Si kremtohen Krishtlindjet dhe Viti i Ri në Francë? [fr] [mk]

Rajonet tona provinciale kanë ruajtur traditat e veçanta, sidomos në gastronomi. Është momenti i volitshëm, për të shijuar specialitetin e mëlçisë së zezë të Perigorit, për të vizituar tregjet e Krishtlindjeve, për të zgjedhur ëmbëlsirat më të shijshme me kanellë dhe kek me xhenxhefil, për të zgjedhur statujëzat e Provansës, të quajtura santone, por edhe për të kënduar "Këngët e Krishtlindjeve" në Martinikë ose në Guadelup.

1. Si festohen Krishtlindjet në Francë?

Nata e Krishtlindjeve është para së gjithash një festë familjare, ndërsa nata e Vitit të Ri, festohet (kremtohet) zakonisht me miq. Në vendet që kanë një traditë ortodokse, kam përshtypjen se aspekti shpirtëror i Pashkëve është më i rëndësishëm, por në Francë Krishtlindja, festa e Lindjes është një lloj ure lidhëse midis besimtarëve dhe atyre që nuk besojnë në Perëndinë, me siguri sepse lindja si një akt, është më e fortë se besimi në ringjallje. Fuqia e Krishtlindjeve është ndoshta edhe e lidhur me festën pagane të “Diellit të Pamposhtur”, festë kjo e krishterizuar nga Kisha Katolike. Katolikët e ruajnë traditën e grazhdit, e paraqitur zakonisht me statujëza të ngjyrosura me baltë, të njohura me emrin "santone" ose shenjtorë të vegjël, ku përshkruhet skena e edukimit të fëmijës, Jezuit, nga Maria dhe Zhozefi, pastaj engjëjt, barinjtë dhe magjistarët. Statujëza e fëmijës vendoset, kur të kthehen besimtarët nga kisha, ndërsa magët jepen më 6 janar, respektivisht Ditën e Epifanisë (Dëftimit të Zotit), para ndarjes së pites së njohur me emrin “Galet dë Rua” (shq. Piteja e Mbretit), si një zakon tjetër pagan, që kompleton ciklin e Krishtlindjeve. Pema e Krishtlindjeve, megjithatë, tradicionalisht është një zakon (dok) gjerman, i sjellë në Francë nga banorët e Alzasit, që u dëbuan nga vatrat e tyre të lindjes prej Prusianëve, në vitin 1871. Pema edhe më tej bashkon familjet, besimtarët, e madje edhe ata, që nuk besojnë në Zot.

JPEG

2. Si duket tryeza e Krishtlindjeve??

Sipas traditës, tryeza e Krishtlindjeve shtrohet pas kthimit nga mesha e mesnatës dhe pas agjërimit ... që nuk është megjithatë aq i lehtë; Alfonso Dode ka shkruar një përrallë të bukur, për një prift tejet lakmitar dhe babëzi, për shkak të të cilit kishte rënë një mallkim në të gjithë fshatin e tij, sepse ai donte të kthehej në shtëpi sa më shpejt që të ishte e mundur dhe të hante nga gjeldeti i tij i mbushur, duke e përfunduar meshën e mesnatës parakohe dhe duke dënuar kështu famullitarët e tij, që të kthehen çdo vit në shpirtra (fantazma), për ta shlyer këtë mëkat. Krishtlindjet në shekullin e nëntëmbëdhjetë ishin një lloj ahengu gustator! Në tryezë shërbehej pastë e mëlçisë së patës ose rosës, suxhuk shtëpie, salmon i tymosur dhe midhje, e më pas vazhdohej me ushqimin klasik, që pasohej me gjel të mbushur, gjeldeti ose patë të zbukuruar me gështenja ose me pure të gështenjës, e pas shijimit të djathërave, detyrimisht francezë, shërbehet një krem-tortë me një aromë të shijshme nga liketi “Gran Marnie”, e përgatitur në formë të trungut (kërcua). Bëhet fjalë për një zakon shumë të vjetër, i cili dallon dhe ndryshon nga njëra krahinë në tjetrën, por përbëhet në djegien ose mbajtjen e një trungu (kërcua), për të siguruar lumturinë për vitin e ardhshëm vijues. Në Provansë, në jug të Francës, njerëzit ende e ruajnë traditën e trembëdhjetë desertëve, në nder të Jezuit dhe apostujve.

