Intervista e ambasadorit për portalin "Veçer.mk" [fr] [mk]

I pyetur nga portali "Veçer.mk", për pozitën franceze dhe atë evropiane lidhur me hapjen e negociatave të pranimit me Bashkimin Evropian, si dhe për situatën aktuale politike në Maqedoninë e Veriut, të martën, më 2 korrik, ambasadori i ndau vlerësimet e tij zonjës Ivona Talevska, redaktore e këtij portali.

JPEG

1. Pasi nuk u arrit konsensusi që Maqedonia të marr një datë për fillimin e negociatave, në opinionin publik, e gjithë pesha ra mbi Francën, edhe pse gjithsej shtatë vende të BE-së, ndajnë të njëjtin mendim. Si e ndihmon Franca Maqedonisë në proceset integruese të BE-së, pasise është e qartë që kritikat që po vijnë nga shumë shtete anëtare, mëtojnë të thonë se vendi nuk bën mjaftueshëm për të përmbushur kriteret?

Qëndrimi i Francës është dashamirës. Udhëzimi i parë që kam është t’i japim përparësi përafrimit me BE-në. Franca mbështeti Marrëveshjen e Prespës, si një element që hapi rrugën drejt integrimeve evropiane. Kuptohet, që nuk ishte një kusht, sepse kushtet kanë natyrë teknike, e ndërkaq kjo ishte diçka, që normalisht pengonte rrugën për në BE. Për herë të parë në historinë tonë, kryetari Makron dërgoi një video-mesazh, nëpërmjet të cilit ai dha një përgjigje të favorshme, në drejtim të mbështetjes së Marrëveshjes së Prespës. Synimi ynë ishte mjaft pozitiv dhe i përgjigjej vizionit të tij global për rajonin, që vendi i Ballkanit Perëndimor është i shënuar dhe gjendet brenda një BE-je të rinovuar. Tani kemi dy drejtime.

I pari, është rindërtimi i sistemit të BE-së që ka nevojë për një gjë të tillë, sepse Bregzit ishte simptoma që përshpejtoi këto reforma. Zgjerimi i mëparshëm ndodhi në kushte relativisht të qeta. Tani ka vende që konkurrojnë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat i konsiderojnë si konkurrentë, siç është rasti me Kinën, vendet që duan të marrin vendin e tyre në konkurrencën evropiane dhe që kanë parime të ndryshme, pavarësisht nëse bëhet fjalë për aspekt sociologjik ose ndonjë tjetër.

Ne gjendemi në një moment të ndërlikuar në BE, kur ju keni arritur me dëshirën për integrime, një moment në të cilin ne duhet t’ju ndihmojmë, që në të vërtetë ishte edhe domethënie e vendimeve tona.

Vendimi i parë i tillë u mor në Samitin e Sofjes, ku mbështetëm nismat për të përmirësuar lidhjen e rajonit, si dhe vizionin për një rajon që mund të kontribuojë në BE, ndërsa vendet që e përbëjnë atë, të bëhen pjesë e marrëdhënieve liberale demokratike të BE-së, sepse ato vende janë në thelbin e Bashkimit.

Momenti i dytë është strategjia franceze për Ballkanin Perëndimor, e bërë publike në një samit joformal në Berlin muajin e kaluar. Ajo vëri në pah interesin që Franca ka në segmente të ndryshme. Në fushën e mbrojtjes, për shembull, në bashkëpunim në fushën e arsimit, mandej përfitimet në një plan të përgjithshëm, që do të thotë të punohet në përgatitjen e përafrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Konkretisht, Agjencia Franceze për Zhvillim, e cila disponon me një kapital të caktuar, dhe partneri i saj gjerman, hap mundësi në fusha të ndryshme: administratë, mjedis jetësor, planifikim urban. Mbështetja jonë është e orientuar drejt administratës dhe arsimit. Teksti kontraktues me Agjencinë për Zhvillim është dërguar për nënshkrim me qeverinë dhe presim një përgjigje pozitive, e cila do të na mundësojë që të nisim bashkëpunimin dypalësh në këtë fushë, si dhe në planin multilateral –gjegjësisht, të bashkëpunojmë me partnerët e tjerë ndërkombëtarë për integrimin e vendit.


