Intervista e ambasadorit për gazetat "Nova Makedonija" dhe "Bitolski Vesnik" [fr] [mk]

Të hënën, më 20 maj, me rastin e pjesëmarrjes në simpoziumin shkencor me temën " Njëqindvjetori i Traktatit të Versajës: traktatet dhe kufijtë", ambasadori u përgjigj pyetjeve aktuale të kryeredaktorit të gazetës së Manastirit "Bitolski vesnik" dhe korrespondent i gazetës së përditshme "Nova Makedonija".

Në një kohë kur Evropa feston 100 vjetorin e Traktatit të Versajës, vallë a nuk ballafaqohet ajo me miratimin e një marrëveshjeje të re, sipas shembullit të Versajës për një demarkacion të ri apo për ridefinimin e kufijve të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë edhe ato të ish-Jugosllavisë?

Nëse mund të mësojmë diçka nga Traktati i Versajës, ato janë leksionet e tij për kujdes dhe realizëm: nuk duhet të ketë fitues as humbës, por secila zgjidhje duhet të kënaqë të gjitha palët, sepse miqtë i zgjedhim vet, por jo edhe fqinjët tanë; e nga ana tjetër, besojmë se në të ardhmen, Bashkimi Evropian, kur të jetë gati, do të pranojë në gjirin e tij vende që janë të gatshme për bashkëpunim dhe jo komunitete që ende mbajnë ndjenjën e urrejtjes, qoftë kjo edhe nga inati. Ndërtimi evropian bazohet në relativizimin e kufijve në favor të të drejtave të barabarta dhe anëtarësimit të përbashkët.

Disa vende, si Shqipëria dhe Kosova, nuk e fshehin faktin që janë të një mendjeje për bashkim të gjithë shqiptarëve në një shtet, ndërsa presidenti serb Aleksandar Vuçiç avokon dhe përkushtohet hapur për demarkim kufizues të Serbisë me Kosovën. Presidenti i serbëve të Bosnjës dhe Hercegovinës, z. Milorad Dodiq, nuk fsheh faktin se përkrah idenë për pavarësinë e Republikës Serbe.

Mund të konstatoj se perspektiva të tilla, nëse formulohen saktë, ashtu siç duhet, nuk janë aspak në frymën e përafrimit me Bashkimin Evropian. Por, është e vërtetë që disa ideologë nga këto hapësira duhet të bëjnë një zgjedhje të qartë midis shekullit 19 dhe 21, nëse nuk duan që rajoni të kaplohet sërish nga një cikël dhune dhe mjerimi i plotë.

JPEG

Shkëlqesia Juaj, disa vende në Evropë, duke përfshirë edhe Francën, kanë njoftuar rishtazi se është koha për të ndërprerë integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përderisa të mos reformohet vet Evropa. Në këtë kuptim, duket se optimizmi për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut fillon të bjerë.

Të dy proceset e reformave nuk janë të papërputhshme (jokompatibile). Ata plotësojnë njëri-tjetrin dhe duhet të takohen në një pikë: kjo perspektivë ishte e njoftuar dhe trasuar nga presidenti Makron, në fjalimin e tij në Sorbonë, dy vjet më parë. Është e vërtetë që imazhi i popullatës sonë në shumë vende, në lidhje me rajonin e Ballkanit, ka mbetur negativ, andaj duhet që kjo të ndryshojë, sepse qytetarët tanë, në fund të fundit, do të duhet të vendosin, atëherë kur do të vijë dita e aderimit, përfshirë këtu nëse është e nevojshme te ne, edhe përmes referendumit. Prandaj, na ngelet përpara një punë e madhe bindëse, e cila kërkon kohë dhe njëkohësisht rezultate të dukshme, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, sigurisë dhe vlerave të përbashkëta.

Maqedonia ndërmori hapin më të dhimbshëm duke ndryshuar emrin e saj kushtetues për t’u bërë Republika e Maqedonisë së Veriut. Na tregoni, cilat kushte të tjera duhet të përmbushë shteti, për të siguruar një datë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian?

