Reformat strukturore të nevojshme për anëtarësimin e Maqedonisë në UE dhe në NATO [fr] [mk]

Kjo tendencë e reformave me kalimin e kohës do të shpie në konsolidimin e vendosjes së sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës në Maqedoni. Lexoni intervistën e ambasadorit, dhënë për gazetën dhe revistën “Zaman”

I pyetur për progresin e reformave strukturore, të nevojshme për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, ambasadori përshëndeti përparimin e bërë që nga viti 2016 dhe ritheksoi gatishmërinë e Francës për të shoqëruar dhe inkurajuar këtë tendencë të reformave, e cila me kalimin e kohës do të shpie në konsolidimin e vendosjes së sundimit të ligjit dhe shtetit të së drejtës në Maqedoni

JPEG

1. Demokracia në Maqedoni duhet të jetë funksionale. A mund ta shpjegoni qëndrimin tuaj në lidhje me këtë?

Krijimi i shtetit të së drejtës dhe sundimi i ligjit kalon nëpër një sistem ose parlament, i zgjedhur në zgjedhje të lira dhe të sinqerta, siç edhe është tashmë rasti. Kjo nënkupton respektimin e procedurave, e cila nuk kufizohet vetëm në ekzistimin e një shumice. Ajo kërkon një qëndrim konstruktiv dhe jo obstruktiv nga ana e opozitës. Një rregull i pranuar, i qartë dhe transparent i lojës duhet të jetë mënyra normale e operimit dhe funksionimit, duke çuar në sjelle të ligjeve të pakontestueshme që janë të detyrueshme për të gjithë. Andaj edhe dialogu është i nevojshëm për të arritur këtë pikë: duhet që ai meodomos të vendoset, në mënyrë që të respektohen standardet evropiane. Ky është një kusht sine qua non i integrimit europian.

2. Agjenda 3-6-9 është thelbësore për pranimin e Maqedonisë në BE, por është e qartë se ka pengesa. Ky plan kërkon mbështetjen e VMRO-DPMNE-së, e cila po bojkoton Parlamentin. A mund që diplomacia europiane të bindë opozitën për të mbështetur këto reforma?

Ne kemi marrë parasysh dhe kemi vlerësuar deklaratat e udhëheqjes së re të kësaj partie, e cila ka shprehur zgjedhjen e saj të qartë në favor të Evropës. Përpjekjet e udhëheqësve të rinj të kësaj partie janë ndjekur me vëmendje, në mënyrë që veprimet e tyre të jenë në përputhje me fjalët: hapërimi drejt Brukselit, nuk bëhet në rrugë, por në parlament.

JPEG

3. Një temë që ngjalli debate dhe diskutime, ishte edhe ligji për përdorimin e gjuhës shqipe. Si e shihni ju këtë situate, si dhe implementimin praktik të këtij ligji, kur e dimë se pozitat e shumicës dhe opozitës janë diametralisht të kundërta?

Situata e tanishme nuk kënaq dhe nuk është e mirë për askënd. Me sa duket kjo dëshmon që metoda (mënyra) e sjelljes së këtij ligji nuk ishte e mirë. Ishte thënë se teksti së pari do të dorëzohej tek një organ (instancë) europian(e) i (e) respektuar, Komisioni i Venedikut: mendimi i këtij Komisioni do të ishte interesant dhe do të mundësonte që kjo çështje të merrte një pikëpamja ligjore-juridike, duke marrë parasysh çdo vërejtje eventuale.

4. Kohët e fundit keni takuar shumë liderë të partive politike në vend. Cili është qëndrimi i tyre për emrin dhe hyrjen e Maqedonisë në NATO dhe BE?

Ka një unanimitet të mirëpritur në këtë temë, por duhet të nxirren pasojat praktike për të mundësuar miratimin e reformave të nevojshme për arritjen e këtij qëllimi.

5. Ka zëra se kjo qeveri do të ketë vështirësi në zbatimin e reformave për shkak të shumicës së pakët dhe dobët. Cili është qëndrimi juaj në lidhje me këtë çështje?

