Zhurnal.mk : Intervistë me Ambasadorin francez [fr] [mk]

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve "Zhurnal", ambasadori i Francës i përgjigjet pyetjeve aktuale politike:

PNG
PNG

- Si e vlersoni ngërçin politik në Maqedoni, a është kjo nën suazat e demokracisë bllokimi i tërësishëm i Parlamentit nga një parti politike duke mos lejuar zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe formimin e qeverisë?

Kjo bllokadë është sterile dhe duhet të ndalet. Nuk është në përputhje me përgjegjësitë e partive më të mëdha që mendojnë të kenë një synim të lartë të rolit të tyre historik në ringjalljen e shtetit maqedonas. Ky lloj i manovrimit është pjesë e arsenalit parlamentar, por zgjatja e pafundësishme e bllokimit është e pakuptueshme, parë nga jashtë.

- A mendoni se në Maqedoni është e nevojshme që prap të shkohet në zgjedhje të parakohëshme parlamentare, pasi që zgjedhjet e 11 dhjetorit nuk prodhuan zgjidhje?

Nëse e keni fjalën për zgjedhjet komunale, them se është me të vërtetë e nevojshme që ato të mbahen. Të gjithë kryetarët e komunave të cilët i kam takuar, pavarësisht nga përkatësia e tyre politike, janë të shqetësuar për pasojat e përditshme të shtyrjes së zgjedhjeve të majit. Mandej, ne vet jemi të përkushtuar rreth bashkëpunimit tonë të vazhdueshëm në nivelin lokal, andaj urojmë ekzistencën e bashkëbiseduesve të pakontestueshëm. Ndërsa sa i përket zgjedhjeve parlamentare, ato u mbajtën në dhjetor dhe problemi i vërtetë i tyre janë pasojat që rodhën më pas. Ata ishin zgjedhjet më të drejta dhe fer të mbajtura në Maqedoni, sipas mendimit të të gjithë specialistëve të Ballkanit që unë i njoh, që nga viti 1991. Nuk mund të nxisim mbajtjen e tyre të sërishme, deri në atë pikë sa rezultati të u konvenojë të gjithëve. Ekziston edhe çështja e kredibilitetit të vendit. Ajo e cila është në agjendë, është nxitja e funksionimit të sërishëm të parlamentit dhe krijimi i një imazhi të një vendi normal evropian. Rrezikohet shumë shpejt, të humbiset kjo mundësi.

- Si e vlersoni Deklaratën e Shqiptarëve, a plotësohet me këtë deklaratë Marrëveshja e Ohrit në tërësi?

Flasim pak si tepër për këtë tekst, i cili në fakt është një deklaratë në mes të partive të ndryshme shqiptare në Maqedoni, e shfaqur fill pas zgjedhjeve. Është normale që shumë gjëra rreth disa kërkesave, tanimë janë të njohura për një kohë të gjatë. Kjo deklaratë nuk është një tekst i shenjtë, dhe ai duhet të diskutohet mes partnerëve të koalicionit dhe madje edhe me opozitën, sepse ngërthen çështje që kanë të bëjnë me historinë dhe identitetin e vendit, si dhe dispozita praktike që kanë një kosto të pamohueshme simbolike. Pas nënshkrimit, disa nga partitë më të rëndësishme e reduktuan këtë platformë në katër pika! Mendoj se këtu duhet të vihet në pah roli i parlament, në qoftë se e pranojmë parimin e tij, pra ti jepet rasti bisedimeve. Sidoqoftë, sipas njohurive askush nuk i jep këtij teksti statusin e njëjtë si marrëveshjes së Ohrit, e nënshkruar dhe e negociuar në një nivel krejt të ndryshëm, e pakontestuar nga askush në Maqedoni, fakt ky që na gëzon.

- Si e vlersoni punën e PSP-së dhe a është e nevojshme që këti institucioni ti vazhdohet mandati pasi të konstituohet në tërësi parlamenti?

Prokuroria speciale u themelua si pjesë e marrëveshjes së Përzhinos, e nënshkruar nga partitë më të mëdha. Nuk më takon të nxjerr bilansin përfundimtar për një veprim ende të pambaruar. Asnjë institucion njerëzor nuk është i përsosur, por është e qartë se Prokuroria ka ndihmuar në zbulimin e shumë probleme serioze të mosfunksionimit, që nuk janë ndoshta unike për Maqedoninë, por që tangojnë çdo qytetar të ndershëm. Personalisht kam qenë konsull i përgjithshëm në Sicili dhe më kujtohen nga kjo periudhë shumë çështje serioze në lidhje me sëmundjen ngjitëse të praktikave mafioze në të gjitha demokracitë tona. Megjithatë, duhet që hetimet e kësaj Prokurorie të janë të paanshme dhe të mos instrumentalizohen si një mjet i thjeshtë i ndryshimit politik. Sipas këndvështrimit tonë, ajo që ka rëndësi është se veprimi i Prokurorisë speciale ofron vendin tuaj drejt një praktikë politike më evropiane. Përtej përkatësisë partiake, unë u shtanga nga kërkesa për drejtësi dhe moralizim të shoqërisë, që nga personalitetet e larta fetare e deri te të rinjtë e OJQ-ve. Ky fenomen është i pranishëm edhe në vendet e tjera në rajon. Asnjë politikan nuk mund të injorojë këtë, andaj diskurset dhe fjalimet mbi identiteti nuk do të mund që ta zëvendësojnë për një kohë të gjatë këtë kërkesë.

- Çfarë komenti keni për propozimin (Manifestin) e VMRO-DPMNE-së, ku ata kërkojnë që partisë fituese në zgjedhjet e ardhëshme ti jepen bonus +20 deputet?