3. A ka traditë të shkëmbimit të dhuratave? Si janë doket e francezëve?

Krishtlindja u shndërrua në një festë dhuratash, duke zëvendësuar festimet tradicionale të Shën Nikollës ose të Evës së Vitit të Ri, e cila ishte një traditë romake. Baba Dimri (Santa Klausi), i cili sipas zakoneve sillte dhurata për fëmijët, ka filluar të vij në Francë, pas vitit 1945 dhe i`a doli t`i zëvendësonte figurat e ndryshme vendore ose familjare, si: Jezuin, Shën Nikollën, Pitin e Zi apo shtojzovallet, që, në këtë periudhë të vitit, i shpërblenin fëmijët e urtë dhe të zgjuar, e ndërkaq i ndëshkonin lazdrakët. Zakoni i qetësimit të pasioneve të fëmijëve dhe inkurajimi dhe nxitja e tyre për të shkruar, ka ardhur përmes idesë, që ata t`i dërgonin një letër Baba Dimrit, ku aty i pasqyronin dëshirat e tyre. Kështu u ngritën një sërë ekipesh të sekretarëve, të punësuar nga shërbimet postare, për t`iu përgjigjur këtyre letrave. Kjo është, në të vërtetë, prova më e sigurt e ekzistencës së tij, e cila ka qenë gjithmonë një rast për biseda interesante dhe rrëfime në këndet e lojërave të shkollave. Sidoqoftë, Baba Dimri ekziston edhe në Ambasadën e Francës, ku çdo vit shpërblehen fëmijët francezë dhe ata nga Maqedonia- ata të cilët janë shumë të zgjuar dhe të dëgjueshëm!

JPEG

4. Si do ta përshkruanit Parisin gjatë festave të Vitit të Ri?

Festa e dhuratave është në të vërtetë një festë edhe në dritaret dhe vitrinat e dyqaneve, kur tradicionalisht familjet vizitojnë dhe admirojnë dritaret e zbukuruara të dyqaneve, nëpër qendrat e mëdha tregtare, e të cilat konkurrojnë njëra me tjetrën, që të jenë sa më inventiv, të automatizuar, të ndriçuar, me hologramë, e çka jo tjetër, e deri edhe te shfaqjet e ndryshme nga artistë të mirënjohur. Tregtarët nganjëherë dekorojnë të gjithë lagjen ose rrugën, duke i ndriçuar ato me një sërë dritash ose organizojnë ahengje muzikore. Në ato momente, mund të kundrohen lloj-lloj temash nga të gjitha traditat e Krishtlindjeve. Ne vizitojmë poashtu tradicionalisht tregjet e Krishtlindjeve. Disa prej tyre, për shembull ai në Sen Zhermen de Pre, i kthejnë vizitorët disa shekuj më pas dhe u ofrojnë vepra artizanale franceze ose të huaja. Qytetet bëjnë përpjekje të veçanta për të ndriçuar rrugët dhe monumentet kryesore, me pemë të Krishtlindjeve, të dekoruara dhe të ndriçuara në mënyre kreative dhe të mrekullueshme. Dyqanet dhe butiqet e stilistëve të modës ose të markave luksoze, shpesh janë me përplot risi dhe zgjedhje, si për shembull ato në rrugën "Dy Fobur Sen Onore" dhe në Avenynë “Montenj”. Ka edhe nisma të solidaritetit (mishërimit), siç është tradita e këpucëve të Krishtlindjeve, e dedikuar për aktorët më të moshuar, e cila është një lloj lotarie, e organizuar në të gjitha teatrot, me aktorët tanë më të shquar, që mbledhin para për ta: ky gjest i tyre, më prek gjithnjë, thellë në zemër ...

