri kundër tjetrit. Me istikame të mbushura me baltë, gjak dhe lot. Nëpër stuhi të zjarrit dhe çelikut, që gjëmonin në të gjitha anët, në çdo kohë dhe grisën edhe qiellin më të qetë. Nëpër fushëbeteja boshe, ku vdekja shfaqej gjithandej.
Më 11 nëntor 1918, një psherëtimë e madhe lehtësuese përshkoi Francën. Nga Kompjenji, ku në agimin e asaj dite, u nënshkrua Armëpushimi, e ky lajm mori dhenë, duke u përhapur deri në fushat e betejës.
Më në fund, pas katër vitesh të pafundme të bujës dhe tërbimit, zymtësisë dhe terrorit, heshtën armët në frontin perëndimor.
Më në fund, zhurma vdekjeprurëse e topave i hapi rrugë tingujve të gëzimit, nga rënia e kambanave e deri në tingujt e borive, nga rrugët dhe shëtitoret e qyteteve të mëdha e deri në sheshet e vegjël të fshatrave.
Kudo, festohej me krenari fitorja e Francës dhe e aleatëve të saj. Ushtarët tanë nuk luftuan më kot; nuk vdiqën më kot: shpëtoi vendi, e më në fund do të kthehej paqja!
Por, njerëzit gjithandej, panë mbretërim të rrëmujës dhe përjetuan dhembje: ndokund, bijtë i vajtonin etërit e tyre; në një vend tjetër, disa baballarë vajtonin për bijtë e tyre; e diku gjetkë, të vejat vajtonin për burrat e tyre. Nuk kishte as edhe një vend të vetëm, ku nuk shiheshin të plagosur rëndë dhe të gjymtuar nga lufta.
Të nderuara franceze dhe francezë, në të gjitha qytetet tona dhe në çdo fshat tonin, franceze dhe francezë nga të gjithë brezat dhe nga të të gjitha horizontet, jemi mbledhur në këtë 11 nëntor.
Për të shënuar fitoren. Por, për të festuar edhe paqen.
Jemi mbledhur në komunat tona, para monumenteve tona ushtarake, në kujtim të të rënëve, për të bërë homazhe dhe për t`i falënderuar të gjithë ata, që na kanë mbrojtur dje, por edhe ata, që po na mbrojnë edhe sot, duke mos kursyer as edhe jetën e tyre.
I përkujtojmë ushtarët tanë, të rënë për Francën. Civilët tanë, shumica prej të cilëve kanë humbur jetën. Ushtarët tanë që mbetën përgjithmonë me shenja në trupat e tyre dhe në shpirtrat e tyre. Fshatrat tona të rrënuara, qytetet tona të shkatërruara.
Përkujtojmë gjithashtu edhe vuajtjet dhe nderin e të gjithë atyre, që u larguan nga vendlindja e tyre dhe erdhën nga Afrika, Paqësori dhe Amerika në tokën e Francës, të cilën nuk e kishin parë kurrë më parë, por të cilën e mbrojtën heroikisht.
Përkujtojmë vuajtjen dhe nderin e dhjetë milionë luftëtarëve nga të gjitha vendet, të dërguar në këto beteja të tmerrshme luftarake.
Franceze dhe francezë, jemi të bashkuar edhe në këtë ditë, në ndërgjegjen dhe vetëdijen e historisë sonë dhe në refuzimin e përsëritjes së saj.
Sepse shekulli, që na ndan nga sakrificat e tmerrshme të grave dhe burrave, nga viti 1914 deri më 1918, na ka mësuar se paqja mund të jetë e brishtë.

E dimë, se me çfarë force, nacionalizmi dhe totalitarizmi mund të shtypin demokracitë, si dhe të rrezikojnë edhe vetë nocionin e qytetërimit tonë.
Ne e dimë, se sa shpejt mund të shkatërrohet rendi multilateral.
E dimë se Evropa e bashkuar, e krijuar mbi parimin e pajtimit mes Francës dhe Gjermanisë, është bërë një e arritur e brishtë, më shumë se kurrë.
Le të jemi të kujdesshëm dhe syçelë! E tillë duhet të jetë ndjenja, që duhet të na nxisë dhe të na frymëzojë të përkujtojmë gjakderdhjen e tmerrshme të Luftës së Madhe (LPB-së).
Kësisoj, do të jemi të denjë për përkujtimin e atyre, që vdiqën, një shekull më parë.

Gjithashtu, në këtë mënyrë, do të jemi më të denjë, për sakrificën e gjithë atyre, që na kanë mundësuar që të qëndrojmë këtu, të bashkuar, si njerëz të lirë.

Rroftë Evropa në paqe!
Rroftë Republika!
Rroftë Franca!

publie le 10/11/2018

hautdepage