2. Ju përmendët se jeni në momente të ndjeshme në BE. Kjo do të thotë që Maqedonia do të duhet të bëjë përpjekje të dyfishta për të shmangur ato momente të ndjeshme dhe për tu siguruar që BE-ja do ti japë asaj një datë. Cilat janë tri gjërat themelore që duhet t`i bëjë Maqedonia para tetorit, për të marrë një datë?

Vendi shpalosi axhendën e vet në qershor të vitit 2018. Bëhet fjalë për agjendën 3-6-9, për të cilën kemi mendimin tonë. Në këtë mënyrë, vendet e tjera do të shqyrtojnë gjendjen në tetor, bazuar në raportin e KE-së dhe do t’i analizojnë ato në tërësi. Axhenda e qeverisë maqedonase ishte me të vërtetë ambicioze.

Nga ana tjetër, ka një dualitet thelbësor në reformat. Tekstet e miratuara brenda kornizës së sundimit të ligjit, duhet të kufizohen nga ajo që përbën një interes të përgjithshëm, të përbashkët nga ajo që quhet interes politik.
Në nivelin e parë është Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë, së bashku me Sekretariatin për Çështje Evropiane. Ne kemi punuar me z. Osmani në organizmin dhe mbajtjen e 4 seminareve - që u dëshmuan të nevojshme në procesin e përgatitjes së Sekretariatit, për hapjen e negociatave në kushte sa më të mira dhe të favorshme, ndërsa për këtë kemi edhe mbështetjen e Asamblesë Kombëtare të Francës. Kjo është, ajo që e thash, niveli i parë.
Niveli i dytë lidhet me aspektin praktik. Të shihet se cili është zbatimi praktik i asaj që është miratuar. Në fushat që janë jashtëzakonisht të ndjeshme, siç është gjyqësori, lufta kundër korrupsionit - duhet të shikohet se si janë zbatuar pozitivisht në praktikë, tekstet e miratuara që janë vlerësuar. Ato u miratuan me mbështetjen e BE-së. Duhet të shihet se çfarë efekti kanë në praktikë. Nuk është e thjeshtë, siç ka thënë një filozof i famshëm: kur një sistem reformohet, ai është më i brishtë, më kaotik dhe qytetarët pikërisht atëherë zhgënjehen. Kështu që, në momente të tilla nevojitet këndellje.

Kërkesat e KE-së janë të qarta - të depolitizohet administrata, rekomandimet dhe vëzhgimet e Pribes janë gjithashtu të qartë - që shteti është i politizuar, që ekziston rreziku ë kalohet nga njëri partizim te tjetri. Për fat të keq, ky është një problem sistematik. Sistemi juaj mbështetet në lidhje në plan institucional nga niveli më i ulët e deri te ministritë. Merrni arsimin, për shembull. Ka vërejtje në forma të ndryshme që lidhen me respektimin e statutit të funksionarëve, por edhe për procedurat e emërimit të tyre. Përshtypja që kemi dhe i cili shihet nga raporti i KE-së, është se është me të vërtetë e rëndësishme të vendosen standarde dhe se ato duhet të respektohen. Duhet të konstatohet se çfarë është bërë në të vërtetë nga një këndvështrim praktik.

Aspekti tjetër, është gatishmëria objektive e shtetit. Edhe nëse merret një vendim për fillimin e negociatave, duhet të shqyrtohet nëse shteti është ligjërisht i aftë të krijojë bashkëpunim të besueshëm pa mbështetje dhe asistencë shtesë. Nga ana jonë, po mendojmë se si të ndihmojmë, si të kanalizojmë përpjekjet për përgatitjen e sundimit të ligjit.

Nuk bëhet fjalë vetëm për hapje teknike të kapitujve dhe për mbyllje të tyre. Ka ekspertë që dinë ta bëjnë këtë. Por, ka probleme reale, gjë kjo që mund të konstatohet nga mënyra se si funksionon BE-ja, e kjo ka të bëjë me atë se si është konceptuar dhe dizajnuar shteti i së drejtës.