Vendet anëtare të BE-së e mirëpritën unanimisht marrëveshjen, vlera e së cilës përfaqëson një simbol pozitiv për stabilitetin e rajonit. Pikërisht, veprimet dhe lajmet e këtilla, mund ta ndryshojnë mendimin tonë në një drejtim pozitiv dhe për këtë arsye palët e tanguara nuk duhet t`i kontestojnë dhe vejnë në pikëpyetje përfitimet e tilla, duke e ushqyer sërish imazhin për një rajon të paqëndrueshëm dhe të paparashikueshëm. Nëse kjo merret parasysh, atëherë duhet thënë se prej fillimit kërkesat për hapjen e negociatave ishin të ndryshme. Natyrisht, çështja e emrit duhej të zgjidhej si një pengesë në këtë rrugë, por kjo nuk mund ta lirojë vendin nga kriteret e tjera teknike dhe juridike (ligjore). Pozita e Francës, megjithëse disa njerëz shprehin keqardhje për këtë, gjithmonë ka qenë mjaft e qartë në këtë këndvështrim, madje më e qartë se e vendeve të tjera.

Sipas disa informatave, po plasohen teza se Republika e Maqedonisë së Veriut, duhet të plotësojë kushte të reja në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, siç janë reformat në fushën e drejtësisë, vazhdimi i mandatit të Prokurorisë Speciale Publike, reformat brenda administratës publike. Çfarë mendoni, a do të jetë Maqedoni në gjendje, që të fillojë së shpejti negociatat e pranimit me BE-në?

Kushtet që po i përmendni nuk janë të reja: ato rrjedhin nga kriteret e përcaktuara nga Këshilli Evropian, qysh në qershor të vitit të kaluar. Përpjekjet e ndërmarra legjislative dhe normative ishin të rëndësishme, me mbështetje në shumë rrethana nga opozita, e cila e dëshmoi ndjenjën e saj të përgjegjësisë dhe interesit kombëtar. Është ky lloj i qëndrimit, që ne presim ta shohim, për të treguar se vendi është gati, në letër dhe në praktikë, për fillimin e negociatave të pranimit. Për fat të keq, e kaluara ka dëshmuar se shumë shpesh reformat kanë mbetur vetëm në letër dhe është e vërtetë se ende ekziston një dozë e madhe e skepticizmit në lidhje me kapacitetin për të zbatuar ligjet e miratuara, e nganjëherë edhe në lidhje me vullnetin e vendeve të rajonit, sipas mendimit tonë, por gjithashtu edhe sipas konkluzioneve të këtushme. Është gjithashtu e vërtetë se kërkesat drejtuar vendeve të reja kandidate janë më të ashpra, duke pasur parasysh zhgënjimin nga zgjerimet e fundit. Njëri nga tekstet që pritet më së shumti të përfundojë është Ligji për Prokurorinë Speciale, i cili duhet të votohet nga partitë kryesore politike, duke marrë parasysh disa nga amandamentet e mundshme, të cilat do të shmangnin akuzat për revanshizëm. Për të pasur vlerën e plotë para opinionit publik vendas dhe ndërkombëtar, ky tekst duhet të miratohet me shumicë të pakontestueshme dhe të pavarur.

A nuk mendoni se Evropa po luan një lojë të padrejtë dhe se në mënyrë të vazhdueshme po vendos kushte të reja para autoriteteve të vendit?

Nuk ka kushte të reja; ka një sërë kriteresh, të vendosura në qershor të vitit të kaluar, të cilat janë pak a shumë të lidhura me progresin në sundimin e ligjit dhe shtetin e së drejtës, që synojnë të konfirmojnë kthesën që ndodhi në vitet 2016-2017. Së bashku me shtetet anëtare, ne do të konstatojmë nëse axhendat e vendosura nga kjo qeveri, janë zbatuar mirë dhe nëse duhen të bëhen përparime të mëtejshme para se të arrihet një bazë solide për hapjen e negociatave. Sukseset diplomatike dhe në radhë të parë Marrëveshja e Prespës, meritojnë një mirënjohje të përzemërt, por i përkasin një fushe tjetër.