Kërkesa e VMRO-së që partisë fituese në zgjedhjet e ardhëshme ti jepen bonus +20 deputetë, është një propozim i tyre, por ky sistem ekziston edhe në vende të tjera, e në vete mbart edhe përparësi edhe mangësi, si të gjitha sistemet. Është një propozim për diskutim në mes të subjekteve politike për të arritur deri te një konsensus minimal. Megjithatë, sistemet zgjedhore, sikurse zgjedhjet, nuk mund të ndryshojnë vazhdimisht, varësisht prej interesave dhe shijeve partiake, duke rrezikuar kështu diskreditimin e demokracisë. Kjo shihet qartë në përpjekjet për të ndërtuar një parim të tillë të koalicionimit, duke e braktisur të njëjtin parim më pas, e duke i dhënë mundësi kritikave. Pa dyshim, theksoj që parimi i shumicës, thjeshtë është parimi më pak i kontestueshëm, Diskutimi i gjithë këtyre problematikave në parlament do të jetë më frytdhënës se sa konfrontimi aktual.

- A mendoni se partitë shqiptare po luajnë një rrol konstruktiv në këto momente ngërçi që ka kapluar Maqedoninë?

Shoqëria shqiptare është në një evolucion të plotë, andaj partitë shqiptare pasqyrojnë çështjet që lindin nga ky zhvillim, e gjithashtu edhe ngritjen shqetësimeve të gjeneratave të reja. Kuptohet, që partitë shqiptare duhet të plotësojnë kërkesat e kompensimit të padrejtësive të kaluara, por ne do të donim t’i shihnim ata në një rol konstruktiv dhe largpamës, pa egoizmin klientelist ose komunita, por e gjithë kjo është sigurisht e vështirë në traditën ballkanike. Është e qartë që edhe partitë shqiptare nuk mund të mbeten në pozitën historike të paditësit dhe pretenduesit. Sipas mendimit tonë, ato së pari duhet të shohin, së bashku me partitë e tjera në vend, marrëveshje për një program konkret të reformave, nga të cilat do të përfitonin të gjithë, si për shembull, vendosjen e drejtësisë së duhur, një arsim cilësor, duke shtuar këtu edhe angazhimin në drejtim të përafrimit mes komuniteteve rreth idesë së ndërtimit apo konsolidimit të një shteti të përbashkët. Perspektiva e zhvillimit të komunitetit shqiptar me komunitetet e tjera është e dëshirueshme. Nxitja e zhvillimit të përbashkët është i nevojshëm për të arritur integrimin evropian, sepse vetëm shtetet moderne dhe funksionale janë të mirëpritura në BE.

- Ministri i jashtëm Poposki, té mérkurén né Strasbourg tha se një ndër aryet e krizës është edhe rruga e bllokuar e Maqedonisë për në BE (duke referuar në bllokadën e Greqisë). Sa qëndron sipas jush ky konstatim i Poposkit ?

Ky bllokim ka qenë një hendikep. Ministri ka të drejtë. Ne e dimë se ai ka punuar shumë me kolegun e tij grek në drejtim të përparimit të bisedimeve. Ne i kemi çmuar këto përpjekje, por mbetet edhe shumë për t’u bërë, përfshirë këtu edhe hapin nga politikanët e të dyja vendeve për të gjetur një kompromis të duhur, realist dhe të respektueshëm nga të gjitha identitetet historike. Identitetet sikurse edhe emrat mund deri në njëfarë mase të ndahen së bashku. Askush nuk duhet të ndjehet i turpëruar nga rezultati, andaj partitë e mëdha duhet t’a vënë interesin e vërtetë kombëtar në rend të parë. Evropianët e kuptojnë se situata po përkeqësohet, andaj nuk janë larg asaj t’ua kthejnë shpinën të dy vendeve dhe t’i lënë vet të merren vesh. Andaj kjo duhet të shërbejë si një fakt që duhet t’i inkurajojë ata që të merren vesh, të rishikojnë dhe rigjejnë mundësitë e humbura.

- Është folur shumë për ndéshkimet/sanksionet e mundshme nga BE ndaj Maqedonisë, apo edhe individëve si Gruevski dhe Ivanovi. Deri ku kanë arritur konsultimet midis vendeve anëtare pér masa të këtilla ? Në çfarë rrethanash BE do të mund té vendoste sanksione ndaj Maqedonisë dhe të çfarë lloji ?

Sanksionet e vërtetë janë ato të vetëshkaktuara. Kur e them këtë e kam fjalën për faktin e largimit të të rinjve të arsimuar dhe guximtarë, mungesa e perspektivës dhe frika se përpjekjet e këtyre të rinjve nuk do të merren parasysh, nuk do të shpërblehen, si dhe se zëri i tyre nuk do të dëgjohet. Ata vendosin të braktisin vendin e tyre, e kësisoj dëmi është i pallogaritshëm. Për më tepër, institucionet financiare ndërkombëtare, kompanitë e mëdha, partnerët e biznesit presin bashkëbisedues legjitim politike për të përfunduar kontratat e tyre apo investimet e tyre. BE-ja, pa vullnetin e saj ndëshkues, me rregullat e saja strikte ligjore, ndoshta do të jetë e detyruar t’i drejtojë burimet e saja drejt partnerëve më tërheqës dhe më të fortë. Maqedonia nuk mund të mbetet një shtet në zhvillim, pa paguar një çmim të lartë. Vonesat në rrugën e integrimit, do të jenë tejet të vështirë për tu rikuperuar, andaj ata që përmes gjykimeve të pasakta apo egoizmit do t’i humbin këto shanse, do të mbajnë një përgjegjësi të madhe para bashkëqytetarëve të tyre dhe historisë së vendit të tyre.

publie le 09/04/2017

hautdepage