Ambasadori mbajti një fjalë rasti në përurimin e librit “Shpresë e venitur” të autores Delvina Kërluku, të hënën, më 2 dhjetor, në hapësirat e Galerisë Kombëtare të Maqedonisë së Veriut, në prani të ambasadorit të Kosovës, profesorëve, intelektualëve dhe publikut të shumtë, të pranishëm në sallë, përkrah dy promotorëve (folësve) të tjerë, profesorëve Kristina Nikolovska dhe Demush Bajrami, si dhe pianistes Ariana Kuriu-Grubi.
“E uroj dhe e përgëzoj autoren, Delvina Kërluku, shembëlltyrë e shkrimtares së përkushtuar, për tekstet e saj të shkurtra, por tejet kuptimplota, si dhe për mesazhet e saj përmbajtësore, të cilat shpalosin vuajtjen dhe plagën e rëndë sociale-mjerimin, temë kjo e trajtuar në hollësi nga shkrimtari Viktor Hygo, në veprën e tij “ Të mjerët”. Këto portrete gjithashtu na frymëzojnë të reflektojmë më thellë për pabarazitë dhe korrupsionin, kancer i cili duhet të sfidohet dhe tejkalohet, për pjesëmarrje të plotë të Ballkanit Perëndimor në ndërtimin e Evropës”.