Intervista e ambasadorit, dhënë për të përditshmen "Veçer" [fr] [mk]

I pyetur nga gazeta e përditshme “Veçer” rreth zhvillimeve më të fundit në Maqedoninë e Veriut rreth çështjes "Reket", ambasadori i inkurajoi autoritetet kompetente, që të zhvillojnë një hetim të paanshëm, gjithëpërfshirës dhe të besueshëm, për të rikthyer besimin e qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë

Ambasadori Timonie gjykon se çështja “Reket” duhet të procedohet pa pardon, pavarësisht se deri ku dhe deri te kush do të çojë hetimi. Në një prononcim për të përditshmen “Veçer”, ai theksoi se ishte optimist, se ka akoma kohë për të rregulluar gjithçka, veçanërisht në drejtim të rikthimit të besimit të qytetarëve te sistemi, e posaçërisht rikthimin e besimit të partnerëve ndërkombëtarë, si dhe paralajmëroi që të mos prishet gjithçka për momentin. Timonie paralajmëron se është e rëndësishme të mos publikohen arbitrarisht emra në publik, sepse më pas do të ndodh një masakër që nuk do të kursejë askënd.

Ne nuk duam që Maqedonia të bëhet një film serik spanjoll, por presim që ajo të jetë një partnere e përgjegjshme, tha ambasadori francez në vendin tonë, z. Kristijan Timonie, në një prononcim për të përditshmen “Veçer”, duke iu referuar aferës “Reket”. Timonie thekson se në kontekstin e këtij rasti, janë botuar shumë gjëra, nuk dihet saktësisht se çfarë është, e çfarë nuk është ky rast, por ekziston një kornizë ligjore, që duhet të përdoret, për ta ndriçuar gjithë këtë rast dhe se është e pamundur të fshihen gjërat nën rrogoz.

Ambasadori bën apel për respektimin e prezumimit të pafajësisë. Ai është i prerë, se është e nevojshme të dëshmohet se institucionet po funksionojnë dhe beson se ka ardhur koha që të përmbushet tërë kjo deri në tetor, kur vendet anëtare të BE-së do vendosin për dhënien e datës për negociata mes BE-së dhe vendit tonë. Përndryshe, paralajmëroi ambasadori francez, pastaj do të duhet të barten pasojat.

- Nëse e merrni tërë listën që duhet të përmbushet, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, e keni listën për të cilën duhet biseduar nëse është arritur ndonjë përparim. Më tutje, ju keni çështjen e lirisë së mediave, dhe me këtë është e lidhur çështja e atij televizionit, i cili ishte hapur në rrethana të dyshimta. Pastaj keni çështjen e korrupsionit, çështjen e gjyqësorit, që është gjithashtu në listë, çështjen e ndarjes së shtetit nga partitë politike… Të gjitha këto pyetje janë të renditura në listën e obligimeve dhe janë përfshirë në aferën ("Reket") dhe nuk mund të them diç më shumë. Nuk e di nëse e gjithë kjo mund të zgjidhet në transparencë të plotë deri në muajin tetor, por sidoqoftë, edhe më tej kemi mundësinë të kundrojmë se si janë marrë autoritetet me këtë krizë dhe në ç ‘mënyrë janë përdorur të gjitha burimet për ta zgjidhur atë, u shpreh ambasadori Timonie për gazetën “Veçer”.

Ai është optimist se ka akoma kohë për të rregulluar gjithçka, veçanërisht për të rikthyer besimin e qytetarëve, e posaçërisht të partnerëve ndërkombëtarë në sistem, dhe paralajmëron që për momentin të mos rrënohet gjithçka.

- Le të shohim nëse fryma tërësisht e re, që u krijua dy vite më parë dhe dëshira për të ecur përpara, përkon me realitetin dhe me të vërtetën. Unë nuk e nënvlerësoj dozën e guximit, që do të nevojitet për ta arritur këtë, pasi që në lojë janë futur shumë gjëra të rëndësishme. Është e rëndësishme të mos publikohen arbitrarisht emra në publik, sepse më pas do të ndodh një masakër, që nuk do të kursejë askënd. Sidoqoftë, ekziston një ndryshim i madh midis një akti të provuar të korrupsionit dhe moskujdesit (neglizhencës). Kjo vë në pah pastaj shfaqjen e mungesës së besimit të qytetarëve, gjë që është e keqe për çdo sistem demokratik, veçanërisht për sa i përket dëshirave dhe aspiratave për të krijuar një sistem evropian, thotë ambasadori francez në vend.

Ambasadori Timonie beson se çështja “Reket” duhet të ndiqet pa pardon, pavarësisht se deri ku dhe deri të kush do të çojë hetimi.

"Ekziston një kërkesë e fortë nga qytetarët, por edhe nga faktori ndërkombëtar, veçanërisht nga ana e partnerëve kryesorë dhe të mëdhenj të vendit, që të qartësohet dhe të zgjidhet kjo çështje dhe në këtë drejtim shkon edhe deklarata e koleges sime amerikane, e cila vuri në dukje gjithçka", tha Ambasadori Timonie në një prononcim për gazetën “Veçer”.

publie le 31/07/2019

hautdepage