Pritja me rastin e 14 korrikut, në parkun e Muzeut të Artit Bashkëkohor [fr] [mk]

Jemi mbledhur sërish edhe kësaj radhe, rreth vlerave të Republikës sonë, mbrëmjen e së dielës së 14 korrikut, në kopshtin e Muzeut të Artit Bashkëkohor në Shkup, për të ndarë me miqësi gëzimin e festës sonë kombëtare.

Ky gëzim i veçantë për kremten e 14 korrikut në një qendër kulturore, e përkushtuar ndaj artit bashkëkohor, u nderua nga prania e autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, nga trupi diplomatik, nga shumë anëtarë të bashkësisë franceze dhe partnerëve të bashkëpunimit francezë dhe atyre maqedonas. Në vazhdim gjeni fjalimin e plotë të prononcuar nga ambasadori i Francës:

Është një kënaqësi e veçantë të kremtohet katërmbëdhjetë korriku, në një institucion të këtillë kulturor, i përkushtuar ndaj artit bashkëkohor. Ky është një rast për të festuar për lidhjet tona miqësore dhe bashkëpunimin tonë, mu ashtu siç bënë edhe kryeministrat tanë në Poznani, më 6 korrik.

Kryetari Makron, në muajin qershor, në Berlin, e bëri publike strategjinë e re franceze për vendet e Ballkanit Perëndimor. Përmes saj, do të konkretizohet angazhimi ynë, në mënyrë që ju të arrini me efikasitet dhe sa më parë që të jetë e mundur standardet evropiane, të cilat popujt e këtij rajoni synojnë që ti kenë, me të drejtë të plotë. Në këtë drejtim, Marrëveshja e Prespës hapi perspektiva të reja për të ardhmen.

Në vjeshtë, ne presim që të përfundojnë përgatitjet për vendosjen e marrëveshjes me autoritetet e Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që Agjencia Franceze për Zhvillim të fillojë punën e saj dhe të bashkëpunojë në fushat kyçe me autoritetet shtetërore dhe lokale, si dhe me sektorin civil, duke përfshirë mjedisin jetësor dhe urbanizmin, e për të cilat tashmë janë realizuar misionet përgatitore.

Kontaktet e shpeshta dhe vizita e fundit rishtare e ministres sonë për Çështje Evropiane, krijojnë një dialog të dobishëm dhe të hapur për aspiratën tuaj evropiane. Ne i kuptojmë dhe mbështesim ato, duke dëshiruar një ndryshim thelbësor në udhëheqjen e projektit evropian. Ky projekt sjell shpresë të madhe, që ne nuk duhet ta tradhtojmë.
Në cilësi të anëtares së plotë të NATO-s, dëshirojmë që të rritet prania e Maqedonisë në misionet paqeruajtëse nën patronazhin (kujdesin) evropian.

Shfrytëzoj rastin të falënderoj të gjithë ata, që punojnë së bashku me ne, për zhvillimin e Frankofonisë dhe që bashkëpunojnë në zbatimin e reformave, për të forcuar sundimin e ligjit, i cili duhet të jetë në qendër të aktiviteteve tona të përbashkëta.

Do të vazhdojmë të punojmë në këtë plan në frymën e stabilitetit dhe prosperitetit të këtij rajoni, i cili është pjesë e së ardhmes së Evropës. Maqedonia e Veriut, përmes reformave të suksesshme, luftës kundër korrupsionit, përmes ndërtimit të një shoqërie paqësore dhe nëpërmjet bashkëpunimit të plotë me fqinjët e saj, mund të shërbejë si një shembull për këtë.

Më vjen mirë, që këtë vit, në shënimin e festës sonë, do të keni mundësinë të shijoni verërat franceze nga një verari, që është investimi i parë maqedonas në Francë. Bëhet fjalë për punishten e verës Château de Gourdon (Kështjella e Gurdonit), e cila që nga viti i kaluar, është pjesë e Bodrumit të Verës “Tikvesh”. Sonte do të keni rastin të shijoni: “Vase de Pierre”, “Mistral au Jardin” dhe “Fontaine du Sud”. Dua të falënderoj verarinë “Tikvesh”, që na mundësoi, që sonte të shijojmë këto verëra.

Një falënderim të veçantë e adresoj deri te të gjithë ata, që na mundësuan që ti përjetojmë këto momente miqësie, Muzeun dhe drejtoreshën e saj, zonjën Mira Gaqina dhe kompanitë partnere, të cilat me një bujari të pashoq, na u ofruan që të jenë pjesë e kremtimit tonë. Falënderojmë kompaninë “Zegin”, kompanitë tona franceze “Idemia”, “Veolia” dhe “Fresine”, mandej Bankën e Ohrit, Sanofi, TAV, Biotek, Balkan Biznis Konsalting, AZHS dhe Samanta Rikar.

Ju uroj një verë të këndshme, me pushime të merituara, por edhe konstruktive, për zgjidhjen e sfidave dhe shpresave, që do të vijnë së bashku me stinën e vjeshtës.

Rroftë Republika e Maqedonisë së Veriut! Rroftë Franca! Ju faleminderit.

publie le 16/07/2019

hautdepage