Intervista e ambasadorit dhënë për të përditshmen “Veçer” [fr] [mk]

Në këtë intervistë, ai foli për çështjet aktuale, duke përfshirë takimin e fundit të katër udhëheqësve politikë, si dhe për rolin e opozitës në këtë periudhë vendimesh të rëndësishme për vendin: marrëveshja me Bullgarinë dhe më pas me Greqinë, me një hap të ri drejt BE-së dhe NATO-s.
Gjeni intervistën e plotë të ambasadorit në linkun vijues:

JPEG

Udhëheqësit e katër partive më të mëdha politike në Maqedoni, pas përpjekjes së tretë, arritën të bien dakord për zgjedhjen e KSHZ-së, Ligjin mbi Financimin e Partive Politike dhe Qeverinë Teknike, sipas modelit të Przhinos në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, por nuk arritën të bien në ujdi për referendumin. Si e vlerësoni takimin e liderëve?

Tema, sigurisht që polarizoi partitë politike dhe opinionin publik. Andaj, ne duhet të mirëpresim dhe përshëndesim progresin e arritur në takimet e fundit dhe ata që kanë guximin të bëjnë lëshime ose të heqin dorë nga kërkesa të paarsyeshme. Ata kanë një detyrë të vështirë, që ta shpiejnë vendin ashtu siç është në një kulturë kompromisi, por pa e kompromituar. Një marrëveshje e referendumit me kushte të qarta dhe të pastra, thjesht do të jetë një fitore për demokracinë dhe një dëshmi e pjekurisë europiane të vendit. Prandaj, le të punojnë, t`i inkurajojmë dhe ... "Le të mos i gjuajmë pianistët!"
Si e shihni sjelljen e opozitës në këtë moment të rëndësishëm historik?
Opozita duhet të luajë rolin e saj, i cili është thelbësor në demokraci. Dialogu me shumicën vazhdoi në kuadër të procesit Zhan Mone. Është bërë progres me miratimin e Kodit të Etikës, Ligjit Kundër Korrupsionit dhe paralajmërimin e Ligjit për Financimin e Partive, i cili është thelbësor për pavarësinë e tyre në planin financiar. Tundimi për të bllokuar apo shantazuar, për fat të keq, nuk është tejkaluar, siç edhe e kemi parë, sepse si çdoherë duhet të shkohet deri në kufirin e mundësive, për të arritur një rezultat të interesit të përgjithshëm. Vendi mbetet i polarizuar tepër në përpjekjet për të ndarë njerëzit, sipas përcaktimit, në "tradhtarë" dhe "patriotë", edhe pse unë shoh kapacitet më të madh për bashkëpunim tek deputetët, të cilët nuk janë anëtarë të organeve më të larta të partisë, ku tundimi për të lozur përmes ndarjeve të vjetra ende është shumë i pranishëm. Një pjesë e këtij tensioni është krijuar artificialisht dhe ende duhet të punohet për të vendosur rregullat e lojës, në mënyrë që të shmangen obstruksionet dhe përdorimi i kontestuar i procedurave të përshpejtuara, që të kalohen nëpër ato pengesa. Megjithatë, është një moment pozitiv fakti se nga 27 prilli e tutje, dhuna politike është pothuajse njëzëri e hedhur poshtë dhe e refuzuar.

Ndonëse Zaev dhe Mickovski e mohojnë këtë gjë, jozyrtarisht mësohet se ekziston një Pazar i fshehtë midis LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së. Për të mbështetur referendumin thuhet se VMRO DPMNE kërkon amnesti dhe ndryshime në Kodin Penal. A mundet që udhëheqësit e partive të bëjnë pazare për çështjet strategjike?

Unë nuk mund të komentoj spekulime, veçanërisht kur ata nuk janë në nder të palëve të tanguara, të cilat gjithashtu i refuzojnë ato. Këto thashetheme nuk do të motivojnë qytetarët për të votuar, e as opinionin publik në vendet europiane për fillimin e bisedimeve të pranimit me BE-në. Ata i ushqejnë mendimet më të këqija për Ballkanin. Unë nuk dua të besoj, për sa më përket mua, se e ardhmja e një vendi dhe e njerëzve varet nga fati personal i një duzine të pandehurish, të akuzuar për mashtrim dhe shpërdorim të pushtetit.

JPEG


Çka nëse dështon referendumi, nëse një pjesë e popullatës e bojkoton atë?

Pse të ndodh bojkoti, nëse pyetja është e thjeshtë dhe e qartë, nëse respektohet gatishmëria e zgjedhësve për të zgjedhur, si dhe nëse zhvillohet një fushatë të ndershme?

Çfarë mendoni, a do të ketë formulimi i pyetjes ndikim në referendum, dmth. mënyra se si do të parashtrohet pyetja?

Është e rendit të konsultohen juristët dhe e di se sa juristët e këtij vendi janë rigoroz, mu ashtu siç është edhe ministrja juaj e drejtësisë.

Çka nëse në Greqi vendosin të shkojnë në një referendum?

Unë mendoj se ata nuk mendojnë për këtë. Është thjesht një çështje e Maqedonisë.