Është e sigurt se niveli i përgatitjes së aktorëve politikë është i rëndësishëm, mandej i partive politike, për edhe gjithë shoqërisë. Negociatat nuk kanë vetëm karakter teknik, por pasqyrojnë gjithë frymën e shoqërisë, që ka zgjidhur me sukses shumë probleme, qoftë kjo në raport me komunitetet apo me problemet me vendet fqinje. Këto marrëveshje duhet të finalizohen, në mënyrë që të mos ketë pengesa në këtë drejtim, sepse ekziston rreziku që këto pengesa të vazhdojnë edhe më tej me fqinjët, nëse nuk zgjidhet gjithçka tani. Do të ishte për të ardhur keq, nëse do të ndodhte ky rrezik, sepse me të vërtetë kishte nevojë për një vizion për t’i bërë këto hapa. Tani është e nevojshme të punohet në reformat e brendshme, për të mbajtur dhe ruajtur atë frymë vendimesh pozitive dhe ajo frymë të shpërfaqet edhe në nivel lokal, që të mundësohet marrja e vendimeve të rëndësishme edhe në atë drejtim, me ç ‘rast do të reduktohen efektet e dëmshme të sistemit, që ndodhet në një gjendje të një polarizimi të vazhdueshëm.

Parë realisht, ndjehen disa frustrime, të cilat ndonjëherë ndikojnë që të harrohet se sa intensitet, sa veprimtari diplomatike nevojitej, që të arrihej deri te pajtimi me vendet fqinje, por gjithashtu edhe nga pikëpamja ligjore, përfshirja e opozitës, kur nevojitej një shumicë prej dy të tretash, që të votoheshin ligjet me interes kombëtar.

Mendoj se vlerësimi duhet të jetë realist, dashamirës dhe të shoqërohet nga një sërë propozimesh mbështetëse, me qëllim që të përshpejtohen proceset dhe të përmirësohen kapacitetet. Le të përballet vendi me hapjen e negociatave në kushte sa më të mira. Disa thonë se hapja e negociatave do të mbajë ritmin e reformave. Disa thonë se disa kushte duhet të eliminohen, të tilla si Prokuroria Speciale Publike, për shembull, e cila nuk është një kriter, por më tepër një simbol.

Është e nevojshme të kemi një mirëkuptim në mënyrë që këto probleme të mund të tejkalohen. Disa thonë se nëse hiqen disa kushte të caktuara, do të shikohet më lehtë drejt gjysmës së gotës, që është akoma bosh, por më vonë, do të jetë më e vështirë që ajo të mbushet më lartë, në pjesën e gjysmës tjetër.
Po negociohet në vend dhe në partitë politike. Ne duhet të marrim parasysh faktin se kemi një imazh të caktuar për Ballkanin, një imazh që në aspektin e zgjerimit bëhet në bazë të një qasjeje të kujdesshme, sepse njerëzit nga BE-ja nuk e dinë gjithmonë se si është situata në vendet e Ballkanit. Ata shohin fotografi nga rajoni që mund t`i paragjykojnë në gjëra të caktuara. Prandaj, vendet duhet të inkurajohen kur përparojnë individualisht dhe se përparimi duhet të vlerësohet pozitivisht. Nga ana tjetër, bëhet fjalë për vende të vogla, për një treg të vogël, andaj duhet që së bashku të korrni sukses, në mënyrë që rajoni të marrë një vlerësim sa më të mirë. Ky rajon është i lidhur historikisht, vendet janë të ndërlidhura njëri me tjetrin Ajo që është e mirë për një vend është e mirë edhe për tjetrin. Çka është e keqe për njërin vend, është e keqe edhe për tjetrin.