Reformat e domosdoshme që duan europianët janë në përputhje me dëshirat e shumicës dërrmuese të popullsisë. Puna në grupe në parlament nuk u bojkotua. Mund të bëhen edhe ca rregullime dhe përshtatje, por nuk duhet të ketë një problem thelbësor në miratimin e ligjeve të mira, veçanërisht në funksionimin e një Drejtësie,që të gjithë dëshirojnë ta shohin të përmirësuar në cilësinë dhe paanshmërinë e saj.

6. Negociatat midis Maqedonisë dhe Greqisë janë tashmë në fazën përfundimtare dhe BE thekson se kjo çështje duhet të zgjidhet sa më parë. Cili është roli i Francës në këtë kontekst?

Franca dëshiron një zgjidhje që i mundëson të dyja vendeve të kontribuojnë së bashku për stabilitetin e rajonit dhe të japin kontributin e tyre të përbashkët në zhvillimin e ndërtimit europian, bazuar në një kulture të kompromisit dhe respektit për të tjerët. Është ndërmarrë një hap i parë: është e nevojshme të vazhdohet pa u dekurajuar, duke e ruajtur kapitalin e konsiderueshëm të vullnetit të mirë reciprok, të krijuar nga dy kryeministrat, Zaev dhe Tsipras.

7. BE ka kritikuar dhe ka kërkuar reforma në administratë dhe në fushën e drejtësisë. Sipas mendimit tuaj, a janë këto reforma në vijim e sipër? Cili është mendimi juaj?

Është bërë një punë e konsiderueshme e reflektimit dhe përgatitjes, si dhe
ballafaqimit të ideve dhe interesave të ndryshme, por mbetet shumë për t’u bërë. Franca dëshiron ta mbështesë tërë këtë, duke e bërë, siç ka bërë për dhjetë vjet me radhë, në punën e Akademisë së Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, e cila u vlerësua shumë mirë në Bruksel dhe nga vlerësuesit tanë. Është një punë afatgjate që kërkon durim, rigorozitet dhe paanësi në përzgjedhje, larg presioneve politike. Kriteri politik në emërime, në përgjithësi, duhet të zëvendësohet me atë të shkathtësisë dhe kompetencës. Kjo nuk përjashton përfaqësimin e barabartë të komuniteteve.

8. Greqia kërkon ndryshimin e Kushtetutës. Nga ana tjetër, Maqedonia është decizive për të mos bërë këtë ndryshim. A mendoni ju se arritja e një marrëveshjeje do të ishte e mundur, kur e dimë se Greqia është anëtare e NATO-s dhe BE-së dhe se pranimi i Maqedonisë mund të stabilizojë rajonin e Ballkanit?

Diskutimet janë në vijim e sipër, andaj është thelbësore që palët të marrin parasysh pritjen tonë, për një vendim të tyre, i cili do të kontribuojë në stabilizimin e rajonit. Duhet të theksohet se të dy vendet bashkëpunojnë në mënyrën e tyre dhe në nivelin e tyre me NATO-n dhe janë partnerë të çmuar.

JPEG

9. Janë në pyetje disa sugjerime për emrin. Cila është politika e Francës përballë Ballkanit Perëndimor dhe Maqedonisë?

Franca ka qenë ushtarakisht, diplomatikisht dhe financiarisht në pararojë, e angazhuar për t’i dhënë fund luftës në ish-Jugosllavi. Përfshirja e saj në Maqedoni nuk është e harruar. Robert Badinter, Fransua Leotar, Alen Lë Rua, të cilët, me trupat tanë të pranishëm në terren, kanë kontribuuar në lindjen dhe konsolidimin e këtij shteti dhe institucioneve të tij. Jemi të vendosur të shoqërojmë këtë shtet miqësor në rrugën drejt Bashkimit Europian, por edhe të gjitha shtetet e rajonit. Ne e bëmë atë edhe në Samitin e Parisit në vitin 2016, me krijimin e një organizate për lëvizjen dhe qarkullimin e të rinjve, RYKO, e cila aktualisht po ngritet.

10. Bashkëpunimi mes Francës dhe Maqedonisë është në nivel të mirë. Bashkëpunimi në fushën e arsimit dhe bashkëpunimi ekonomik janë fushat më të zhvilluara mes dy vendeve. A mund të presim bashkëpunim të mëtejshëm në fusha të tjera?