Z. ambasador, Republika e Maqedonisë është në një periudhë shumë të rëndësishme historike, ju në cilësinë e një diplomati, si i shihni, nga këndi juaj, të gjitha ndryshimet që po ndodhin me shpejtësi dhe të cilat për vite me radhë janë konsideruar si sfida që thjesht nuk munden të zgjidhen?

Vërtetë janë sjellur vendime të mëdha: Franca përshëndeti marrëveshjen me Bullgarinë dhe më pas me Greqinë, të cilat i hapën dyert vendit drejt BE-së dhe NATO-s. Ata janë shenja të guximit dhe vullnetit të shprehur, të denja për respekt dhe shpresë në rajon, i cili e ka barrën e vështirë të ballafaqohet me mosmarrëveshjet historike dhe diplomatike. Zgjidhja e tyre është një kusht për anëtarësim në Bashkimin Europian, si horizonti natyror që e ndajmë, siç i tha edhe presidenti Makron rishtazi kryeministrit Zaev.


Ditëve të fundit, publiku është i shqetësuar me ndarjen e shumave të mëdha të parave nga Fondi për Inovacion të kompanive, gazetave dhe njerëzve të afërt me LSDM-në, madje edhe të zyrtarëve të lartë të qeverisë nga radhët e LSDM-së. Dhe në të njëjtën kohë, janë shpallur oferta dhe tenderë të dyshimtë, skandali më i fundit është ai në Ministrinë e Shëndetësisë. Si do të ndikojë kjo në vlerësimin e BE-së, në luftën kundër korrupsionit në vend?

Nuk mund të flas për vërtetësinë e këtyre akuzave, veçanërisht në periudhën para referendumit. Ata që kanë informacione të këtilla, janë plotësisht përgjegjës për këto reagime, ose të paktën e kanë kuptuar se është kështu, dhe janë duke kërkuar një mundësi për të korrigjuar gabimet dhe për të kapërcyer konfliktin e interesit. Ky është një përparim i vërtetë nëse kujtoj situatën në vitin 2016. Megjithatë, e gjithë kjo lë hapësirë për të besuar se vendimi i shteteve anëtare të BE-së, për të vlerësuar përparimin e reformave për një vit, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe mosndëshkimit, ishte një hap i kujdesshëm dhe i justifikueshëm.

Shqyrtimi (skriningu) për fillimin e negociatave me BE-në filloi zyrtarisht me vizitën e komisionerit të BE-së Johanes Han. A mendoni se mund të ketë sukses, veçanërisht pasi që legjislacioni në Maqedoni duhet të përputhet me atë të BE-së dhe përveç kapitujve 23 dhe 24 për të drejtat themelore, një fokus i veçantë duhet t’i kushtohet edhe gjyqësorit?

Sa i përket skriningut në kuptimin e vërtetë të fjalës, respektivisht shqyrtimit të kapaciteteve ligjore që ekzistojnë në perspektivën e procesit të qasjes (pranimit), ai do të fillojë zyrtarisht pas vendimit të eventual për hapjen e negociatave në vitin 2019. Sidoqoftë, është shumë e dobishme të fillohet me masat përgatitore që tani, pa humbur kohë. Kisha rastin të shihja vendosmërinë e negociatorit teknik sapoemëruar, z. Mariçiq, për t’i vënë ekipet në rend të punës. Franca është e gatshme të mbështesë me këto përpjekje.

Maqedonia është në prag të ftesës për në NATO-s, ftesa është pranuar- anëtarësimi do të ndodh pas plotësimit të kushteve. A mendoni se mosmarrëveshja për emrin është e vetmja pengesë në rrugën drejt integrimit euroatlantik? A do të ketë bllokada të reja?

Ekzistojnë një sërë kushtesh teknike, por edhe politike, që duhet të përmbushen, në aspektin e vlerave demokratike dhe veçanërisht në respektin e individit në veçanti, që Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg me të drejtë i rikujtoi gjatë fjalimit të tij në parlament. Është e rëndësishme që të theksohen këto vlera të përbashkëta, sepse ata i japin kuptimin e vërtetë Aleancës, në një kohë kur ishim dëshmitarë të vërejmë se si disa shtete anëtare, kishin vështirësi në këtë drejtim. Sidoqoftë, është e rëndësishme që vendi të garantojë sigurinë e vet në përmasa ndërkombëtare dhe të jetë aktiv në kuadër të BE-së dhe OKB-së.


A do të ndiheni njësoj i rehatshëm në pozicionin tuaj si ambasador i Francës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ashtu siç ndjeheni tani si ambasador i Francës në Republikën e Maqedonisë?

Isha konsull i përgjithshëm në Greqinë Veriore, kështu që mbiemrat nuk më frikësojnë! Për mua, në të dy anët e kufirit, ka maqedonas të cilët janë që të gjithë europianë dhe të cilët janë të destinuar të gjejnë në të njëjtën kuadër politik të rinovuar europian, për të cilën Franca po punon në mënyrë aktive.

publie le 28/07/2018

hautdepage