Kjo pyetjeje për të gjithë së bashku, veçanërisht për vendet e Ballkanit Perëndimor, duhet të ndahet nga kapacitetet individuale të secilit vend.
Edhe brenda BE-së, reformat, disa të suksesshme pak a shumë, ndonjëherë e kanë detyruar Bashkimin të ofrojë asistencë më të madhe dhe më të theksuar, në drejtim të sistemeve ligjore të disa vendeve, por jo gjithmonë këto çapitje kanë qenë të suksesshme. Kishte raste kur mijëra njerëz dolën në rrugë në disa shtete anëtare të BE-së, për të thënë se nuk janë të kënaqur me rezultatet e arritura, se janë të zhgënjyer me BE-në, që në fillim është ndjerë dhe kundruar si një shpresë e madhe. Në ato momente, mobilizohet tërë shoqëria, dhe ky është një kriter tjetër, për të cilin ne duhet të diskutojmë së bashku.

3. Keni adresuar kritika të drejtpërdrejta për nivelin e luftës kundër korrupsionit, për nivelin e depolitizimit të administratës, për arsimin, duke e lidhur tërë këtë me datën - që kërkohet një datë, ndërsa ne jemi të fokusuar në reformat. A duhet që në vlerësim Maqedonia të ndahet nga Shqipëria, a do të na sjellë ajo një vlerësim më të mirë apo më të keq? Ju përsëri e theksoni se imazhi është krijuar për të gjithë Ballkanin si një rajon i tërësishëm.

Qëndrimi ynë zyrtar është që meritat duhet të vlerësohet në mënyrë individuale. Nga ana tjetër, është e sigurt se fati i njërit është i lidhur fort me fatin e tjetrit, të komuniteteve, të pakicave që ekzistojnë në të dyja anët. Nuk mund të themi se qëndrimi ndaj një vendi mund të jetë pa efekt ndaj vendit tjetër fqinj.

Por, Franca nuk është vendi i vetëm që vendos në këtë drejtim. Gjatë vizitës së saj në Shkup, zonja Loazo theksoi se vendi do të vlerësohet sipas meritave individuale dhe ky është rregulli. Nuk ka të bëjë vetëm me hapjen e negociatave. Kur flasim për integrimin, duhet të marrim parasysh se cilat janë përfitimet e të gjithë rajonit për BE-në, sepse qytetarët janë ata që do të kenë fjalën e fundit në marrjen e vendimit. Në disa vende, vendosin parlamentet, ndërsa në disa vende shkohet në referendum. Këto janë procedura të ndjeshme, gjegjësisht një proces që këtu është në hapat fillestarë dhe me të vërtetë është e ligjshme pyetja e Juaj, nëse meritat duhet të vlerësohen veç e veç, duke e ditur se nga këndvështrimi rajonal nuk mund t’i ndajmë ato vende. Debati është i hapur, diskutimet po vijojnë. Unë do të theksoj se bëhet fjalë për diskutime, e jo për një betejë që duhet të fitohet.


4. Në këtë drejtim, udhëheqësi i opozitës i propozoi qeverisë, që të punojnë së bashku për reformat, për të marrë një datë.

Kjo duhet të realizohet në praktikë. Janë të nevojshme takimet midis qeverisë dhe opozitës dhe një veprim i tyre i përbashkët. Kryetari Pendarovski prezantoi një nismë të bukur me dëshirën e tij për të qenë kryetar i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Ne kemi nevojë për një person në sistemin tuaj politik, që është në gjendje të krijojë kushte për kontakte dhe biseda, për të krijuar një besim të ndërsjellë. Është kjo nevoja minimale, në mungesë të të cilave ka mos pajtueshmëri në vendet e rajonit. Kështu që ju nuk jeni i vetmi vend. Ka edhe gjëra më të tmerrshme në rajon. Shumë syresh thonë se Maqedonia e Veriut është një shembull që ende nuk është realizuar plotësisht, se vendi është i politizuar dhe polarizuar. Unë mendoj se Maqedonia e Veriut është shembulli i një vendi ku gjërat funksionojnë. Unë shoh se sa përparim është bërë në dy vitet e fundit dhe ajo duhet të vlerësohet. Nga ana tjetër, gjendemi në një vend ku komunitetet, për të mirë apo për të keq, mund të destabilizohen me publikimin e bisedave të regjistruara, të ashtuquajturat bomba.