Ministri i Punëve të Jashtme, z. Dimitrov do të jetë në Paris, më 4 dhe 5 prill, ku do të ketë takime të nivelit të lartë. Vizita e tij pason atë të Koordinatorit të Qeverisë për anëtarësim në NATO, z. Stevo Pendarovski, si dhe atë të kryetarit të komunës së Shkupit, z. Shilegov. Ky i fundit ka pasur takime që ndërlidhen me përvojat në lidhje me "qytetin e qëndrueshëm" , përvojë kjo, të cilën ne mund ta ndajmë. Kryetarët e komunave të disa qyteteve, përfshirë edhe Manastirin, ishin në Dizhon në fund të muajit mars, për të marrë pjesë në një forum, destinuar për zhvillimin e bashkëpunimit midis qyteteve franceze dhe Europës Juglindore. Në anën tjetër presim kryetaren e Akademisë së Shkencave dhe Sekretarin Shtetëror të Forcave të Armatosura, në muajin prill dhe maj. Një Maqedoni e stabilizuar dhe në rrugën e reformave, i ka të gjitha, që të jetë një partner i rëndësishëm i Francës në rajon, veçanërisht pasise edhe është anëtare e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë.

11. Ambasada e Francës në R. e Maqedonisë mbështet OJQ-të. A mund të na jepni më shumë informacione të detajuara për projektet në fjalë?

Ka disa vite, që ambasada mban bashkëpunim me OJQ-të. Jemi në dijeni se në terren ka një energji të jashtëzakonshme për ndryshime. Me mjetet tona, ne duam të ndihmojmë ata që vijnë tek ne për të strukturuar projekte, duke vënë në pah aspektin konkret dhe të qëndrueshëm, dhe një përzgjedhje të bazuar në meritë dhe inovacion. Këtë vit ne do të privilegjojmë dhe do të përqendrohemi tek të rinjtë dhe projektet, që përafrojnë komunitete të ndryshme, sepse është e nevojshme të punohet për unitetin dhe kohezionin e vendit, dhe për dhënien shpresë të gjithë atyre që janë shumë, e që duan të qëndrojnë në vendin e tyre për të arritur qëllimet dhe për të realizuar shpresat e tyre.

12. Si e shihni Maqedoninë në vitin 2019?

Vazhdoni përparimin e bërë që nga viti 2016, me më shumë unitet midis palëve, rreth interesit kombëtar dhe duke ndërmarrë hapa të mëtejshëm drejt integrimit rajonal, evropian dhe atlantik. Nuk ka asnjë perspektivë tjetër reale: duhet të përshpejtojmë në këtë rrugë dhe, për çdo rast, të ruajmë optimizmin dhe guximin. Mendoni për liderët evropianë që dymbëdhjetë vjet pas fatkeqësive dhe shkatërrimeve të Luftës së Dytë Botërore, nënshkruan Traktatin e Romës dhe themeluan Europën! Ata besonin në të dhe nuk lejuan të devijoheshin nga qëllimi i tyre! Presidenti Makron është gjithashtu i ngazëllyer nga kjo energji rinovuese, andaj është e domosdoshme që të gjitha forcat pozitive të bashkohen, për të kaluar fazat e reja, siç edhe theksoi ai në shtatorin e kaluar gjatë fjalimit të tij në Sorbonë, në vendin simbolik të unitetit europian intelektual, që të gjitha vendet e këtij rajoni duhet të gjejnë vendin e tyre në konstruksionin e rinovuar europian.

JPEG

13. A mund të shpresojmë të kemi në Maqedoni një ekonomi të qëndrueshme në vitet e ardhshme?

Nëse ekziston një unitet i mjaftueshëm për reformat dhe bashkëpunimin rajonal, vendi do të përfitojë shumë nga Strategjia e re e Komisionit Evropian për Ballkanin. Punimet e shumta në infrastrukturë për modernizimin e rajonit, do të ndihmojnë transformimin e tij dhe do të tërheqin shpenzime dhe investime në të. Por për një të ardhme më të mirë, ndërtimi i shtetit të së drejtës dhe sundimi i ligjit, ndarja e partive nga shteti, lufta kundër korrupsionit, krijimi i një sistemi arsimor të modernizuar dhe një vizion i përbashkët i interesit kombëtar nga komunitetet e ndryshme që përbëjnë vendin, do të jenë çelësat e suksesit.

publie le 15/04/2018

hautdepage