Shkëlqesia Juaj, si e shihni situatën aktuale politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut?

Kur arrita në vitin 2016, u gjenda në një vend, i cili kërcënohej me izolim, me një të ardhme të paqartë. Vendi ka kapërcyer krizën e thellë dhe shpresoj që ka dalë nga spiralja e dhunës politike dhe tërësisht joliberale anti-evropiane. Megjithatë, mbetet shumë për t’u bërë, që të krijohet një kulturë e kompromisit, që për ne është themeli i Bashkimit. Kundërshtitë e tepruara të të dy komuniteteve më të mëdha, gjithashtu duket të jetë një rrezik për të ardhmen : duhet të bëhet shumë punë, më tepër se asnjëherë më parë, për t’i afruar më shumë të rinjtë, veçanërisht në planin gjuhësor, ndërsa partitë politike të ndërpresin lojën me kartën e nacionalizmit populist në kuadër të bashkësive, që në fund të fundit do të nxisë vetëm interesat e profiterëve. Partitë politike në përgjithësi kanë një rol domethënës në të gjitha fushat dhe pritet që sundimi i ligjit të kufizojë peshën e tyre të tepërt. Shembulli me disa shtete anëtare të BE-së, tregon se ne nuk kemi qenë mjaft të kujdesshëm në këtë pikëpamje gjatë valës së fundit të zgjerimit.

A nuk mendoni se nëse shteti nuk merr dritën e gjelbër për fillimin e negociatave, do të ketë një rritje të euro-skepticizmit në mesin e qytetarëve?

Duke pasur parasysh që asnjëherë nuk kam takuar një bashkëbisedues i cili dëshiron integrimin euro-aziatik, besoj se projekti evropian nxjerr në pah tërë vitalitetin e tij. Ne gjithashtu duhet ta ushqejmë atë me aktivitete specifike, konkrete dhe të prekshme, të tilla si ato që parashikohen nga Strategjia Franceze për Rajonin, e bërë publike në Samitin e Berlinit. Agjencia jonë Franceze për Zhvillim, e cila ka kompetenca për rajonin, ka filluar të aktivizohet: kemi dorëzuar një draft-marrëveshjeje deri te qeveria, të cilën dëshirojmë ta nënshkruajmë sa më shpejt që të jetë e mundur. Ne duhet të intensifikojmë bashkëpunimin tonë për të përmbushur të gjitha kushtet konkrete, me qëllim që të hapen negociatat efektive. Gjatë kësaj jave, do të marr pjesë në hapjen e një seminari të përgatitur nga eksperti ynë pranë zëvendës-kryeministrit përgjegjës për çështjet evropiane, objektivi i të cilit është stërvitja dhe trajnimi i ekspertëve tuaj vendas. Rreziku më i madh për shfaqjen e euroskepticizmit do të jetë, sipas mendimit tim, nëse nisemi drejt negociatave në një terren të përgatitur keq, gjë që do të ishte një goditje, që do të zhgënjente opinionin publik dhe pastaj mund të shfaqet bindja se është mashtruar dhe tradhtuar besimi.


Për në fund, në cilësi të ambasadorit të Francës, a jeni optimist apo pesimist për procesin e integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut?

Unë nuk jam as optimist as pesimist, por e di se kjo do të ndodhë, sepse nga ana e Maqedonisë, integrimi tashmë ka filluar të ndodh në mendjet e njerëzve. Evropa, nga ana tjetër, duhet sërish të kapërcejë krizën e saj, e sidomos atë që ndërlidhet me Bregzitin (daljen e Britanisë nga BE-ja) dhe të përgatitet për t’ju pranuar. Më pas, do të jetë e nevojshme, siç ka thënë gjenerali De Gol, të ecet më tutje me kujdes, me forca të përbashkuara. Sepse, kur bëhet fjalë për çështjet evropiane, kjo nuk është gjë e vogël: duhet durim, bashkërendim dhe trajnim. E në anën tjetër, ne do t’ju ofrojmë gjithë mbështetjen tonë.

publie le 24/05/2019

hautdepage