Unë nuk e di nëse përdorimi i bisedave të tilla të regjistruara, është mënyra në të cilën çështjet politike duhet të zgjidhen. Duhet të dihet se çfarë dëshirojmë. Nëse do të zgjidhet dialogu apo bombat. Nuk mund të sillet një degë e paqes dhe, nga ana tjetër, të kërcënohet me armë dhe përplasje. Është e nevojshme harmonia midis të gjitha palëve, duhet arritur një kompromis, sepse BE-ja është ndërtuar duke u bazuar në kompromise. Përndryshe, zgjidhja tjetër do të ishte situatë konflikti.

Doja ta shtroja pyetjen nëse kjo është mënyra se si rregullohen gjërat në këtë vend ose që kjo duhet të bëhet përmes diskutimit. Nëse funksionon sistemi i drejtësisë, a do të ndajë drejtësi ai sistem drejtësie, ashtu si duhet, ose gjërat do t`i lihen fatit dhe stihisë. Është shumë e rrezikshme t’i lëmë gjërat të rrjedhin ashtu. Gjendemi në një situatë kur goditjet bëhen herë pas here, kur ndodhin ngjarje të tilla. Për një shoqëri nuk mund të thuhet se është e organizuar nëse mbështetet në goditje të tilla. Zbulohet një skandal i caktuar, e mandej skandali mbulohet, korrigjohet puna, e më pas shfaqet një i ri, kështu që themi obobo kjo nuk vlen... nuk është mirë nëse shoqëria mbyllet në vetvete dhe në skandalet e saj. Me veprime të tilla - shoqëria nuk ka perspektivë.


5. Si e vlerësoni përpjekjen e kryeministrit Zoran Zaev, i cili donte të bëhej ministër i Financave dhe do të jetë përkohësisht, deri të zgjedhja e ministrit të ri

Së pari, nëse dikasteri i financave mund t`i bashkangjitet postit të kryeministrit, mendoj se është shfaqur një problem ligjor dhe se, sipas ligjit, një gjë e tillë nuk mundet. E konsideroj atë si një element që duhet t’i shtohet kredisë së kryeministrit. Në këtë rast, ajo që ai hoqi dorë është një hap pozitiv, sepse ai i jep përparësi shtetit të së drejtës. Sa i përket efikasitetit - qytetarët kërkojnë efikasitet. A do të kishte qenë më efektive nëse kryeministri do të udhëhiqte dikasterin e financave, duke e ditur se ekziston perceptimi i një konflikti të interesit? Nëse ligji e përjashton këtë mundësi, kjo do të thotë se ekziston rreziku i një konflikti të interesit. Kërkesa për efikasitet nuk duhet të nënvlerësohet, sepse shoqëria duhet të ketë institucione efikase, por duhen të respektohen procedura e përzgjedhjes dhe shteti i së drejtës, ku do të sundojë ligji.

6. Opozita propozoi formimin e një qeverie të gjerë sipas modelit të marrëveshjes së Përzhinos

Nuk jam i sigurt për një qeveri të tillë, sepse unë e përjetova këtë përvojë, nuk jam i sigurt se ajo ka treguar efikasitet shumë të madh në marrjen e vendimeve. Ka vendime të rëndësishme që duhet të merren, ndërsa administrata në një sistem, për të cilin folëm pak më herët, duhet gjithmonë të jetë e kujdesshme se si do të veprojë, se cilat vendime do të merren. Ndryshe nga një qeveri e tillë, diçka krejtësisht tjetër është qeveria e unitetit kombëtar, kur të gjithë bashkohen rreth një programi dhe punojnë rreth çështjeve kombëtare. Një qeveri e tillë ka ekzistuar në Gjermani dhe në disa vende të tjera, por kjo tashmë është një çështje tjetër. Qeveria e Përzhinos u krijua për t’iu përgjigjur një krize politike, që u shfaq në atë moment nga i cili ju keni dalë. Nuk do të thoja që një shtet mund të funksionojë në sistemin e Përzhinos.

publie le 03/07/2019

hautdepage