5. Parisi është njëri nga metropolet më të vizituara për Vitin e Ri, por Parisi nuk përfaqëson tërë Francën. Si është i organizuar festimi i Vitit të Ri, pra, thjesht, si kremtohet ndërrimi i mot-moteve në të gjithë vendin?

Është e vështirë të zgjedhësh! Rajonet tona provinciale kanë ruajtur traditat specifike, sidomos kur është fjala për gastronominë. Festat e Vitit të Ri janë të përshtatshme për të shijuar pastat e Perigorit, për të vizituar tregjet e Krishtlindjeve në Alzas, për të zgjedhur ëmbëlsirat më të shijshme me kanellë dhe kek me xhenxhefil, për të zgjedhur statujëzat më të bukura të Provansës, të quajtura santone, të praruara me baltë , por edhe për të kënduar "Këngët e Krishtlindjeve" nga Martinika dhe Guadelupi. Në këto ishuj të Antileve, tradicionalisht për Krishtlindje, njerëzit shkojnë në gosti, për të vizituar njëri-tjetrin dhe këndojnë këngë në gjirin familjar ose me miqtë, në shtëpi ose në rrugë. Festat janë një mundësi shumë e mirë, për t`iu përcjellë fëmijëve kulturë të pasur dhe një pjesë të traditave të vendit tonë. Për Krishtlindje në Korsikë, organizohet një festival i muzikës, ku këndohen këngët më të bukura në botë, sipas mendimit tim, dhe ku festimi në kisha, mbahet mend për gjatë kohë.

6. Duke pasur parasysh situatën aktuale në Paris, a mendoni se kryeqyteti i Francës është një destinacion i mirë, për të kaluar festat e Krishtlindjeve dhe ato të Vitit të Ri?

Paris mbetet qyteti i të gjitha takimeve dhe zbulimeve. Asnjëherë nuk mbetet i njëjti, në momentin kur jeni larguar prej tij. Parisi është një muze në qiell të hapur dhe një vend ku krijohet historia pa reshtur, vazhdimisht. Situata aktuale është e qetë dhe janë marrë masa të forta sigurie. Fusha e Elizesë është rruga më e bukur në botë, por aty gjendet edhe lagjja e vjetër “Di Mare”, me dyqanet dhe butiqet e saj të modës, e mandej “Il Sen-Luj” dhe brigjet e lumit Sena, mandej dyqani për rum “Sen-Zhermen dë Pre”, ku mund të ngroheni me kokteje dhe lloje të ndryshme të rumit nga e tërë bota, e më pas rruga “Muftar”, e njohur për llojet e ndryshme të djathërave të saj apo Tregu i Librave “Zhorzh Brasens”, me kafenetë dhe bistrotë përreth. Por, jo vetëm kaq, ekzistojnë edhe shumë vende dhe shumë lagje të tjera, ku me të vërtetë jetohet bukur, gjithnjë qetë dhe lumtur. Mbase, mund të takohemi atje, sepse planifikoj të pasuroj koleksionin tim të kartolinave të vjetra nga Ballkani!

JPEG

7. Ku do të jeni ju për festat e Krishtlindjeve dhe festën e Vitit të Ri?

Për Krishtlindjet tona do të jem në Shkup me familjen, e më pas do të shkoj në Paris për festën e miqve, Vitin e Ri.

8. Cilat janë urimet e juaja për këtë Vit të Ri, drejtuar qytetarëve të Maqedonisë?

Të jenë përplot me energji pozitive, me realizëm dhe të bashkuar, për të kapërcyer një fazë të rëndësishme dhe për të bërë një hap vendimtar në historinë e tyre! Le të shikojmë përpara dhe le të vazhdojmë të ndërtojmë së bashku, një të ardhme të re evropiane, besnike ndaj vlerave që ndajmë dhe që do të përfaqësojnë një thesar dhe një pasuri të vërtetë, si për ta, poashtu edhe për fëmijët e tyre ...

publie le 25/12/2018

hautdepage